E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kemi më Institute; “Të panevojshmit” na ndëshkuan

Autori i Lajmit: Denisa KonaInstitutet që reforma qeveritare i nxorri të panevojshme, treguan me mungesën e tyre se çfarë ndodh kur i vihet dryni institucioneve të shkencës, laboratorëve të eksperimentimit. Për këtë paradoks tragjik hedh dritë në intervistën tonë prof. dr. Sulejman Xhelepi, drejtori i Qendrës së Studimeve Hidraulike në vitet 89-93, më pas, shef sektori i ujërave të nëntokës, ku bëhej studimi i filtrimeve në bazamentin e digës dhe brigje dhe njëherësh pedagog i lëndës së hidraulikës që nga viti 61 deri në 72 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

-Profesor Xhelepi, çmund të na thoni për atë kontribut që ka dhënë Qendra e Kërkimeve Hidraulike në parashikimin e çdo situate në hidrocentrale?
Me krijimin e Akademisë së Shkencave u krijua Qendra e Kërkimeve Hidraulike dhe kjo qendër u mor me studimet e modelimeve për kaskadën e Drinit, Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës. Janë studime me modele të zvogëluara, ku nxirreshin parametrat e ndryshëm për Institutin e Projektimit, që bënte projektet e hidrocentraleve. “Kjo është një praktikë botërore, që zakonisht për vepra të mëdha e të ndërlikuara siç janë hidrocentralet e kaskadës së Drinit, duhen bërë patjetër modelimet hidraulike në modele të zvogëluara,- thotë prof. Xhelepi, por sot nuk janë më kushtet për eksperimente.” Më tej ai flet për situatën e përmbytjeve dhe masat optimale.

-Ju jeni një specialist që i përkisni të dyja kohëve. Duke i krahasuar problematikat që lindnin atëherë dhe tani dhe duke krahasuar gjendjen e veprave industriale që janë ngritur, kur kanë qenë problematikat më të mëdha dhe a mund të themi se veprat tona i kanë rezistuar kohës?
Po qëndroj vetëm tek veprat hidro-teknike më të mëdha, siç janë tre hidrocentralet mbi Drin apo hidrocentrali i Banjës. Këto janë vepra të studiuara nga Instituti i Projektimit në bashkëpunim edhe me qendrën tonë të kërkimeve hidraulike. Në ndërtimin e Vaut të Dejës ka qenë fillimisht edhe kontributi i kinezëve, por edhe i specialistëve shqiptarë. Madje, edhe modelimet hidraulike të Vaut të Dejës janë bërë po këtu, në qendrën e kërkimeve hidraulike, laboratori i madh i hidraulikës. Puna jonë vazhdoi me Fierzën, që nisi me kinezët të cilët më pas u larguan dhe projekti i saj përfundoi me forcat tona. Këto janë vepra që i kanë rezistuar mirë kohës. Janë të nivelit të kënaqshëm, për arsyse se nuk vëmë re difekte nga pikëpamja strukturore. Megjithatë, vepra të mëdha si këto të Kaskadës së Drinit kërkojnë edhe monitorim e mirëmbajtje të vazhdueshme. Megjithatë, KESH i ka pasur në konsideratë dhe i ka bërë mirëmbajtjet që duhen. Janë bërë disa studime nga një firmë zvicerane që ka shprehur nevojat për rehabilitim të disa elementeve në Kaskadën e Drinit.

-Këto mirëmbajtje në kuadrin e eliminimit të pasojave që mund të ketë nga reshjet, janë zgjidhje të përkohshme apo investime aftagjata dhe të kujt karakteri janë?
Meremetimet janë të përgjithshme të karakterit të punimeve hidro-teknike dhe të karakterit të punimeve hidromekanike. Të gjitha problemet e rehabilitimit kanë për qëllim që të sigurohet e gjithë vepra, sepse veprat si puna e njeriut mplaken dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Dhe për të rritur apo ruajtur sigurinë e këtyre veprave, duhet bërë rehabilitimi. Duke bërë riparimet, rritet siguria që në rast të prurjeve maksimale, portat përshembull, duhet të jenë në gatishmëri për të bërë shkarkimet. Këto ndërhyrje janë në dobi të ruajtjes së jetëve të njerëzve.

-Duke patur parasysh përmasat e fenomeneve natyrore, intensitetin dhe shpeshtësinë e tyre, a mund të quhet Shqipëria një vend i privilegjuar nga natyra?
Nga natyra ne jemi një vend i privilegjuar, sepse kemi rezerva të bollshme ujore. Po të bëjmë një vlerësim për numër banorësh, se sa metër kub ujë i takon çdo banori, ne jemi në kushte shumë të favorshme për sasinë e ujërave sipërfaqësorë.

-Kjo e mirë e ka të keqen e vet nga prapa, pra rrezikun më të madh për përmbytje?
Kjo nuk përbën rrezikshmëri, sepse kur ke një sasi të madhe uji, veprat hidro-teknike llogariten të tilla që ti përballojnë këto sasira. Pra. çdo gjë është e rakorduar mirë, që sasi të tilla uji janë me leverdi, por kërkojnë edhe vepra të mëdha, sikurse edhe janë ndërtuar.

