Nuk kanë ç’na duhen më dy duar
Umberto Eco/studiues, shkrimtar
- Lexoja para disa kohësh se një hotel në Forte dei Marmi, i frekuentuar nga menaxherë të mëdhenj dhe yje, ofronte, mes shumë shërbimeve të tjera, edhe një psikoterapist poliglot që ka për detyrë të shërojë klientët nga varësia e tyre nga telefoni celular dhe nga domosdoshmëria për Ipad, Twitter dhe forma të tjera të zakoneve, që tashmë vështrohen si neuroza. Në fillim të viteve ’90, kur celularët nuk ishin ende kaq të përhapur, shkruaja se telefonoforët-pra përdoruesit e celularëve-(neologjizëm që merr shkas nga mbajtësi i pishtarit) kërkonin të binin në sy në trena apo në aeroporte, duke bërtitur me zë të lartë lidhur me gjëra të tilla si pjesë këmbimi metalike, apo kredi bankare; dhe me këtë rast vëzhgoja se sjellja e tyre ishte shenjë e inferioritetit social, sepse ata, të fuqishmit realë nuk kanë celularë por nja njëzet sekretare që u filtrojnë komunikimin. Për celularin ka nevojë pjesa e ndërmjetme, ajo që duhet t’i përgjigjet në çdo çast administratorit përgjegjës, apo edhe matrapazi i vogël, të cilit banka duhet t’i komunikojë se llogaria e tij ka kapur vizën e kuqe. Në atë kohë, Maurizio Ferraris nuk e kishte shkruar ende esenë e tij mbi ontologjinë e celularit dhe vërejtjet e mia kishin të bënin me statusin social të telefonaxhinjve dhe jo me neurozën e tyre, sepse ndoshta mendohej se, me t’u larguar nga sytë dhe veshët e gjithkujt, këta performues të thekur do t’i përgjigjeshin aparatit dhe do të merreshin me punët e tyre. Sot nuk është më kështu dhe një ditë në rrugë sfiduan krah meje pesë persona të të dyja sekseve: dy telefononin, dy të tjerë ishin kredhur në botën dixhitale duke rrezikuar të pengoheshin, njëra ecte duke e mbajtur objektin në dorë, e gatshme t’i përgjigjej çdo zileje që premtonte një kontakt njerëzor.
Një miku im, njeri i zgjuar dhe i shquar, e flaku Rolex-in e tij, sepse thoshte se orën tani mund ta shihte në BlackBerry. Teknologjia shpiku orën me pulsim për t’i lejuar humanëve që të mos vinin vërdallë me një orë mbi supe, apo një e më dy të nxirrnin nga xhepi i jelekut qostekun; dhe ja pra që kështu edhe miku im duhet të lëvizë dhe për çdo gjë që duhet të bëjë, një dorë e ka përherë të zënë. Njerëzimi po atrofizon një nga dy artet e veta, sepse e dimë mirë sesi dy duart me pëllëmbët, e majta dhe e djathta, kanë kontribuar në evolucionin e species sonë. Më erdhi në mendje se në kohën kur shkruhej me pendë, nevojitej vetëm një dorë, por me tastierën e kompjuterit nevojiten të dyja, e për më tepër, telefonaxhiu nuk mundet të përdorë celularin dhe kompjuterin në të njëjtën kohë. Por, më vonë reflektova se Telefonomani (phone addict) nuk ka më fare nevojë për kompjuterin(objekt ky tanimë prehistorik) sepse me celularin mund të lidhet me internetin dhe të dërgojë sms, as edhe duhet të dërgojë e-mail, sepse mund të flasë direkt me personin që ka ndërmend t’i bëhet havale apo nga ai që pret që t’i ngjitet. Është e vërtetë se leximi i Wikipedias nga ana e tij do të jetë më i lodhshëm, e kështu më i shpejtë dhe sipërfaqësor, mesazhet e shkruara më telegrafike, por telefonaxhiu nuk ka më kohë që të qëmtojë informacione enciklopedike, as të shprehet në mënyrë të artikuluar, sepse është i zënë me biseda, për koherencën sintaksore të të cilave na thonë shumë përgjimet e lëna pas tashmë- që këtej padyshim që mund të deduktohet se telefonomani, duke hequr dorë nga çdo lloj sekreti, i shpreh planet e veta me tre pika të vogla apo me disa shtesa neandertaline të tipit K... dhe ik q...(cazzo e vaffanculo).
Më ka ndodhur të lexoj një intervistë që më bëri një gazetar spanjoll(përndryshe në dukje inteligjent dhe i zgjuar) që vëzhgonte me habi sesi në vijim të bisedës sonë nuk e kisha ndërprerë asnjëherë atë për t’iu përgjigjur telefonit, duke vendosur kështu vetë ai se isha një person shumë i sjellshëm. Nuk arrinte të imagjinonte, se unë ose nuk e kisha telefonin, ose e mbaja gjatë gjithë kohës të fikur, sepse nuk më duhet për të marrë mesazhe të padëshirueshme, por vetëm për të konsultuar axhendën time.
Marrë nga “L’Espresso”
Përktheu: Skerdilajd Zaimi