E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabineti “Berisha 2”, kabineti i ëndrrës “Shqipëria si Evropa”

Merr bekimin në parlament dhe nis nga puna zbatimi i programit të qeverisë së re, programi që do përmbyllë përpjekjet për përmbushjen e aspiratës “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Investimet në infrastrukturë, rritja e mëtejshme e pagave dhe e pensioneve, reformat ekonomike, revolucioni fiskal dhe lufta kundër kancerit të korrupsionit do mbyllin aksionin e Shqipërisë që po ndryshon, për të mundësuar anëtarësimin e plotë në BE, në fund të katërvjeçari qeverisës

Është votëbesuar në parlament qeveria e re “Berisha 2” me mbështetjen unanime të 74 deputetëve të mazhorancës, të pranishëm në kuvend. Kryeministri Sali Berisha, përmes një raporti të gjatë, renditi prioritetet dhe objektivat e qeverisjes në katër vitet në vijim. Berisha u fokusua kryesisht në përmbushjen e reformave që do ta afrojnë vendin me Bashkimin Evropian, investimet në infrastrukturë, rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve, reformat ekonomike dhe revolucionin fiskal, liberalizimin e vizave me BE-në brenda vitit të parë të mandatit të dytë dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE, në fund të katër vjeçarit.
Shefi i ekzekutivit, e cilësoi kabinetin e ri qeveritar si formacionin e përmbushjes së detyrimeve dhe mbajtjen e premtimeve përballë votuesve shqiptarë, të cilët votuan PD-në dhe mazhorancën e djathtë politike, gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.
Berisha u shpreh se kryefjala e kësaj qeveria do të jetë ndryshimi që qytetarët presin. “Votuesit shqiptarë, në lartësinë e integritetit dhe dinjitetit që përfaqsojnë votuan këtë qeveri. Unë përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë, që midis ndryshimit të pushteti dhe Shqipërisë, votuan ndryshimin e Shqipërisë, projektin e Shqipërisë Evropiane”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës, që të rikthehet në parlament, në mënyrë që të vijohet realizimi i reformave dhe bashkëpunimi i mëtejshëm pozitë-opozitë, për çështjet me interes kombëtarë.
Më pas, gjatë diskutimeve të lira, e morën fjalën ministrat Ilir Meta, Ridvan Bode, Lulzim Basha, Majlinda Bregu, Genc Pollo, Dritan Prifti, Myqerem Tafaj, Petrit Vasili, etj,. të cilët shpalosën objektivat dhe prioritet e dikastereve që mbulojnë, për katë vitet qeverisëse.
Gjithashtu, edhe deputetë të pranishëm të PD-së dhe mazhorancës, morën fjalën gjatë seancës, shprehën vullnetin e tyre, për zbatimin e detyrimeve elektorale, realizimin e reformave, miratimin e ligjeve të rëndësishme për vendin dhe për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në.
Gjithashtu, deputetët e mazhorancës dënuan bojkotin e opozitës, duke e akuzuar Edi Ramën si autoritar dhe se e ka kthyer PS-në në parti të rrugës. “Do të donim dhe shpresonim që në këtë sallë të ishte sot e pranishme edhe opozita, pavarësisht se e dimë që ata nuk do të vinin këtu për të na përkëdhelur ne dhe qeverinë, tha ndër të tjera në fjalën e vet, Astrit Patozi, kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Por më mirë të dëgjonim akuza dhe sulme të ekzagjeruara, më mirë të hidhëroheshim pak nga teprimet e deklaratave politike, sesa të rrinim ‘të qetë’ nga memecllëku i tyre absurd. Ne shprehim keqardhjen e thellë për këtë pengmarrje të Partisë Socialiste nga një individ që është në hall. Por sado i madh qoftë halli i një njeriu, ai nuk mund të marrë zvarrë fatin e një force të madhe politike, sepse opozita është institucion i pazëvendësueshëm. Ata nuk vijnë për ne në Parlament, por për të bërë detyrën e tyre ndaj zgjedhësve të vet. Ne, as na takon, dhe as mund ta bëjmë dot rolin e opozitës. Sot është një ditë e veçantë edhe për një gjë tjetër, vijoi deputeti Patozi. Sepse për herë të parë në Shqipëri e djathta dhe e majta qeverisin bashkë dhe se kjo risi, sipas të gjitha gjasave, është qartësisht në të mirën e vendit. Për herë të parë demokratët dhe socialistët, ata që jo vetëm e kërkojnë, por edhe punojnë e luftojnë për integrimin e vendit të tyre, do të jenë njësoj të përfaqësuar në kabinetin, që ne do të votojmë bashkarisht sot. Do të ishte hipokrizi po të thonim se ishte ky synimi ynë para zgjedhjeve, sepse në fakt e kemi menduar dhe deklaruar ndryshe atë që prisnim nga 28 qershori, por është tërësisht e vërtetë se ne e lexuam me shumë pjekuri, realizëm dhe pa asnjë dilemë dhe mëdyshje vendimin e sovranit”. Në seancë e morën fjalën edhe deputetë të tjerë, si Edi Paloka, Mesila Doda, Mark Marku, Genti Strazimiri, Flamur Noka, etj, të cilët theksuan ndër të tjera se roli i opozitës është i rëndësishëm dhe se prania në parlament është një domosdoshmëri dhe përgjegjësi morale për ligjvënësit e zgjedhur nga vota e popullit.
Pas votëbesimit në parlament (dhe betimit sot, para presidentit të Republikës), mund të thuhet se kabineti “Berisha 2” nisi edhe formalisht nga puna për zbatimin e programit të ri qeverisës, për katër vitet në vijim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›