E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Kurbanit, fjalimet socialiste i janë nënshtruar eksperimentit të Pavllovit

27-11-2011 / Redaksionale

Kur Edi Rama është jashtë Shqipërisë, për ndonjë arsye jo politike, në vend ka një qetësi dhe një paqe të paparë. Si duket, ai ushqen një konflikt permanent në teatrin politik, një tension social të ethshëm që shtyn qytetarët të konsumojnë energjitë e tyre në debate të pafund shterpë. Provokimet mediatike janë bërë të shpeshta që pas 8 majit, pasi Rama humbi kolltukun e kryetarit të Bashkisë. Kësisoj ka gjetur kohë të lundrojë jo vetëm në internet, por dhe në kontinentin Europian. Dhe jo pa incidente, siç ishte shoqërimi i tij në policinë e Romës për prishje të rëndit publik.
Kurse para dy ditësh ai ishte në Bruksel ku raportoi kokë ulur përballë Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Z. Stefan Fule. Dhe nënkuptimi i atij takimi, ishte fakti që Rama kish pranuar se ishte lojtari që luante kundër skuadrës së tij kombëtare. Por dy ndërkombëtarët u stërmunduan duke i thënë të hiqte dorë nga agjenda radikale e rrugës dhe të hynte në parlament për t’u bërë pjesë e reformave për integrimin Europian të Shqiptarëve. Për 24 muaj Edi Rama bëri të kundërtën e këshillave të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke bojkotuar për 6 muajin parlamentin, duke bërë protesta anekënd, dhe organizuar bllokime të akseve nacionale, si dhe organizimin e fushimit të grevës së urisë në bulevard,  po kështu në bulevard organizoi njerëzit me “agjendë tjetër - sipas ambasadorit Arvizu” në demonstratën e dhunshme të 21 janarit, ku humbën jetën 4 të panafakë teksa kreu i PS-së gjerbte kafe tek kulla e Fidelit.
Kuptohet vetiu, atij i duhej një kauzë më e fortë sesa hapja e kutive, dhe gjeti gjakun për të larë duart me një kauzë fiktive, për të mbajtur skeptrin e kryetarit të Partisë Socialiste, që simbas Statutit, pika 28., duhej të jepte dorëheqjen. Ai krijoi alibinë e vjedhjes së votës për të sunduar mendjet dhe shpirtrat e hutuar socialiste. Ia doli të mbante fronin gjatë një Kongresi teatral ku kundërshtar kish një vartës, Maqo Lakrorin, një njeri i urtë, i butë, që s’prishte punë, dhe si një qengj që në vend që të fliste blegërinte. Të vetmit që dolën kundër ishin katër musketjerët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe Arben Malaj, që sot 2 vjet më pas kanë tradhtuar njëri-tjetrin dhe parimet e demokracisë së brendshme për arsye materiale, duke lidhur një “paqe të heshtur” me autokracinë e Ramës. Janë dobësuar aq shumë zërat kundër brenda PS-së saqë u duhet një amplifikator për t’u dëgjuar.
Sido që të jetë, Edi Rama pas një pune të palodhshme ia ka dalë ta tjetërsojë në thelb Partinë Socialiste dhe ta shpërfytyrojë krejt opozitën në sipërmarrjen e pushtetit. Çuditërisht njerëzit e opozitës sot kanë për program politik një sprovë publicistike, Kurban-programin, për të cilin ka një angazhim total të strukturave të PS-së në rrethe, për ta konspektuar dhe përtypur sikur të ishte “gjella e shën Mërisë”. Në krye të këtij operacion manipulim-simulimi të ndërgjegjes kolektive për gati një muaj Edi Rama gjezdis nëpër Shqipëri dhe dje ishte në Prishtinë për të propaganduar të pavërtetat, që kanë dalë sheshit. Deputetët socialistë të hutuar në maksimum nga paaftësia e kryetarit të tyre për të pasur një koherencë politike janë të detyruar të sajojnë forma verbale pa përmbajtje. U pa gjatë fjalimeve në Kuvend për Buxhetin 2012, që Partia Socialiste me një diletantizëm të theksuar propozonte veçse ndërhyrje ideologjike, krejt si në një paradë, ku frazat i ishin nënshtruar më parë eksperimentit të Pavllovit, pra daljes nga stomaku i Kurbanit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›