Mos harroni, – tha Pirroja. – Mot, 60-vjetori
Nuk e tha Pirroja i Epirit, por Pirroja ynë, njëri ndër pjesëtarët e grupit organizues për takimin tonë, tashmë, të përvitshëm.
Ne, maturantët e vitit 1954 të gjimnazit të Durrësit, u mblodhëm të shtunën e kaluar, siç jemi mbledhur çdo fund maji këta katër vjetët e fundit. U takuam me njëri tjetrin, u përqafuam, u çmallëm, kujtuam rininë, kujtuam shokët dhe profesorët tanë që s’janë më. Si përherë, u mblodhëm të shoqëruar nga bashkëshortet tona ose bashkëshortët e shoqeve tona. Dikush ka filluar të marrë me vete edhe ndonjë nip a mbesë, që “ta njohë me shokët dhe shoqet e gjyshes a të gjyshit, të tezes a të dajës”, në mos po që ta shoqërojë e të përkujdeset për plakushin a plakushen e ngratë. Sepse, helbete, mosha jonë tashmë ka bërë të vetën, pa jo të gjithë mbahemi, ta zëmë, si Xhorxhi e si Gëzimi të cilët ende e kërcejnë “Kalinkën” njësoj si këtu e gjashtë dekada përpara; si Fadili, të cilit nuk i ka duk dita po s’bëri 200 metra not, të paktën, ose si Qenani që sa vjen e duket se po përtërihet, po zbukurohet...
Për fat të keq, edhe sivjet na munguan dy, përveç atyre që nuk ishin në takim për arsye që ata vetë i dinë. Sivjet s’ishin mes nesh Shpresa dhe Saliu. Që të dy, iu shtuan listës së atyre, shpirti i të cilëve tashmë prehet në përjetësi. U ngutën Shpresa dhe Saliu të shkonin brenda një kohe të shkurtër pranë Benit, Lidias dhe Bardhylit, të cilët e patën marrë rrugën pa kthim vitin e shkuar, për t’u bashkuar me Stefanin, me Aleksandrin, me Zefin, me Lilianën, me Rifatin, me Melekun, me Hakiun, me Henrikun, me Eqeremin, me Ninën, me Fehimin, me Tomsonin, me Luanin, me Farukun, me Tekiun, me Fariun, ish të burgosurin politik që e humbi jetën ndërsa kryente dënimin... Ehu! Sa shumë na kanë ikur deri sot, për të mos u kthyer kurrë. Jeta, megjithatë, vazhdon. Tashmë jemi pakësuar me 22 vetë, aq sa mua mezi ma bëri zemra të gërmoja në kujtesën time e të shokëve, t’i gjeja e t’i përmendja emrat e të gjithë atyre që s’janë më, veçse në kujtesën tonë e të familjarëve. Kanë kaluar gjithë ato vite, qysh se iku i pari, Enver Matlia, në mos gaboj. Kanë kaluar plot pesëdhjetenëntë vjet që kemi mbaruar shkollën e mesme. Një jetë e tërë... Jo? Madje një jetë që dikur konsiderohej ca si e gjatë. Ndaj, ma ka ënda t’i rikthehem jetës, së sotmes. Për fat të lumtur, deri tashti, ajo ka triumfuar mbi vdekjen, edhe mes nesh. Nga 65 bashkënxënës të dy klasave të katërta të vitit 1954 në gjimnazin e Durrësit, kemi mbetur 43. Përqindja është në favor të jetës: dy me një. E pabesueshme për ne që kaluam një jetë plot andralla, plot kthesa të papritura, shpesh me halle që jo mbesat e nipërit pesëmbëdhjetë-njëzetvjeçarë, por edhe vetë fëmijët tanë dyzet-pesëdhjetëvjeçarë zor se i mbajnë mend. S’kanë faj. Ose, më saktë, kanë dhe s’kanë. Duhet të mos i harrojnë, nëse dëshirojnë të projektojnë të ardhmen, që të mos kthehet më e shkuara. Nëse duan t’u sigurojnë fëmijëve një të ardhme më të mirë se e vetja, çka ne nuk arritëm t’ua siguronim dot, pasi s’na lanë. Them kështu, duke pasur parasysh se neve na ra shorti të mbanim mbi shpinë marrëzinë e “ndërtimit të socializmit” kantier më kantier. Neve na ra shorti të bridhnim maleve skërkë më skërkë e fushave kanal më kanal. Neve na ra shorti i zvarritjes në ato që quheshin stërvitje ushtarake ose aksione revolucionare. Them kështu se, si rëndom, as ne nuk na kurseu e mallkuara luftë e klasave që na hodhi ku mundi, në internime e kampe pune, në fshatra të largëta, ashtu siç nuk na kurseu neni 55 që i çoi disa prej nesh në burgjet e Spaçit a të Qafë-Barit.
