Shkëndija elektrike djeg xhaminë e Mesmyselimit

ZJARRI/ Kujdestari i xhamisë e ka konstatuar zjarrin në orët e para të mëngjesit, teksa kishte hapur objektin për faljen e parë të ditës
SHKODËR - Është djegur plotësisht xhamia në fshatin Mesmyselim në komunën Postribë në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së diel dhe mendohet se shkak kanë qenë luhatjet e energjisë elektrike. Xhamia ndodhet në të majtë të rrugës që të çon nga Mesi në fshatin Mesmyselim, pasi kalon urën dhe kthehesh djathtas.
Sipas banorëve të këtij fshati, të cilët i përkasin besimit islam, xhamia ka qenë si objekt dhe pas rilejimit të ushtrimit të riteve fetare në fillim të viteve '90 ajo është rikonstruktuar me kontributin e banorëve të gjithë fshatit, ndërsa minareja është ndërtuar e re nga dy banorë të këtij fshati në gusht të vitit 2002. Xhamia ka qenë ndër më të bukurat në këtë zonë.
Zjarri është konstatuar rreth orës 04:00, kur kujdestari i saj ka ardhur për ta hapur dhe përgatitur për ritualin e faljes së parë të ditës. Siç tregon vetë Selë Rexha, kur ka ardhur të hapë xhaminë, ka parë zjarrin në katin e dytë të saj dhe ka lajmëruar menjëherë banorët përreth dhe zjarrfikëset.
"Sapo kam hapë derën, zjarri ka përfshirë gjithçka", shpjegon Rexha i cili shton se gjatë mbrëmjes së kaluar në të gjithë fshatin ka pasur luhatje të tensionit, madje dhe kur kanë bërë faljen e fundit në darkë.
Luhatjet e tensionit dhe disa ndërprerje të energjisë elektrike i pohojnë dhe banorë të tjerë të këtij fshati. Ardhja e dy zjarrfikëseve nuk ka mundur të shpëtojë asgjë nga objekti i kultit.
Policia ka deklaruar fillimisht se zjarri mund të jetë shkaktuar nga goditja e rrufesë, pasi në zonë ka pasur shi e vetëtima, por kjo është hedhur poshtë nga fakti se minareja nuk është djegur dhe ka pasur rrufepritës.
Fshati Mesmyselim me rreth 1500 banorë është një fshat i qetë dhe me besimtarë që e frekuentojnë rregullisht objektin e kultit ku dhe kryejnë ritet përkatëse. Duke parë xhaminë e djegur banorët nuk i mbanin lotët. Pranë saj janë varrezat, ndërsa shtëpitë janë disa dhjetëra metra më larg.