Bota po shtrenjtohet
Krere te Programit Boteror te Ushqimit paralajmerojne se rritja e kostove te ushqimit do te vazhdoje deri me 2010
Kreu i Programit Botëror të Ushqimit (WFP) ka ngritur zërin, duke theksuar se rritja e kostove të ushqimeve kryesore mund të zgjasë deri në vitin 2010. Josette Sheeran ka fajësuar për këtë rritjen e çmimit të energjisë, efektet e ndryshimeve klimaterike dhe kërkesat gjithmonë e në rritje të karburanteve në mbarë globin. Drejtuesja e Programit në suzën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka nënvizuar se WFP po merr në shqyrtime plane për racionalizuar ndihmat ushqimore, duke marrë parasysh uljen e fondeve, të cilat vijnë për këtë qëllim. Gjatë vitit të kaluar, mësohet se disa nga çmimet e ushqimeve kanë pësuar një rritje në masën 40 për qind. Ndërkohë, nisur nga kjo situatë, WFP ndihet e shqetësuar se vendet më të varfra në botë do të mund të blejnë shumë më pak ushqime, ose të forcohen që të mbështesin shpresat e tyre vetëm tek ndihmat. Duke folur pas një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian, ku Sheeran ka informuar mbi gjendjen, ajo ka thënë se agjencia që drejton ka nevojë për 244 milionë euro më shumë. Sipas saj, kjo shumë parash duhen për të mundësuar projekte e ushqimit për këtë vit. Por, po ashtu, janë të nevojshme edhe 81 milionë euro të tjera, të cilat do të shërbejnë për transport. Sheeran ka thënë se nuk sheh zgjidhje të shpejtë, duke marrë parasysh kostot e larta të ushqimit dhe të karburanteve. “Vlerësimi mbetet tek fakti, se tani po përballemi me çmime ushqimesh të larta, për të paktën dy-tre vitet e ardhshme”, ka thënë ajo. Sheeran mendon se rezervat globale të ushqimit janë në nivelin e tyre më të ulët në 30 vitet e fundit, të mjaftueshme për të mbuluar nevojën për situata emergjence për 53 ditë. Ndërkohë që duke iu referuar shifrave, në vitin 2007 mund të përballoheshin 169 ditë emergjence. Ndër faktorët e shumtë, të cilët kanë mundësuar rritjen e çmimeve të ushqimit, është edhe prodhimi i karburanteve ose lëndëve djegëse. Sheeran thotë se kërkesa për prodhim të karburanteve po rrit çmimet e ushqimeve, siç është vaji i palmave. Sipas saj, qeveritë duhet “të shohin më me kujdes raportin e rritjes së prodhimit të karburanteve me furnizimin me ushqime dhe duhet të mendohen më shumë për këtë gjendje”. WFP thotë se vendet ku çmimet pritet të rriten dhe impakti do të jetë më i drejtpërdrejtë janë: Zimbabve, Eritrenë, Haitin, Gambian, Çadin, Kamerunin, Nigerinë, Senegalin, Kubën dhe Jemenin.