Stamati: Muzetë, peng i politikave kulturore
Prej shumë vitesh, specialist i restaurimit dhe drejtues i Laboratorit të Restaurimit dhe Arkiometrisë, Frederik Stamati e njeh shumë mirë gjendjen e të gjithë muzeve në Shqipëri. Ai është realist kur thotë se niveli i tyre është shumë larg standardeve që ofron përvoja europiane. Për të, problemi në radhë të parë lidhet me politikën decentralizuese e ndjekur për këto muze, mungesa e investimeve, por edhe e një organike të pa specializuar për t’u kujdesur për jetën muzeale.
Ju keni vite përvojë, pse janë sot në këtë gjendje?
Gabimi më i madh që ka bërë Shqipëria me muzetë ka qenë decentralizimi i tyre. Muzeumet që u quajtën kombëtare kaluan në varësi të Ministrisë së Kulturës, ndërsa të tjerët në varësi të pushteteve lokale dhe bashkive përkatëse. Gjendja ku ndodhen sot muzetë tregoi se ishte një politikë e dështuar. Pjesa më e madhe e bashkive gjatë këtyre viteve nuk i ka pasur në vëmendje, nuk ka investuar dhe i ka shfrytëzuar veçse kur u është dashur ndonjë vend pune për militantët. Dallimi mund të bëhet nga muzetë që kanë kaluar vonë nën varësinë e MTKRS-së, siç është rasti i Fototekës Marubi. Mbetet për t’u diskutuar se ç’politika do të ndiqen në të ardhmen për muzetë, pasi bota njeh edhe muzetë lokalë dhe ata kombëtarë, por ne sot për sot këta jemi, këto koncepte kemi. Duhet të jemi realistë për nivelin e interesimit në Shqipëri ndaj kulturës. Ne duhet t’i trashëgojmë këto pasuri kulturore ndër breza, por kështu siç e kemi nisur, është vështirë. Zgjedhja e sistemit të decentralizimit rezultoi e gabuar dhe e parakohshme, sepse muzeumi është kompleks: ka aspektin e ekspozimit, ruajtjen, pasurimin, aktivitetin që do të bëjë dhe e gjitha kjo nuk mund të realizohet pa organikë dhe fonde.
Nëse flasim për përmbajtjen e këtyre muzeve, në gjendjen e sotme a u ofrojnë turistëve një tablo të historisë dhe të kulturës së vendit tonë?
Në këtë rast, çështja është e komplikuar. Muzetë që funksionojnë ka mundësi të jenë edhe më mirë për sa i përket objekteve të ekspozuara. Por ka shumë muzeume që kanë frikë që t’i paraqesin objektet më të mira që kanë, pasi ekziston frika se mund t’ua vjedhin. Në këtë rast, ngurrimi është me vend pasi mungojnë sistemet e mirëfillta të ruajtjes. Problemi i dytë ka të bëjë me gjendjen e objekteve që ekspozohen. Ne kemi mungesë të restaurimeve për shumicën prej tyre. Laboratori ynë nuk mund ta përballojë të gjithë ngarkesën. Një tjetër problem ka të bëjë me kushtet në të cilat ekspozohen këto objekte. Vitrinat, ndriçimi, mënyra e ekspozimit, kushtet klimatike. Asnjë nga muzetë tanë nuk i ka kushtet e përshtatshme. Edhe në Muzeun Kombëtar, herë funksionon e herë jo sistemi i kondicionimit. Në këtë drejtim muzetë tanë vuajnë shumë, janë të një niveli të ulët dhe shumë larg muzeumeve që ka Europa. Nëse ne pretendojmë që të kenë fluks turistësh, këta muze duhet t’i kënaqin ata ose të paktën të jenë të krahasueshëm me nivelet që ofron Europa. Pasurimi me eksponate kërkon fonde dhe Shqipëria ka humbur shumë gjëra me vlerë, sepse muzetë nuk kanë pasur mundësi t’i blejnë ose kanë ofruar shifra qesharake.
është ky edhe një problem i organikës?
Sigurisht, vet personeli i muzeumit është i papërgatitur për jetën muzeale në të gjithë kompleksitetin e vet. Ne nuk kemi shkolla për muzeologji, në të cilat do të përgatiteshin specialistë për të krijuar një linjë muzeale me të gjitha kriteret e ekspozimit dhe të ruajtjes së objekteve. Ndodh shpesh që një pjesë e mirë e fondeve të degradojnë pikërisht nga gabime të tilla. Në fakt, sot muzetë tanë janë konceptuar vetëm si hapësira ekspozuese, por në fakt duhet të kishin rolin e një institucioni shkencor. Por ne vuajmë edhe nga fenomeni i politizimit. Sapo një drejtor muzeumi specializohet, ndërrohen partitë dhe emërohet një tjetër, që në shumicën e rasteve nuk është i fushës. Drejtori i muzeumit nuk duhet të jetë politik, por ekspert specialist i muzeologjisë. Do të ishte shumë e domosdoshme që në shkollën e hapur nga UNESCO pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës të përgatiteshin muzeologë. Përvoja më ka bërë të konstatoj se shumë objekte dëmtohen edhe pas restaurimit nga mungesa e dijeve. Restaurimi kushton. Vetëm trajtimi i një qilimi që nuk ka probleme për restaurim shkon mbi 100 mijë lekë të reja dhe kjo punë zhvlerësohet përnjëherësh pasi nuk trajtohet në kushtet e duhura.
Pas ‘90-s shumë muze janë mbyllur në rrethana të caktuara. A duhet të ketë një politikë të re për sa i përket raporteve mes muzeve të tipologjive të ndryshme?
Raportet te ne janë fare të rastësishme sepse muzeumet janë mbyllur dhe kanë mbetur ata që kanë mbetur. Në botë shihet që ka një tendencë drejt arkeologjisë si në studime, botime, muzeume sepse njeriu është kurioz për të shkuarën. Por ne nga etnografia kemi objekte të mrekullueshme, në tekstile, veshje, argjendari, armë, të cilat nëse do të organizoheshin si duhej në një muze etnografik, do të tërhiqnin shumë turistë.
Meqenëse ne flasim shpesh për turizëm kulturor. Në çfarë drejtimi duhet të zhvillohen në vazhdim muzetë për t’u bërë pjesë e qenësishme e kësaj platforme?
Së pari ne ndërrojmë konceptet për mënyrën e funksionimit dhe drejtimit të muzeve me njerëz të specializuar. Ne nuk kemi një institucion që të merret me muzeumet. Do të duhej një qendër që të drejtojë muzeologjinë dhe këtë rol mund ta luante shumë mirë Muzeu Historik Kombëtar. Këto muze janë peng i politikave kulturore që zbatohen sot. Nga ana tjetër, muzetë nuk duhet të mendohen si potenciale të mëvetësishme financiare. Në asnjë muze të botës, paratë e fituara nga biletat nuk i mbulojnë shpenzimet. është sërish shteti që investon, pasi vet jeta e muzeut është shumë e kushtueshme. Por muzetë që funksionojnë si duhet, kompletojnë turizmin dhe tërheqin flukse turistësh.
#