E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 12-vjetorin e rënies përkujtohet komandanti Mujë Krasniqi

Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 20:00

Mujë Krasniqi ishte shembull për të gjithë bashkëluftëtarët jo vetëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për të gjitha luftërat që janë organizuar për çlirim, u tha në akademinë përkujtimorë me rastin e 12 vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqi.

Në këtë akademi përkujtimore, mbajtur të martën, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, autoriteteve komunale të Klinës, shoqatave të luftës, familjarë dhe qytetarë.

Në emër të shoqatave të dala nga UÇK foli Xhavit Jashari, i cili tha se Mujë Krasniqi së bashku me 41 luftëtarë të tjerë 12 vjet më parë ranë për të mos vdekur kurrë.

“Mujë Krasniqi më 14 dhjetor të vitit 1998, bashkë me 41 dëshmorë, ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili kufi ishte vënë padrejtësisht, ranë për të mos vdekur kurrë, për të mos ekzistuar kufi në mes shqiptarëve. Dhe sot pas 12 vitesh sikur na thotë bashkë me 41 luftëtarët bëjeni shqiptar Shqipërinë. Dhe natyrisht këtë nuk mund ta bëjnë ata që i ndajnë dhe i pjesëtojnë dëshmorët në krahina dhe regjione. Nuk mund ta bëjnë ata të cilët i përdoron dëshmorët për përfitime politike e karrieriste”, ka thënë Jashari.

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se është vështirë të përmblidhet me pak fjalë personaliteti i Mujë Krasniqit, i cili ishte shembull për të gjithë bashkëluftëtarët.

“Për Mujë Krasniqin nuk mund të thuhen të gjitha ato virtytet që ai personalitet i shquar, i ka pasur që nga themelimi i UÇK-së e deri në momentet e fundit të jetës, ishte shembull për të gjithë bashkëluftëtarët jo vetëm të UÇK-së, po mund të them lirisht edhe për të gjitha luftërat që janë organizuar për çlirim. Të flasësh për këto personalitete nga këndi i bashkëluftëtarit është edhe emocional”, ka thënë Bashota.
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti motra e dëshmorit Mujë Krasniqi, Selvete Krasniqi.

Komandant Mujë Krasniqi ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat mizore serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri. Pas rënies së Mujë Krasniqi, Brigada 113 mori emrin e komandant Mujë Krasniqi, e cila gjatë luftës i dha kombit edhe 166 dëshmorë tjerë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›