E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk i takoj qytetërimit të gënjeshtrës

AGIM VINCA

Shkrimi i Bujar Hudhrit, Kur një përçarës troket në derë si mik, i botuar te Panorama më 23 nëntor 2011, është i shkruar aq keq dhe aq ngatërrueshëm, sa lirisht mund të thuhet se nuk është i denjë për përgjigje. Nuk do ti përgjigjesha këtij shkrimi diletant, që ska as bisht, as krye, po të mos ishin, megjithatë, nja dy-tri gjëra që u duhen sqaruar lexuesve. Bujar Hudhri më quan përçarës, njeri që nxitkam përçarjen mes intelektualëve të Kosovës dhe të Shqipërisë! Është një akuzë e rëndë, që ska të bëjë fare me të vërtetën dhe që vetëm një njeri i papërgjegjshëm mund ta shqiptojë publikisht. Në shkrimin tim E vërteta për takimin me Kadarenë, në të cilin kam folur gjerësisht për takimin me shkrimtarin Ismail Kadare në verë të vitit 2005, takim që është paraqitur në mënyrë krejtësisht të shtrembër në librin me kujtime të zonjës Kadare, kam thënë se nuk kam shkuar te Kadareja me mision pajtimi, pra jo për ta pajtuar atë me Qosjen, siç spekulohet, por kam theksuar gjithashtu, më se një herë, se e konsideroj të panevojshme e madje edhe të dëmshme përplasjen mes dy njerëzve të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare.
Por kjo nuk i mjafton zotit Hudhri, që ashtu kuturu, si të fliste jerm, ta përsërisë akuzën e të qenit tim përçarës, ngaqë, sipas tij, paskam mundur të ndikoj në pajtim, por nuk paskam dashur, sepse qenkam nga ai soj njerëzish që i gëzuakësha përçarjes!
Se është krejt e kundërta, do ta dëshmoj duke cituar një shkrim timin të shkruar dhe të botuar në shtypin e Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit në vitin 2006, pra në kohën kur as që më ka shkuar mendja se do të vijë dita të polemizoj për këtë çështje me dikë dhe aq më pak me Bujar Hudhrin e Onufrit, me të cilin më lidh njëfarë miqësie që nga fillimi i viteve 90.
Shkrimin tim me titull Kadareja, Qosja dhe ne të tjerët, që lindi në kohën kur debati Qosja-Kadare për çështjen e identitetit ishte në kulmin e tij, e mbyllja me këto fjalë: Autori i këtyre rreshtave, si njeri që e çmon lart veprën e të dyve dhe që asaj vepre i ka bërë mjaft shërbime, është përpjekur, me mundësitë e tij, ta pengojë përplasjen mes dy të mëdhenjve të letrave shqipe, me të cilët ka marrëdhënie korrekte e miqësore (veçanërisht me Qosjen), por nuk ka pasur sukses. (Përveç të tjerash, edhe për shkak se shumë të tjerë, duket, andej e këndej kufirit, kanë bërë të kundërtën: i kanë fryrë zjarrit!). Dhe jo për tjetër, por për shkak se e konsideron të dëmshme këtë luftë për letërsinë dhe kulturën shqiptare, përkatësisht për klimën e marrëdhënieve kulturore në relacionin Tiranë-Prishtinë, në të cilën ajo domosdoshmërisht ndikon.
Kadareja dhe Qosja kanë miq të ndryshëm, por armiqtë i kanë, pak a shumë, të përbashkët. Të tillë janë në radhë të parë smirëzinjtë dhe mediokrit, që slënë gjë pa bërë për të zhvleftësuar çdo vlerë dhe për të rrënuar çdo autoritetet moral e shpirtëror.
Pas kësaj që ndodhi ditëve të fundit a mund të shpresohet për një rivendosje të paqes mes këtyre dy krijuesve, në mos sot, në një të nesërme jo shumë të largët? E vështirë, por jo edhe e pamundur.
Konica dhe Noli kanë pasur, siç dihet, shumë përplasje midis tyre, herë-herë, madje, edhe tejet të ashpra e fyese, por, megjithatë, kanë gjetur forcë që të ngrihen përmbi to dhe tia falin mëkatet njëri-tjetrit. Duke u nisur nga ky fakt, Konica do ta krahasonte Nolin dhe veten me heronjtë e Homerit, të cilët, njëherë shkëmbejnë fjalë të ashpra, pastaj bashkohen, si më parë. Edhe atëherë kur pikëpamjet politike i ndanin, ata i bashkonte dashuria e madhe për artin dhe kulturën, si dhe për gjuhën në të cilën shkruanin.
A do të gjejnë forcë Kadareja dhe Qosja ose, vice versa, Qosja dhe Kadareja që të ngrihen në lartësinë e Nolit dhe të Konicës, apo do të katandisen në nivelin e Kapllanit (Resulit), mbetet të shihet në të ardhmen?
Kjo varet, në radhë të parë, nga ata vetë, por edhe nga ne të tjerët në njëfarë mase po.
(Shih: Agim Vinca, (Po)etika e fjalës, Ars ZZ, Tetovë 2010, f. 392)
