Nuk justifikohet bojkoti me trukun e standardeve ideale
Ndërkombëtarët i përcaktuan zgjedhjet si një sukses i prekshëm. Pretekstet e Ramës i mori lumi. Vlerësimi për procesin zgjedhjet s’paskësh qënë “individual”. Kërkesat e monitoruesve qënkëshin plotësuar. Ramës iu tha pështyma. Si delirant, u sul t’i qahej Europës. I treguan bërylin. Bojkoti po dilte një bllof. Elektoratit socialist iu skuq faqja. I mbetur si peshku pa ujë, Rama modifikoi pretekstin. Duhej lexuar Raporti me kokë poshtë. I mjaftonte edhe një vërejtje. Të metat duheshin shpallur si skandal. Edhe kur ishin vetëm si një përjashtim, që forconte rregullin, suksesin. Ndaj demagogu s’u dorëzua. Nuk e lëpiu atë që kishte pështytur. Nuk hoqi dorë nga shpifja. Duhej mbuluar dielli qoftë edhe me shoshë! Duheshin “justifikuar” kushtet e bojkotit. I duhej një bisht i ri gënjeshtrës. Halli i tij nuk qe i thjeshtë. Raporti i OSBE-ODIHR-it ishte objektiv, i paanshëm dhe konstruktiv. Duhej sajuar një truk tjetër, më i hollë. Ndryshe bojkoti kthehet në bumerang. Duhej “kapëcyer” deti i vlerësimeve pozitive me varkën e sajesave të reja. Duheshin kërkuar standarte sa më ideale, imagjinare, fantastike ! Duhen ngritur kalara nga hiçi! Dhe Rama tha me vete: “Nga ferra e vogël del shpesh lepuri i madh!” Nga një shkelje e papërfillshme, mund të sajohet dhe një manipulim skandaloz. Dhe barazoi “vlerësimin” e lartë e pozitiv të Raportit me nihilizmin e tij prej ambiciozi antikombëtar. Dhe zbuloi atje “thelbin” mohues të atij monitorimi rigoroz. Mashtruesi, pra, e gjeti kështu shtegun për të dalë nga “çarku”, ku kishte futur veten. Bëri të bardhën të zezë. Dhe me sofizma e komentoi “Raportin” si pro bojkotit të tij të turpshëm. Vështirë ta poshtërojë njeriu më keq veten. Sidomos para personaliteteve, që nuk kishin konstatuar një fakt manipulimi. Vetëm një humbës, i sëmurë nga dëshpërími, mund të sajojë fantazmagorí të tilla. Vetëm një i paskrupullt mund të vërë në dyshim organizma prestigjioze të pavarura, që peshojnë me kandar floriri edhe veten e tyre. Por befas Ramë entusiasti ngeci. Iu kujtua se monitoruesit ndërkombëtarë nuk e miratonin bojkotin. Rekomandonin “luftën” në parlament. Jo atë të rrugës. Atëherë, ç’të bënte? Të ngrihej kundër gjithë botës, siç bëri “qoftëlargu” me “fenerin ndriçues”? Të akuzonte komisionerët e tij, që kishin firmosur si të rregullt gjithë procesin zgjedhor? Apo ta fillonte sulmin me KQZ-në ? Po dhe atje anëtarët socialistë kishin votuar unanimisht rezultatin përfundimtar !? Ku të mbështetej? Të kapej pas ankimimeve? Ato kishin qënë më të pakta se në çdo proces tjetër zgjedhor. T’ua ngarkonte fajin rebelëve brenda partisë së tij? Ç’të bënte Rama, kur edhe Kodin Zgjedhor e kishte propozuar vetë? Edhe gjithë strukturat gjykuese zgjedhore i kishte caktuar me konsensus? Raporti i bërë publik priste gjykimin e Ramës, siç pret toka e tharë shiun e verës. Dhe Rama shtrydhi gjithë arsenalin e dinakërisë e, më në fund, gjeti një mënyrë për t’i ikur turpit të bojkotit të dështuar. Shpiku, pra, një truk të ri. Dhe deklaroi haptas se gjoja e paskësh hallin te zgjedhjet e ardhshme. “Duhet djegur jorgani për një plesht! - tha. T’i mohojmë këto zgjedhje që të bëjmë të tjerat më mirë. Të asgjësojmë vlerat e krijuara, në emër të atyre që mund të krijojmë. Hajduti i “penduar” po angazhohej se nuk do të manipulonte më. Nuk do të vidhte më vota. Nuk do të përdorte lista false dhe nuk do të vriste komisionerë të kundërshtarit. Betohej! Vetëm këto zgjedhje të mos quheshin të pranueshme. Këto zgjedhje të çmoheshin si të manipuluara, edhe sikur të jenë më të mirat e zhvilluar në Shqipërí. Kjo ishte një tërheqje taktike për të sulmuar suksesin e arritur. Qëllimi ishte për të motivuar bojkotin. Për t’u rizgjedhur vetë kryetar. Se si mund t’u shpëtojnë ai dhe skalionet e krimit akuzave për aferat e tyre të paligjshme? Si? Pa u vënë në dyshim legjitimiteti i parlamentit, i qeverisë dhe gjithë institucioneve? Shkurt, duhet mohuar e tashmja e rrezikuar për një të ardhme të siguruar! Ndryshe socialistët mund ta dërgojnë Ramën të ruajë pulat. Po a ruhen dot pulat?...
Ndërkohë të gjithë e kuptuan se Rama e kishte lexuar me tmerr këshillën asgjësuese të Raportit të OSBE-ODIHR-it ndaj tij. Taní të githë e kishin kuptuar dredhinë e re të Ramës. Të gjithë e panë këtë manovër si përpjekjen e fundit të një të mbyturi, që tenton të shpëtojë, duke u mbajtur te flokët e vet. Dhe nisën ta rilexonin “Raportin”. Por, sa më shumë thelloheshin në domethënien e tij, aq më tepër bindeshin se Shqipëria, për botën e qytetëruar, kishte bërë progres të dukshëm. Madje, asaj taní i qenë çelur dyert e aderimit në strukturat euroatlantike. Kurse Rama priste i pikëlluar të binte ndonjë kockë nga qielli. Dhe “misionari” kërkoi të futej në rolin e një fallxhori. Të parashihte mrekullira. Ta përfytyronte veten kryetar, ndërkohë që Shqipëria të dënohej për zgjedhje të manipuluara. Të dënohej Shqipëria e vuajtur pse arriti të zhvillojë zgjedhje të sukseshme. Madje, nën kthetrat e “skifterëve” socialistë. Nën trysninë e miliarderëve socialistë, që për interesa personale, hedhin në greminë edhe të ardhme e fëmijëve të sovranit. Taní gati gjithë socialistët e ndershëm qenë bindur se Raporti i ndërkombëtarëve dënonte bojkotin dhe bekonte si legjitim parlamentin, qeverinë, të gjitha institucionet kushtetuese. Se jo shpesh bota e qytetëruar ka dhënë të tilla vlerësime, madje, dhe për vende me përvojë të gjatë në organizimin e zgjedhjeve. Kurse Rama, që ka fituar disa zgjedhje me minipulime, endé nuk beson që kundërshtari të ketë rrezikuar fitoren e vet për të arritur standartet. Populli thotë “Nuk zbret gjithmonë shtamba pa u thyer në lumë!”. Kurse shqiptarët, e gëzuar nga arritjet e këtyre zgjedhjeve, thonë: “Nuk e fsheh dot Rama lakminë e tij cinike për pushtet absolut duke u larë në ujrat e pista të Lanës së betonuar!...