E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik e gjen Hingën me shkollë gërmadhë

17/09/2009  Shkolla ende me bankat e para 30 vjetëve, vendoset të dërgohen nxënësit në një stallë

BERAT- Shkolla e fshatit Hingë vazhdon të jetë në të njëjtat kushte si një vit më parë për arsyen se godina është tejet e amortizuara dhe e pabanueshme. Po të njëjtin fat kanë këto shkolla edhe për sa i përket pajisjes me mjete arsimore didaktike si dhe pajisje të tjera të komoditetit, të cilat plotësojnë kuadrin e zhvillimit normal të mësimdhënies. Por ndërsa vjet prindërit dhe mësuesit jepnin alarmin për shembjen e kësaj godinë si dhe paralajmërimin se nuk do i çonin fëmijët në shkollë nga frika, sivjet është marrë një zgjidhje pak a shumë e njëjtë, nxënësit do të bëjnë mësim në një stallë të fshatit.

Shkolla

Sipas përfaqësuesve të shkollës, godina dykatëshe e ndërtuar 30 vjet më parë nuk është rikonstruktuar as njëherë gjatë kësaj periudhe dhe për pasojë muret e saj janë çarë, ndërsa suvaja ka rënë e gjitha në dysheme. Soleta e shkollës pikon e gjitha dhe se më parë janë detyruar që të zhvillojnë mësim duke e mbuluar me plastmasë çatinë. Ndërkohë shkollës i mungojnë edhe dyert e dritaret si kasa pasi për xhama as që bëhet fjalë. Shkolla e fshatit Hingë në pamje të parë i ngjan një stalle apo magazine plehu. Panorama e saj ofron mure të çarë pa dyer e pa dritare me bankat e kohës të sistemit komunist të viteve 1970 e papajisur me mjete të tjera shkollore dhe pa kushte të përshtatshme. Oborri i shkollës këto ditë gjallon nga nxënësit dhe prindërit e tyre që po marrin tekstet shkollore, por të vegjlit më shumë duken të brengosur për fillimin e këtij viti shkollor. Ndërsa prindërit shprehen të shqetësuar për vendin ku do të mësojnë fëmijët e tyre.

Që nga ndërtimi i saj në vitin 1980 shkollës nuk i është bërë asnjë rikonstruksion. Drejtuesit e kësaj shkolle me qindra herë kanë bërë relacione në Drejtorinë Arsimore, në pushtetin lokal në Ministrinë e Arsimit, por ende deri tani nuk është marrë asnjë masë qoftë edhe për riparimin e saj të pjesshëm për të krijuar të paktën kushtet minimale të zhvillimit të procesit mësimor të këtij viti. Janë 230 nxënës të kësaj shkolle dhe prindërit e tyre që edhe pse po vazhdojnë të marrin librat kanë deklaruar se janë skeptikë nëse do t’i dërgojnë fëmijët e tyre për të vazhduar mësimin në shkollën në fjalë. Vite më parë kjo shkollë ka pasur 450 nxënës, por nga kushtet e këqija të godinës si dhe të mos pasjes të saj me mjete mësimore duke filluar që nga bankat nxënësit janë larguar në shkolla të tjera.

Vendorët

Shumë kërkesa për rikonstruksion, asnjë reagim

Meleq Lina, kryetari komunës Poshnje që ka në juridiksionin e saj edhe shkollën në fjalë, tha për gazetën se ka më se tre vjet që ka këmbyer një korrespondencë letrash dhe gojore duke trokitur e dërguar letrat në instancat e larta të shtetit nga Drejtoria Arsimore e qarkut të Beratit deri tek Ministria përkatëse, ajo e Arsimit, por sipas tij deri tani nuk është bërë asgjë duke mbetur vetëm në kuadrin e premtimeve. “Me kërkesën tonë kanë ardhur me dhjetëra ekipe për të parë aktualisht godinën e shkollës të fshatit Hingë, por që deri tani edhe pse kanë pohuar vërtetësinë e shkatërrimit të kësaj shkolle nga amortizimi i viteve nuk kanë bërë asgjë. Duket se ministria përkatëse është mjaftuar me fjalët e mira që pohon në korrespodencën e dërguar në komunë, ndërsa këtë viti në fshatin Hingë rrezikohet fillimi i procesit mësimor. “Si komunë nuk kemi fondet e mjaftueshme për të rikonstruktuar nga themelet shkollën, ndaj dhe kemi kërkuar ndihmën e shtetit, por deri tani askush nuk është kujtuar se ka një shkollë në këtë fshat dhe se duhet të arsimohen dhe 230 nxënës pa llogaritur edhe 45 fëmijët e kopshtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›