E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet ekzekutori i tre Gërdhuqëve

Dhimitrov Kërri u ekstradua dje nga Roma nga Zyra e Interpol Tiranës

TIRANË - Kur vrau tre vëllezërit Gërdhuqi, dy prej të cilëve pas 1997-ës u arrestuan si pjesëmarrës në bandën e Zani Çaushit, me siguri që Dhimitrov Kërri, njëri nga të dyshuarit si ekzekutorët e krimit të trefishtë, mund ta ketë menduar vdekjen si pasojë e hakmarrjes së mundshme, por vështirë të ketë menduar arrestimin gati 9 vite më vonë. Por vrasja e trefishtë e tre vëllezërve Gërdhuqi më 12 gusht 1999 në Mifol të Vlorës, solli dje në Shqipëri me pranga në duar autorin e superkërkuar vlonjat, 44-vjeçarin Dhimitrov Kërri. E së bashku me të, prek tokën shqiptare edhe i kërkuari për shfrytëzim prostitucioni, 32-vjeçari nga Peqini, Qamil Elezi. Zyra e Interpol Tiranës ekstradoi dje dy persona, të dy të akuzuar për vepra të rënda penale. Ka qenë ora 15.45, kur Kërri dhe Elezi, të shoqëruar nga specialistët e Interpolit, u janë dorëzuar kolegëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi ndaj tyre ka vendime gjykate, të cilat do t’i vuajnë në vendin e tyre, edhe pse të arrestuar në Itali. Shkak për ekstradimin e vrasësit vlonjat është bërë vendimi i datës 12 gusht 1999, kur Gjykata e Vlorës e ka lënë në arrest me burg për vrasje të trefishtë dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja për të cilën Kërri akuzohet, ka ndodhur rreth orës 18.30 të 12 gushtit të 9 viteve më parë, në fshatin Mifol të rrethit të Vlorës, teksa tri viktimat po udhëtonin me mjetin “Benz” me targë VL 7791 A. Tre vëllezërit Gërdhuqi u ekzekutuan në mënyrë mafioze, secili me nga një plumb në kokë. Gjikë, Stefan dhe Kastriot Gërdhuqi dyshohet të jenë vrarë nga Dhimitrov Kërri. Dy fiset Gërdhuqi dhe Kërri kishin një hakmarrje të vjetër me njëri-tjetrin. Dy prej vëllezërve Gërdhuqi kishin vetëm pak kohë që ishin liruar nga burgu. Ata ishin arrestuar në shtator 1997, si pjesëmarrës në bandën e Zani Çaushit. Dy vjet pas hetimeve, dy Gërdhuqët u liruan, pasi gjykata nuk gjeti prova për t’i dënuar. Arrestimi i Dhimitrov Kërrit u bë i mundur më 25 qershor të vitit 2007, në Peruxhia të Italisë, falë një bashkëpunimi mes policive të të dy vendeve, të cilët mundën të zbulonin të kërkuarin vetëm nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Ndërkohë që po Gjykata e Vlorës ka dhënë të njëjtën masë sigurie, atë të arrestit me burg edhe për Elezin, për veprën penale të “tranzitimit të femrave për prostitucion, kryer në bashkëpunim”, më 9 shkurt 2007. Në bazë të provave të disponuara nga gjykata, rezulton se Elezi në vitin 2002, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë trafikuar drejt Italisë shtetasen me iniciale I. SH., duke e detyruar atë me anë të presionit të punojë si prostitutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›