E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia do të hapë së shpejti ambasadën e saj në Tiranë

Me rastin e hapjes së Zyrës  së Republikës së Sllovakisë, që pritet të kthehet së afërmi në Ambasadën e Republikës së Sllovakisë në vendin tonë, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti sot në një takim kortezie të Ngarkuarin me Punë të Zyrës së Republikës ë Sllovakisë në Tiranë Ivan Šveda.

Burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme bënë të ditur se ministri Basha shprehu besimin se ky është një hap që do të  ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.

Gjithashtu, ministri Basha e njohu të Ngarkuarin me Punë, Šveda me përgatitjet e palës shqiptare për hapjen e Zyrës së Republikës së Shqipërisë në Bratislavë.

Ministri Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike dhe evropiane, si dhe vlerësoi se përvoja sllovake në këto procese është një model i suksesshëm dhe frymëzues.

Duke çmuar rolin konstruktiv që ka luajtur Sllovakia për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, ministri Basha e konsideroi si shumë pozitiv vendimin e qeverisë sllovake për njohjen e pasaportave të Kosovës, si dhe u shpreh se janë të mirëpritura edhe qëndrimet e mëtejshme të Sllovakisë që kontribuojnë për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›