Ja, pra, se çpaskam menduar dhe përse qenkam angazhuar unë në vitin 2006! Tingëllon përçarës ky qëndrim? Duket i tillë? Është krejt e kundërta e asaj që thotë Hudhri në hurdhën e tij në formë replike, thuajse nuk e di kuptimin e fjalës përçarje në gjuhën shqipe.
Që unë hyj tek ata që kanë dashur ta shmangin konfliktin Qosja-Kadare dhe përplasjet e tjera të ngjashme, Bujari e di mirë. Edhe Zeusi Kadare, besoj, e di. Edhe zonja Kadare gjithashtu. E dinë edhe shumë të tjerë, krijues e intelektualë me emër dhe lexues anonimë, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Këtë qëndrim kam mbajtur unë edhe në takimin e vitit 2005 dhe vazhdoj ta mbaj edhe sot, pavarësisht nga të gjitha. Dhe jo për tjetër, por ngaqë kjo sjellje është pjesë organike e formimit tim intelektual e shpirtëror dhe e karakterit tim njerëzor.
Kur jemi këtu, të shtojmë se, ndryshe nga çpohojnë Helena e Bujari dhe, natyrisht, edhe vetë kryepersonazhi i librit Kohë e pamjaftueshme, i quajtur Is në faqet e tij, Qosja dhe Kadareja nuk u prishën në 97-n dhe as për shkak të 97-s. Jo. E vërteta është krejt tjetër nga çe paraqesin ata, secili veç e veç dhe që të tre së bashku. Prishja ndodhi shumë vjet më vonë dhe, më shumë sesa për arsye parimore, për motive të tjera, në radhë të parë për shkak të kapriçove të njërit dhe të tjetrit. Se është kështu do ta dëshmoj jo me një, por me dy shembuj konkretë e të pakontestueshëm.
Në korrik të vitit 1998, pra më se një vit pas ngjarjeve të 97-s, në Tiranë, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, u bë përurimi i librit Kombi. Rrugët e bashkimit kombëtar, në të cilin qenë marrë opinionet e rreth njëzet intelektualëve shqiptarë, përfshirë edhe vogëlsinë time, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Kishin ardhur socialistët në pushtet, pas revolucionit të vonuar demokratik dhe Qosja e Kadareja ishin bashkë jo vetëm në tribunë, por edhe në ndeja, dreka, darka e gjetkë. Dhe jo një orë a dy, por dy-tri ditë të gjata e të nxehta vere.
Një vit më vonë, në nëntor 1999, u mbajt në Prishtinë Panairi i parë i Librit pas çlirimit të Kosovës. Në atë panair mori pjesë, si i ftuar i nderit, edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, tok me zonjën e tij, po ashtu shkrimtare, Elena Kadare, si quhej atëherë (pa h). Me atë rast, në mjediset e Panairit, u bë promovimi i librit Ra ky mort e u pamë. Për librin foli, sipas marrëveshjes së bërë një natë më parë, Rexhep Qosja. Fola edhe unë si i paparaparë, për të mos dështuar promovimi, duke marrë përgëzime nga autori. Pati edhe ndonjë fjalë tjetër, por kjo ska rëndësi. Rëndësi ka që aty ishte, madje në kryesinë e punës, pos autorit të librit, Kadaresë, edhe botuesi i tij, Bujar Hudhri. Kishte edhe shumë të tjerë, shkrimtarë, gazetarë, botues etj., pa llogaritur organizatorët e Panairit dhe publikun e shumtë, që ndiqte me vëmendje gjithë sa ndodhte. Kishte dy vjet e gjysmë që kishte ndodhur 97-a dhe Kadareja me Qosjen ende flisnin bashkë. Mund të thuhet, madje, se ishin shumë të përzemërt me njëri-tjetrin, më të përzemërt se kurrë ndonjëherë më parë. Thirri pak kujtesës, Bujar! Mos i ngatërro gjërat, ngjarjet, datat, detajet, sepse kështu, me ngatërresa, gënjeshtra e pështjellime, të vogla e të mëdha, nuk bëhet historia.
Bujar Hudhri, në shkrimin e tij çapraz, të shkruar si me këmbë, përmend kodin e mikpritjes e të mirësjelljes, duke më quajtur mua, poetin A. Vinca, si thotë ai, në hidhërim e sipër, njeri të paqytetëruar! Shkrimi i tij me titull Kur një përçarës troket në derë si mik, hapet me fjalën përçarës dhe mbyllet me fjalën: i paqytetëruar. E para është akuzë, me të cilën reaguesi dëshiron të më diskualifikojë si intelektual (përçarës i kulturës kombëtare), kurse e dyta fyerje me të cilën tenton të më njollosë si njeri (njeri i paqytetëruar). Aferim, Bujar aga, aferim! Po çkupton ti me fjalën qytetërim? Në qoftë se me qytetërim kupton hilen, intrigën, gënjeshtrën, mashtrimin, baltën dhe hurdhën, atëherë unë pranoj të jem i paqytetëruar.
Sikush ka formimin e vet kulturor dhe karakterin e vet njerëzor, ashtu siç ka edhe

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›