E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një përdorim më racional të fjalës popull

Nga Prof. Lush SUSAJ

Lush SusajSot dëgjova një politikan që foli e tha: nëse preket vota, atëherë do flasë populli.
Kjo me kujtoj një histori të vërtetë e që lidhet me momentin e arrestimit të artistit Pjetër Gjini në Shkodër. Në këtë histori thuhet se si në orën dy të natës, 3 nga oficerët e sigurimit të shtetit të diktaturës komuniste, shkuan për ta arrestuar në banesën e tij në Shkodër. Në momentin që Pjetri ua hapi derën, ata iu drejtuan me fjalët në emër të popullit je i arrestuar. Në këtë moment, Pjetri buzëqeshi dhe iu tha lëreni popullin, populli po fle gjumë.

Ata që mendojnë humbjen apo prishjen e zgjedhjeve me shpresë se do të flasë populli, dëshmojnë për një nivel alarmant të arrogancës, foshnjerisë dhe dekadencës politike, dëshmojnë për mosnjohjen sa duhet të mënyrës së komunikimit institucional e kushtetues, dëshmojnë për mungesës të theksuar të ideve dhe programeve zhvillimore.
Duket se këto janë pasojat e zëvendësimit të demokracisë pluraliste me pazarin, debatit dhe oponencës me sherrin dhe baltosjen, partive politike me kompanitë politike të kryetarëve, elitës dhe meritokracisë me shulat dhe pykat e administratës, interesit të vendit me interesin e klanit, mëhallës, shumë me thanë të katundit apo krahinës.
Me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, si asnjëherë tjetër, është i lidhur fati i ekonomisë, stabilitetit shoqëror dhe i integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nga ky fakt buron detyrimi moral dhe ligjor i çdo njeriu te këtij vendi për të kontribuar në mbarëvajtjen e këtij procesi, kontribut që duhet dhënë me anë të zbatimit të ligjit, kontribut me anë të fjalës dhe debatit të lirë, mbi të gjitha me anë të rritjes së pjesëmarrjes së popullit në zgjedhje.
Kur dëgjova këtë shprehjen do flasë populli mu kujtua profesor Vasfi Samimi kur shkruante o njeri çohu, shkundu, hapi syt dhe shpirtin. Përpara botës duhet të tregojmë se nevojat tona më të mëdha kombëtare nuk janë as sulmet, as grabitjet, as sundimet dhe as gjakrat por dëshirat dhe idealet tona të larta që përmblidhen në revolucionin shoqëror dhe ekonomik për një lumturi dhe përparim perëndimor.
Është një shprehje kaq aktuale, nevojat tona nuk janë sulmet, sherret dhe as gjakrat e ndezura, nevojat tona duhet të përmblidhen në zhvillimet shoqërore dhe ekonomike që i konvergojnë integrimit tonë në BE.
Për Shqiptaret, kursi i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik sipas modelit shpirtëror, shtetëror dhe politik europerëndimor është më jetik se sa oksigjeni dhe drita e diellit, nevoja jonë imediate është rritja e nivelit arsimor dhe kulturorë, është funksionimi i ekonomisë, meritokracisë dhe shtetit ligjor.
Nevoja jonë nuk është ndrydhja e fjalës së lirë dhe oponencës, nuk është servilizmi dhe përndjekja e atyre që kritikojnë dhe guxojnë të bëzajnë për gabimet trashanike që bëjnë drejtuesit shtetëror dhe politik të këtij vendi, nevoja jonë është krijimi dhe ushqimi i kulturës së reagimit, kulturës së debatit, kulturës së garës, kulturës së kompromisit, kulturës së bashkëpunimit, e mbi të gjitha kulturës së shpirtit dhe qëllimit të mirë.

Njëri nga shkrimtarët e mirënjohur nga shqiptaret, Ernesto Sabato ka shkruar: Nuk i përkas asnjë partie, thjesht mbështes çdo gjë që mendoj se është e mirë për këtë vend të sëmurë, dhe denoncoj çdo gjë që e gjej falso, të neveritshme, të pisët, të korruptuar dhe hipokrite.
Pavarësisht nga detyra, pozicioni, gjendja shoqërore, duhet reaguar ndaj së keqes, është koha për të folur hapur e për të denoncuar fallcitetin, koperturën, korrupsionin, egërsinë, klientelizmin, përçarjen shoqërore dhe kombëtare, prishjen e paqes sociale dhe të mjedisit tonë ekonomik, politik dhe gjeografik.
Nuk besoj se ka vend apo popull tjetër në këtë botë që ka vuajtur më shumë nga fallciteti i jetës dhe i historisë, nga apatia, nga heshtja, nga pseudo elitat dhe nga mungesa e burrërisë intelektuale dhe e debatit të mirëfilltë mbi shkaqet e prapambetjes sonë historike, kulturore, ekonomike, politike dhe urbane. Duket se shqiptarët e kanë paguar shumë shtrenjtë individualizmin e tyre, përçarjen dhe mosbesimin ndaj njëri tjetrit, vrazhdësinë dhe ashpërsinë e debatit, mbi të gjitha, mungesën e ndjeshmërisë dhe reagimit të tyre qytetar.
Për shkak të mungesës së pjekurisë sonë politike si dhe zhvillimit të mangët dhe të vonuar kulturorë e historik, shpeshherë bëmë ato që nuk duheshin bërë, i harruam, madje i humbëm, i përbuzëm dhe i mënjanuam ato vlera dhe cilësi që duheshin ruajtur, forcuar dhe ridimensionuar.

Heshtja përballë ashpërsisë, deklaratave dhe veprimeve që cenojnë produktin, legjitimitetin dhe autoritetin e zgjedhjeve të 23 qershorit, dëshmon se sa pak e njohim vlerën dhe cilësinë e jetës, sa pak e njohim dhe e duam vetveten, mbi të gjitha dëshmon se si jemi katandisur në jetën e kufizuar në fundin e gropës së vetizolimit dhe vetëdiskreditimit.
Përvoja e këtyre viteve dëshmon se si Shqipëria, fatkeqësisht ka një klase politike shumë pakë të kultivuar, pa angazhimin dhe vullnetin e duhur, pa vizionin, pa moralin dhe pa seriozitetin që kërkojnë sfidat tona të integrimit Europian.
Megjithatë, cenimi i ligjshmërisë dhe autoritetit të këtyre zgjedhjeve, do të denonconte edhe më shumë para shqiptarëve dhe të gjithë botës demokratike, faktin se kjo klasë politike, përfundimisht është kundër meritokracisë, është kundër fjalës së lirë, është kundër zgjedhjeve të lira, është kundër kritikës, është kundër përfaqësimit dhe gjithëpërfshirës, është kundër zhvillimit përmes zgjidhjeve ligjore dhe protokollare të problemeve, është kundër burrërisë intelektuale dhe kapaciteteve shkencore e administrative të vendit.
Është koha që populli të flasë përmes votës së lirë nga thesi i miellit, votës së lirë nga frika e humbjes së vendit të punës, votës së lirë nga frika e manipulimit të rezultatit, e votës së lirë nga tarafi, jeta e fragmentuar dhe rregullat mesjetare të kanunit.
Pas zgjedhjeve, populli është tek puna, kjo duhet kuptuar në shërbim të ruajtjes së moralin dhe integritetin e këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor.
Është koha për të mbjellë farën dhe lajmin e mirë për zgjidhjen që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, nuk është koha për nënkuptime, për kacafytje, për përçarje dhe as për keqpërdorim të fjalës popull.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›