Rast i rrallë ky i takimeve tona, tashmë, të përvitshme, në mos i pashembullt në historinë shkollave shqiptare të të gjitha kohërave. E ka zanafillën në mbrëmjen argëtuese të mbylljes së vitit shkollor 1953-1954. Tetëmbëdhjetë-nëntëmbëdhjetëvjeçarë asohere, ndërsa ndaheshim nga bankat e shkollës dhe i linim lamtumirën njëri-tjetrit me shënime në ca fletore të thjeshta, që sot, të zverdhura nga koha, kalojnë dorë mê dorë, premtuam të takoheshim sërish pas dhjetë vjetësh, verën e 1964-s. S’di kujt i shkoi ndërmend kjo ide e mrekullueshme. Dhe u takuam. M’ u në oborrin e shkollës u rreshtuam si dikur, nën tingujt e një zileje që e tringëllonte një vajzë e re, maturante asohere. U ngjitëm bash në ato klasa ku kaluam katër vjet të paharruar të jetës sonë. Atë vit, ishim thuajse të gjithë. I patëm mes nesh edhe shumë prej profesorëve tanë, bashkë me drejtor Sulën. Pastaj, takimi i dytë, verën e 1974-s. Atë verë, kur vumë re se shorti për të marrë rrugën e përjetësisë po binte më shpesh në radhët tona, vendosëm bashkërisht ta shkurtonim kohën e takimeve në çdo pesë vjet, kurse, që prej 2010-s, në çdo vit.
Ndërsa na përshëndeti Pirroja në emër të komisionit përgatitor, porosia e tij e parë ishte të mos harronim se, verën e 2014-s, rrumbullakosen plot gjashtëdhjetë vjet që nga vera e vitit 1954. Do të takohemi në oborrin e shkollës, të shtunën e fundit të majit, tha ai. Asnjë mungesë të paarsyeshme, asnjë vonesë. Pas ziles, s’do të pranohet asnjë arsyetim, qoftë edhe sikur të jeni shoqëruar nga nipi a mbesa, në mungesë të prindit...
Të parat pyetje që më shkrepën ndërmend ndërsa Pirroja rendiste porositë, ishin: Do të jemi, vallë, të gjithë? Të paktën kështu si sot? Sa do të mungojnë për arsye që s’varen nga ne, por nga vullneti i Të Plotfuqishmit? Ua bëra pyetjet me shaka atyre që kisha përreth: Fuatit, Qenanit, Klausit, Melkiorit, Halilit. Ime shoqe, Bardha, u vrenjt e më hodhi një vështrim qortues. Po ashtu edhe bashkëshortet e atyre që po e ndiqnin bisedën. Aty për aty u përpoqa ta ndreqja gabimin. Unë do të jem patjetër, thashë me bindje. Kam një libër në dorë, që dua ta mbaroj dhe, hë për hë, s’ më bëhet të largohem nga kjo botë. Edhe ju, të gjithë do të jeni atë ditë. Do të përurojmë një libër për shoqërinë tonë të shkollës, e cila po na bashkon ende sot. Librin do ta bëjmë së bashku, do ta bëjmë se s’bën, u hodh Fuati. Le të fillojmë ca nga ca nga puna, që të mbledhim sa më shumë lëndë, sa më shumë fotografi, të kërkojmë e të gjejmë edhe një sponsor. Kemi aq miq e dashamirë që të na ndihmojnë, qoftë në administratën shtetërore, qoftë në mjediset e biznesit.
Më tërhoqi kjo ide e nisur si me shaka, për të ndrequr një gafë që nxora nga goja padashur, pa e peshuar ku bie e ku djeg...
Megjithatë, jemi paksa të vonuar, sekush tha patëkeq. Jo, u hodha unë. Ja ku e kemi shembullin: Napolitano, në moshë 87-vjeçare, sapo e shpëtoi Italinë nga gremina. Ne, dhjetë vjet më të rinj, të mos bëjmë dot një libër? Më mbështeti Klausi, i cili tha se Konrad Adenauer, njëri ndër baballarët e Europës së Bashkuar, udhëhoqi Gjermaninë Federale që nga viti 1949, deri në vitin 1963, në moshën 88 vjeç. Ç’ është një libër për ne?
Unë kam besim. Megjithatë, le të shohim. Ja, vera e 2014-s sikur ka ardhur dhe, sido që të vijë, nga a majta a nga e djathta, ne do të jemi bashkë siç ishim më 1954, kur mëritë klasore të nxitura nga propaganda komuniste, ende s’kishin arritur t’i fusnin turinjtë në bankat tona. Pavarësisht bindjeve që, natyrshëm, secili i ka formuar në vite dhe s’shkëputet dot, ne jemi e do të mbetemi mes vedi “maturantë të vitit 1954”, siç tha Qenani.
Fundja, ata që u janë shmangur e vazhdojnë t’u shmangen me qëllim takimeve me shokë e shoqe për arsye absurde, le të bëjnë si të duan. Sepse, për fat të keq, ka edhe ndonjë të atillë, të cilit ndryshku i së kaluarës ia ka fiksuar kokën majtas, aq sa mund t’ia këputësh, por s’ia kthen dot aty ku duhet, te miqësia...
Mirutakofshim të shtunën e fundit të 2014-s!