E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i ktheu borxhin, breshëri automatiku automjetit

GJIROKASTËR/ Andrea Kadëna i kishte dhënë 600 euro borxh një vit më parë shtetasit F.C.


GJIROKASTËR - Një person ka përfunduar në pranga, pasi qëlloi me breshëri automatiku një automjet. Ngjarja ndodhi në fshatin Valare në rrethin e Gjirokastrës. Një emigrant, banor i këtij fshati, është protagonist i ngjarjes, që fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Valare.


Shtetasi Andrea Kadëna, 24 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, i cili drejtonte automjetin tip "Volksvagen" me targa greke YEB 1719, ka gjuajtur me armë zjarri tip kallashnikov në drejtim të automjetit tip "Mercedes Benz", me targa GJ 0841 A, i cili ishte i parkuar para shtëpisë dhe i përkiste shtetasit me iniciale F.C, me banim në fshatin Valare.


Kanë qenë banorë të fshatit që kanë njoftuar policinë për ngjarjen. "Shtetasi Andrea Kadëna pasi ka gjuajtur me armë, është larguar në drejtim të Gjirokastrës, por kur ka parë që po e ndiqte policia, është larguar me shpejtësi të madhe dhe për këtë shkak ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë në aksin rrugor rural Valare-Gjirokastër.


Menjëherë është transportuar për në spital, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore është jashtë rrezikut për jetën", thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp të poicisë. Mësohet se shkak për ngjarjen është bërë një borxh prej 600 eurosh, që shtetasi me inicialet F.C. ia kishte marrë rreth një vit më parë 24- vjeçarit Andrea Kadëna dhe që nuk ia kishte kthyer ende.


Nga këqyrja e automjetit të tij tip "Volksvagen" rezultoi se në sediljen e parë ishte një armë zjarri tip kallashnikov, së bashku me karikatorin me disa fishekë. Ndërsa nga këqyrja që i është bërë automjetit tip "Benz" në pjesën e pasme janë fiksuar 8 vrima ku kanë hyrë plumbat.


Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë sekuestruar tetë gëzhojat, të cilat së bashku me armën tip kallashnikov do të çohen për ekspertim në Laboratorin Kriminalistik në Tiranë. "Shkatërrim i pronës" dhe "armëmbajte pa leje" janë akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›