Dekorohet profesori gjerman Wolfgang Hufschmidt
Në një ceremoni të zhvilluar dje në Akademinë e Shkencave, Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i ka akorduar prof. Wolfgang Hufschmidt dekoratën "Për Merita të Veçanta Civile". Me këtë rast, ku morën pjesë akademikë, personalitete shtetërore, profesorë dhe studentë të Akademisë së Arteve, u fol për kontributin e profesorit gjerman për vlerat e tij të jashtëzakonshme në mbështetjen e zhvillimeve muzikore bashkëkohore në Shqipëri. Dekorata në emër të Presidencës u dha nga dr. Maksim Cikuli. Prof. Hufschmidt falënderoi për këtë vlerësim dhe shprehu konsideratat më të larta për vlerat e artit muzikor shqiptar. Wolfgang Hufschmidt, kompozitor dhe profesor i muzikës, ka qenë nga viti 1991-2003 drejtor i shkollës “Folkwang”, në Essen, Gjermani. Gjatë kësaj kohe ai ka mbështetur në mënyra të ndryshme institucionet muzikore të Shqipërisë të cilat ndodheshin në një fazë shumë të vështirë: një sërë konferencash, simpoziume, seminare u organizuan me përpjekjen e tij. Përmes ndërmjetësimit të tij shumë studentë shqiptarë kanë mundur të studiojnë në Essen ose në qytete të tjera, gjithashtu ai ka ndihmuar Akademinë e Arteve dhe Shkollën e Muzikës në Tiranë me materiale mësimore të shumta.
#