E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka zëvendësues për librin

Laureatja e çmimit Nobel për letërsi Nadine Gordimer, një prej figurave më të njohura letrare të Afrikës Jugore dhe veterane e betejës antiaparteid, është ngritur në mbrojtje pasionante ndaj librit të shtypur dhe kundër sulmit të vrullshëm të teknologjisë.

Në javën që iPad u lansua në Mbretërinë e Bashkuar, Gordimer ka thënë: “Nuk ka zëvendësues për librin dhe do të ishte një humbje e madhe nëse libri do të zhdukej dhe të zëvendësohej nga diçka me bateri.”

Ajo ka thënë për telefonin celular dhe teknologjinë kompjuterike: “Nuk po flas për këtë në mënyrë demode. Këto gjëra janë të mrekullueshme për përhapjen e informatave. Por për poezinë, për romanet, tregimet – këto gjëra që e kanë imagjinatën e njeriut në zemrën e tyre – nuk ka zëvendësim për librin.”

Gordimer po e mbante një ligjëratë në Guardian Hay festival.

Në një prospekt të gjerë për të ardhmen e kulturës letrare në shekullin 21, ajo e ka adresuar problemin e asaj se si letërsia mund të shpërndahet në një popullatë rurale dhe të largët në Afrikë dhe tjetërkund.

Më shumë se të shfrytëzojë fuqinë e teknologjisë së telefonit celular, ajo beson se përgjigja qëndron te librat dhe në bibliotekat publike dhe furnizimi i teksteve nëpër shkolla. “Ne kemi nevojë për biblioteka në komunitetet rurale dhe qyteza me baraka,” ka thënë ajo.

“Kjo është një pyetje shumë e madhe: nëse teknologjia do t’ia kalojë fjalës së shtypur. Por me një pajisje ju jeni gjithmonë të varur në bateri dhe në një formë edhe në energji. Një libër nuk do të ju lë mënjanë; mund ta lexoni aq thjesht në një maje të malit sikurse edhe në radhë për autobus. Fjala e shtypur është e pazëvendësueshme.”

Në ekranin elektronik, ajo ka thënë, “fjalët rrjedhin para teje si një imazh. Nëse dëshiron të kthehesh, është diçka që duhet t’ia dalësh mbanë. Me një libër, ti e shfleton prapa dhe syri yt mund të jetë i zënë nga paragrafët tjerë.

"Leximi i imazhit është i ndryshëm nga leximi i tekstit në një libër.”

Ajo ka thënë se në Afrikë ekzistojnë “mijëra njerëz që nuk kanë akses në fjalën online. Dhe në të vërtetë nuk ka librari në rajonet e pafund ku zezakët kanë qenë të izoluar nën aparteidin.”

Gordimer, e cila është 86 vjeçare, gjithashtu ka treguar me hollësi aventurat e saj të hershme në poezi. Në moshën nëntë vjeçare, ajo ka shkruar në lavdërim të heroit të Boer-it Paul Kruger. Pavarësisht nga përpikëria e gjuhës në romanet e saj (më i njohuri prej të cilëve është ‘The Conservationist’, i cili ka fituar çmimin Booker në vitin 1974), ajo ka thënë: "Nuk isha ngopur me poezinë."

E pyetur se cili ka qenë shkrimtari i saj më i rëndësishëm, ajo e ka theksuar Proust-in, të cilin e ka lexuar në gjuhën angleze sa ka qenë vajzë, më vonë në frëngjisht dhe së fundmi për herë të tretë. "E kuptova se janë disa libra që është më mirë t’i rilexoj para se të vdes, kështu që vendosa ta lexoj prapë në gjuhën frënge,” ka thënë ajo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›