E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka vija të kuqe për koalicion qeveritar

Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 19:04

Dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme, Koalicioni për Kosovë të Re ka bërë të ditur se nuk ka vija të kuqe ndaj subjekteve politike për arritjen e koalicionit qeveritar dhe se do të bashkëpunojë me gjithë subjektet që konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Në një komunikatë për media të Koalicionit për Kosovë të Re theksohet se pjesëmarrja në çfarëdo koalicioni tash dhe në të ardhmen, kushtëzohet me hapësirën që ofrohet për të realizuar zotimet e Koalicionit për Kosovë të Re para zgjedhësve.

“Sa i përket krijimit të institucioneve, ne konsiderojmë që sa më shpejt duhet të shihet nëse këto zgjedhje do të certifikohen. Pas kësaj, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë. Koalicioni do të bashkëpunojë me gjithë subjektet që konstituojnë Kuvendin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme që ta nxjerrë vendin nga kriza institucionale dhe e qeverisjes. Për ne mund të jenë të pranueshme edhe alternativa e tjera (qeveria teknike deri në zgjedhje që do të mbaheshin pas një viti apo të ngjashme)”, thuhet në komunikatë.

Koalicioni për Kosovë të Re kërkon që secili akt i shkeljes së ligjit gjatë procesit zgjedhor, të procedohet në mënyrë efektive dhe aktorët e shkeljes së ligjit, të përgjigjen para ligjit.

Koalicioni fton gjithë subjektet politike dhe shoqërinë civile, që menjëherë të fillojnë aktivitetet për tejkalimin e dobësive në sistemin zgjedhor, që të përfundojë regjistrimi i popullsisë, të spastrohen listat zgjedhore, të evidentohen votuesit rezident, votuesit që janë rezident në vendet e tjera dhe listat zgjedhore të azhurnohen rregullisht duke hequr personat e vdekur.

Po ashtu, Koalicioni kërkon që të shqyrtohen mundësitë për digjitalizimin e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›