Shkatërrohet me çekiç varri antik i Jorgucatit
Për të dytën herë brenda një jave, persona të panjohur kanë dhunuar varrin monumental të Jorgucatit, një monument kulture i periudhës antike, që doli në dritë 7-8 vjet më parë gjatë punimeve për ndërtimin e autostradës Gjirokastër-Kakavijë. Monumenti që ndodhet rreth 800 metra në verilindje të fshatit Jorgucat në pikën ku autostrada kryqëzohet me rrugën që të çon në Sarandë është goditur me mjete të forta, qysqi e çekiç, duke thyer gurët, pllakat dhe pragun ndarës të dy dhomave të tij. Dëmtimi është konstatuar dhe raportuar në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve nga grupe specialistësh të huaj të arkeologjisë që kanë vizituar këtë varr monumental të tipit maqedonas për qëllime studimore. Persona ende të paidentifikuar, në rastin e parë kanë goditur me qysqi hekuri pllakën e pragut ndarës midis dy hapësirave të brendshme të varrit, ndërsa në rastin e dytë janë thyer disa nga elementët origjinalë prej guri të këtij varri që sipas specialistëve daton në shek. III-II para Krishtit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër thotë se në të dyja rastet ka denoncuar në polici dhunën ndaj këtij monumenti, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga strukturat e Komisariatit të Policisë. “Ekspertët e monumenteve kanë konstatuar se kemi të bëjmë me një dëmtim të qëllimshëm. Për sa kohë nuk ka një përgjigje nga ekspertët e policisë për autorët e këtij krimi, është e vështirë të flitet për qëllimin e kësaj barbarie”, u shpreh drejtori i monumenteve Spartak Drasa.
Gërmimi i dyshimtëPërveç dhunimit, specialistët kanë konstatuar edhe një gërmim të dyshimtë rreth 300 metra larg varrit. Gërmimi është bërë me mjete të rënda në një thellësi rreth një metër poshtë nivelit të fushës dhe në sipërfaqe janë gjetur pjesë dhe mbetje të qeramikës antike. “Nuk dihet pse është bërë ky gërmim dhe transportim dheu, ndoshta është bërë edhe thjesht për të mbushur hapësirat e kopshteve nga banorët që jetojnë në fshatrat e zonës, por gjithsesi ne kemi bërë denoncimin në organet e policisë për të zbuluar qëllimin dhe autorët e këtij gërmimi”, ka thënë Drasa. Arkeologu që ka realizuar projektin për shpëtimin dhe restaurimin e varrit monumental të Jorgucatit, Dhimitër çondi, thotë se gjatë kohës kur janë kryer punimet për restaurimin dhe pastrimin e varrit në Jorgucat janë gjetur disa fragmente nga enët e inventarit të tij. Arkeologu shpjegon se zakonisht varret monumentale, të zbuluara në Ilirinë e Jugut dhe Epir kanë qenë grabitur që në kohën e antikitetit, duke mos na dhënë materiale të sakta datimi. “Ky tip varri dëshmohet dhe në jug të Vjosës, nga një varr i zbuluar në kalanë e Borshit, porse varianti i varrit të Jorgucatit është diçka më vonë nga tipat e tjerë dhe datohet në shek. III-II p.e.s”, sqaron çondi.
#