E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka panik për Lorik Canën, vetëm kontraktim muskular

Lorik Cana merr frymë lirisht pas ekzaminimeve të specializuara në klinikën Paidea, që vërtetuan se 30-vjeçari nuk ka tërheqje muskulore, por thjesht një kontraktim. Një lajm shumë i mirë ky jo vetëm për Lacion, por edhe për kombëtaren shqiptare, 10 ditë para transfertës me Slloveninë, në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit 2014. Ishte vetë Cana që u shpreh për mediat italiane se ka pësuar vetëm një kontraktim të fortë, por do të tentojë të jetë në dispozicion të trajnerit Vladimir Petkoviç që këtë fundjavë, në transfertë me Juventusin, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, një ndeshje që ai kërkon të mos e humbë.
Vetë deklarata e kapitenit të Shqipërisë lë të kuptohet që ai do të grumbullohet për dy sfidat shumë të rëndësishme, me Slloveninë dhe Islandën, që do të zhvillohen më 6 dhe 10 Shtator. Të dielën në mbrëmje kundër Udinezes, Cana luajti vetëm 45 minuta në sfidën hapëse të Serisë A, pasi u detyrua të qëndronte në dhomat e zhveshjes për shkak të dhimbjeve në pulpë. Por pas kryerjes së rezonancën magnetike, rezultoi se bëhet fjalë vetëm për një kotraktim, që mund të shërohet brenda javës.
Kujtojmë që Cana mungoi në ndeshjen e fundit për Eliminatoret e Botërorit kundër Norvegjisë në Tiranë, dhe nëse do të mungonte edhe në ndeshjet e shtatorit, do të ishte vërtet problem për formacionin kuqezi. (E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›