Shkodër, i sëmuri mendor vret vjehrrin

VRASJA/ Mikel Zefi ka qëlluar me mjete të forta në trup dhe në kokë vjehrrin e tij 77-vjeçar, teksa po bisedonin
Të afërmit tregojnë se 42-vjeçari kishte filluar të shfaqte probleme pas sëmundjes së të bijës dhe të birit
SHKODËR - Krimi brenda familjes me autor një person me probleme mendore që ka shkaktuar vdekjen e 77-vjeçarit Shan Preçi nga fshati Juban i komunës Gur i Zi në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në oborrin e banesës së viktimës Preçi, ndërsa ky po rrinte aty së bashku me dhëndrin e vet, Mikel Zefi, 42 vjeç, nga fshati Ganjollë i po kësaj komune.
Sipas policisë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se rreth orës 21:00 të së shtunës vjehrri dhe dhëndri po bisedonin në oborr, ndërsa befasisht 42-vjeçari i cili prej kohësh ka shfaqur probleme mendore, ka filluar të grindet me vjehrrin e tij. Mikel Zefi ka marrë një hekur në formë leve dhe e ka goditur disa herë në kokë e trup 77-vjeçarin.
Më pas ka ikur drejt banesës së tij në Ganjollë, ndërsa i dëmtuari është dërguar në spitalin e Shkodrës nga persona të tjerë të afërm të tij, ku me gjithë përpjekjet e mjekëve ka gjetur vdekjen rreth orës 06:00 të së dielës. Dhëndri vrasës është ndaluar nga policia në banesën e tij në fshatin Ganjollë.
Ngjarja ka tronditur banorët e Jubanit e Ganjollës, dy fshatra këto pranë njëri- tjetrit. Në banesën e viktimës, 77-vjeçarit Shan Ndoc Preçi, aty ku ka ndodhur dhe ngjarja, të afërmit nuk kanë dëshirë të flasin për atë që ka ndodhur, ndërsa pritet ardhja nga Italia e fëmijëve të viktimës, tre djem dhe vajza, e cila është dhe gruaja e autorit.
Mësohet se autori Mikel Zefi prej disa kohësh ka shfaqur probleme mendore që janë shoqëruar dhe me veprime të dhunshme. Sipas të njohurve në tij në fshatin Ganjollë, 42-vjeçarit që vrau me mjete të forta vjehrrin e tij, problemet i kanë nisur pasi u sëmur vajza e tij e mitur.
E bija e autorit të ngjarjes ndodhet për kurim në Itali së bashku me nënën e saj. Të njohurit tregojnë se fëmija është sëmurë me sëmundje gjaku, është mjekuar gabim në Tiranë dhe me ndihmën e murgeshave është dërguar për mjekim në Itali, aty ku ndodhen dhe dajat e saj.
Përveç sëmundjes së vajzës, edhe njëri prej dy djemve të Mikel Zefit është sëmurur dhe ai e ka dërguar tek vjehrri i tij Shan Preçi, për ta mbajtur e kujdesur. Të gjitha këto kanë shkaktuar depresion tek 42-vjeçari, i cili në momente të caktuara ka shfaqur agresivitet edhe ndaj familjarëve të tij në Ganjollë.
Gruaja e tij, Vjola, njëkohësisht edhe vajza e viktimës ndodhet në Itali, dhe së bashku me vëllezërit e saj pritet që të kthehen për të përcjellë në banesën e fundit babanë e vrarë nga bashkëshorti i saj. Viktima ishte baba i katër fëmijëve të rritur, tre djemve dhe një vajze.
Nuk është rasti i parë që persona me probleme mendore shkaktojnë viktima e dëmtime në qarkun e Shkodrës. Më 02 tetor të vitit 2006 një 26-vjeçar i sëmurë mendor në fshatin Ashtë të Shkodrës mbyti dhe dogji nënën e tij 60-vjeçare; në vitin 2005 një 18-vjeçar në fshatrat e Pukës, i sëmurë mendor, mbyti gjyshen e tij.
Nuk kanë munguar as rastet kur personat e sëmurë mendorë kanë dëmtuar banesat duke u vënë flakën apo të afërmit duke i goditur apo tentuar t'i djegin.