Shtatë minuta kurs ekonomie me Oliver Stone

Oliver Stone flet për "Wall Street 2, paraja kurrë nuk fle", një film i madh që është shfaqur jashtë konkurrimit në Festivalin e Kanës me protagonistë Josh Brolin, Michael Douglas dhe Shia LaBeouf.
Projeksioni është bërë në një ditë kur euro vlente pak më shumë se një dollar dhe njëzetepesë cent.
Në 7 minuta, Oliver Stone flet për "Wall Street 2, paraja kurrë nuk fle" (Wall Street 2, money never sleeps", një film i madh që është shfaqur jashtë konkurrimit në Festivalin e Kanës me protagonistë Josh Brolin, Michael Douglas dhe Shia LaBeouf. Projeksioni është bërë në një ditë kur euro vlente pak më shumë se një dollar dhe njëzetepesë cent.
Pse vetëm shtatë minuta? Sepse gjithnjë në kësi rastesh, do ndodhë që gazetarëve të shtypit të shkruar t'u lihet më pak kohë për intervista me njerëzit e kinemasë, e sidomos kur këta janë amerikanë.
Ju vini në gojën e Gordon Gekko-s fjalët: kriza është si tumori. Në ç'stad ishte sëmundja kur xhironit "Wall Street 2"?
Kjo është një sëmundje sistematike që përhapet. Është borxhi i tepruar që kanibalizon ekonominë duke paguar shërbimin e huadhënies: ajo ha të vegjlit për të përballuar veten. Është përdorim i keq i burimeve të vendit.
Babai im ka qenë agjent burse në Wall Street, ai krijonte kapital, grumbullonte fonde që kompanitë të prodhonin produkte, të kryenin kërkime, për ta bërë vendin më të fortë.
E gjithë kjo e humbi kuptimin që nga koha kur firmat financiare përfitonin për veten dhe jo për klientët e tyre. Ishte një kohë kur vetëm agjentët mblidhnin një përqindje, kurse sot veprojnë për llogari të tyre.
Ata luajnë me uljen dhe ngritjen. Ka një përgjigje të mirë në film: "në tregun e demave (që shënojnë rritjen) bëhet paraja, arinjtë (që shënojnë uljen) bëjnë para, kurse derrkucët çohen në thertore". Ata kanë kompjutera që u krijojnë mundësi të ndërhyjnë në pak sekonda për një vlerë, as dhjetë minuta nuk iu duhen për të siguruar fitimin e tyre.
Kur xhironit në vjeshtë 2008, besonit se kriza do të kapërcehej?
Askush s'mund ta thotë. Në film, Gekko flet në Universitetin e Fordham-it në qershor ose korrik 2008. Ai parashikon atë që do të ndodhë, siç kishin bërë të tjerë për pasuritë e paluajtshme.
Por askush nuk e dinte se ç'përmasa do të merrte kjo, me përjashtim të disa bankierëve, si ata të Goldman Sachs të cilët spekulonin për uljen e huadhënieve.
E dini se kush qe i pari që më foli për këtë? Elliott Spitzer (ish administrator dhe guvernator i shtetit të Nju Jorkut). Në korrik më tha "kërkoni te AIG (siguruesi amerikan) është perandoria e së keqes."
Dhe atëherë qeveria ka nxjerrë 700 miliardë dollarë, është një sistem i dëmshëm në favor të bankave dhe kompanive të sektorit të energjisë. Janë ata që kontrollojnë Uashingtonin.
Çfarë domethënie ka fakti që një kompani si Fox prodhon këtë film? Ndihen aq të fuqishëm sa të mos kenë frikë në i kërcënon kush?
Dëgjoni, filmi është film. Qysh më 1987, asgjë nuk ka ndryshuar në Wall Street sado që ne e kemi vënë theksin tek gjëra që kanë ndodhur më pas. Nuk jemi përpjekur për të bërë predikim. Donim të tregonim historinë e individëve me këtë katastrofë në sfond. Por jeta vazhdon. Ata do të vazhdojnë të vjedhin, të dashurojnë, të bëjnë fëmijë.
Gjërat do të evoluojnë, ka shpresë. Mrekullia nuk vjen nga qielli, duhet që njerëzit të ndryshojnë. Dhe për aq kohë sa njerëzit kanë për të qenë konsumatorë lakmitarë, as që kanë për të ndryshuar.
Sot ka Shtete të tëra që po provojnë falimentimin, meqë ju e keni mbaruar filmin, a ka pasur elemente të reja në këtë krizë për të cilat ju vjen keq që nuk i keni përdorur?
Spekulimin e Goldman Sachs. Ka vetëm pak javë që është zbuluar nga hetimi, por Elliott Spitzer na kishte paralajmëruar, dhe ne e kishim përfshirë në skenar.
Cili është njeriu që uroni ta shohë këtë film?
Në fund të fundit unë nuk besoj se do të reagojnë njerëzit që mbajnë këtë pushtet. Është jeta e tyre e përditshme. Është çështje zemre, dhe nuk është një apo jo. Nuk besoj se njerëzit që janë në këtë pozitë kanë imagjinatën e nevojshme për të kuptuar se njerëzit e prekur janë me miliona.
Nuk besoj as që Tim Geithner (sekretari i Thesarit) apo Larry Summers (që drejton këshillin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë) do të preken nga filmi.
Ata do thoshin se ky apo ai detaj është i gabuar. Do kisha dëshirë ta shihte Joseph Stieglitz (ekonomist, Çmim Nobel). Më duket se ai e ka parë mirë mënyrën se si funksionon bota. Kam realizuar një dokumentar për Amerikën latine (Jugu i Kufirit, paraqitur në festivalin e fundit të Venecias) i cili tregon se si e ka drejtuar FMN-ja këtë planet.
Me sa shoh ata do të merren me zonën evropiane. Kjo është ajo që Stieglitz ka thënë gjithmonë, ne u kemi vënë kushte vendeve në zhvillim, një ditë do të duhet ata të na vendosin kushte neve.
Le Monde