E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Europian përqendrohet tek rritja ekonomike

27-11-2011 / Nga Ilirian Dahri

Pas komentit të gazetës “Financial Times” mbi situatën në Itali  - por që në veçanti fliste dhe për qeverinë teknike të Montit - situata pas largimit të Silvio Berluskonit nuk është nga më të mirat në vendin fqinj të Italisë. Kritikave të Financial Times i është përgjigjurXhanfranko Fini në një intervistë të tij ku ndër të tjera ka theksuar se «Brenda javës që vjen do të mbërrijnë edhe masat tashmë të njohura. Nuk ka mjegull por gjërat duhen bërë mirë dhe jo shpejt, prandaj duhen edhe disa ditë». Në fakt gazeta e lartpërmendur theksonte se «Ndërsa të gjithë presin se ku do të bjerë sopata e bilancit, nuk janë akoma të qarta masat emergjente të planifikuara». Në këtë situatë të krijuar, Olli Rehn, zv/president i Komisionit Europian dhe Komisar për Çështjet ekonomike dhe monetare, ka dhënë doza pesimizmi duke kujtuar se e ka dashur gjithmonë kulturën italiane. Në fakt Komisioni i Bashkimit Europian, ka marrë përsipër detyrën për të parë masat që do të ndërmerren nga Italia të cilat do të referohen në Eurogrup që do të mblidhet të martën e ardhshme. Sidoqoftë Europa kërkon nga Italia rritje ekonomike dhe barazi shoqërore dhe e bën këtë nëpërmjet Olli Rehn i cili ka saktësuar sakaq objektivat e Italisë: «Ka përpara saj sfida të jashtëzakonshme, edhe për dobësi të hershme. Përveçse konsolidimit të bilancit, janë të nevojshme masat për rritjen ekonomike, duke garantuar barazi shoqërore. Për vende si Italia, nuk ka rrugë tjetër përveçse asaj të reduktimit të raportit debi –Gdp. Por në Itali janë të nevojshme edhe reformat strukturore për të nxitur rritjen». Sidoqoftë kriza tashmë është përhapur në të gjithë zonën euro dhe si rrjedhojë edhe problemet shoqërore janë të shumta. Kriza e debisë sovrane tashmë po përhapet nga vendet periferike në ato qendrore të Bashkimit Europian. Duket se rritja e qëndrueshme ekonomike - si pasojë edhe e krizës globale - ka mbetur në atë të vitit 2009. Egziston ende frika e papunësisë tek të rinjtë e Bashkimit Europian. Ndërkaq disa ditë më parë  edhe kancelarja Merkel dhe presidienti Sarkozi kanë dhënë mbështetjen e tyre për Italinë disa ditë më parë. Ndoshta nisur edhe nga fakti që Monti kishte garantuar se Italia do të kryente detyrimet e saj. Madje në fund të takimit presidenti francez kishte shtuar se: «është vullneti ynë, i imi dhe i Merkel – it që të mbështësim Italinë e Mario Montit. Monti na ka ftuar në Romë për të vazhduar diskutimin tonë dhe ne do të shkojmë atje me shumë gëzim». Pritet një bashkëpunim më i ngushtë me Gjermaninë dhe Italinë nga pala franceze. Por edhe kancelarja gjermane i ka uruar qeverisë së re italiane një fillim të mbarë. «I uroj Monti – t një sukses të madh sepse ka përpara tij një punë të madhe». Gjithsesi sipas Merkel – it masat e qeverisë italiane duken impresionuese.  «Italia do të barazojë bilancin në vitin 2013 dhe do të paraqesë përmirësime vitin që do të pasojë» - është shprehur presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, duke shtuar se duhet të «bëhën shumë përpjekje për shkak të stokut të lartë të debisë». Sidoqoftë kjo duhet të vijë nëpërmjet një rritje ekonomike dhe ndoshta nuk është çështje e realizimit ose jo të bilancit në vitin 2013. A do të ecë në tërësi ekonomia europiane dhe ajo globale? Vendet europiane janë vendosura për të mbështetur me vendosmëri monedhën euro. Por presidenti i ri i Këshillit të Ministrave ka kujtuar se është në favor të penalizimit të vendeve që nuk respektojnë Paktin e Stabilitetit, (si në vitin 2003), kur vetë vende si Franca dhe Gjermania e kishin shkelur këtë pakt. Por duket se disa gjëra duhen ndryshuar. I këtij mendimi ka qenë edhe presidenti francez Sarkozi, sipas të cilit dy vendet (Franca dhe Gjermania) në ditët e mëvonshme do të bëjnë propozime konkrete duke pasur si objektiv një integrim më të madh të politikave ekonomike europiane Sidoqoftë objektivi është rritja ekonomike sepse vetënm në këtë mënyrë problemet e tjera fillojnë dhe pakësohen. Ndoshta për t’i dhënë një stabilitet radikal eurozonës por edhe vendeve përreth saj do të ishte i domosdoshëm një bashkim fiskal. Sipas shtypit Italian lideri i Lidhjes së Veriut, Umberto Bosi nuk ka qenë shumë entuziast për takimin mes Montit, Merkel dhe Sarkozisë. Disa të tjerë thonë se vetë Berluskoni është shprehur se këto takime ishin programuar ndërkaq prej kohësh mes qeverisë italiane  dhe Europës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›