-Çfarë përmasash kishte batica e detit në Lezhë dhe a ishte e tillë që të përligjte këto përmbytje që u panë?
Kjo mund të ketë qenë një rastësi, sepse ne në Shqipëri, baticë nuk kemi. Batica luhatet në 30-40 cm. Mund të kenë qenë probleme të shtrëngatave, siç duket në zonat e ulta siç janë lagunat e Palës, mund të kenë bërë këtë përmbytje. Por përmbytja e zonave të ulta të Lezhës ka ardhur edhe nga fakti se Drini i Lezhës nuk përcjell sasinë e duhur të ujit.

-Kjo që ndodhi këtë herë në Lezhë e Shkodër nuk është e para herë. Por në këto përmasa, a mund të quhet e para?
Ka qenë edhe një herë tjetër, një ngjarje e jashtëzakonshme e vitit 1963. Ishte me rreshje me intensitet të lartë dhe me kohëzgjatje të madhe. Këto quhen rreshje të kalibrit të madh. Ka mundësi, që të jenë të atij niveli, megjithëse duhen krahasuar matjet. Zona e përmbytjes kësaj radhe është goxha e madhe, edhe thellësi ka, por zona më e ndikuar nga përmbytja është zona e fshatrave bri Bunës, sepse Buna është një lumë që merr ujërat e Drinit, por merr edhe ujërat e Liqenit që vijnë nga Mali i Zi. Tani për tani Buna nuk është e aftë që të përballojë prurje të mëdha që të transportojë ujin në drejtim të detit. Dhe duke mos qenë e aftë, përmbyt fshatrat rreth saj si Oboti, Dajçi etj. ose zonat e tjera si Bahçallëku përmbyten nga dalja e Drinit nga shtrati.

-Njerëzit në këto zona pak a shumë janë të mësuar me përmbytjet. Ndoshta kjo është arsyeja pse ata nuk lëvizin nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Nga ana tjetër, qeveria nuk e ka këtë luks që ti bëjë këta njerëz të lënë tokat e tyre dhe të vendosen diku tjetër…Atëherë, cila do të ishte zgjidhja në këto kushte?
Në fakt, ato janë zona të mira në kuptimin e tokave bujqësore, të sheshta, që kanë prodhime dhe që ti shkëputësh nga ato toka banorët, nuk është fort mirë. E mira do të ishte që ato fusha bujqësore, në zonën e Nënshkodrës, ti mbrojmë nga përmbytjet.

-Nëse ato përmbyten, aty bashkë me ujin e ëmbël, përzihet edhe uji i detit që sjellin lumenjtë dhe ato kripëzohen si toka (zona e Lezhës) Si zgjidhet ky problem?
Eshtë shumë e vështirë për të hequr kripën nga toka. Duhet të bësh sisteme drenimi që kanë kosto goxha të lartë. Unë do të thoja që këto përmbytje që kanë ndodhur tani, janë një mësim i mirë, madje edhe për ne specialistët. Tani, këto masa që po merren, nuk janë masa radikale, janë masa të shpejta të marrë në kushtet e emergjencës. Këto janë situata kur ndërhyn ushtria dhe policia, por masat afatgjata, janë ato që merren mbi bazën e studimeve. Pengesat me thasë rëre e zhavori janë të përkohshme, unë i mëshoj që kjo që ndodhi, ndodhi, por duhet bërë analiza dhe të nxirrtet një konkluzion. Tani të githë specialistët duhen mobilizuar që ta rishikojnë problemin e përmbytjeve dhe të marrin masa inxhinierike të nivelit teknik dhe shkencor.

-Këtë herë ishte e paparashikuar puna e natyrës apo ishte dritshkurtësi?
Për mendimin tim ka disa argjinatura edhe në Drin edhe në Bunë, por që mendoj se nuk janë mirëmbajtur siç duhet. Mund të ketë patur ndonjë rrëshqitje të argjinaturës, ndonjë dëmtim në kohë edhe nga ndonjë ndërtim afër apo mbi argjinaturë, që kanë sjellë këtë problem.

-Veç Shkodrës dhe Lezhës, a njihen zona të tjera të vendit të rrezikuara nga përmbytjet?
Tani për tani e rrezikuar është vetëm zona veriperëndimore ku vërshojnë ujërat e Drinit e deri diku edhe të Matit. Por përmbytje ka pasur edhe në zonën e Semanit në grykëderdhje në det. Në zonat e ulëta rreziku është prezent. Edhe një pjesë e Fierit prej lumit të Gjanicës ka qenë përmbytur. Gjithë problemi i zgjidhjes së përmbytjeve është duke ngritur argjinaturat gjatësore. Pastaj ka edhe tipe panelesh tërthore që ulin shpejtësinë e ujit për të mos lejuar gërryerjen e brigjeve. Pra, janë një sërë masash inxhinierike që specialistët i dinë mirë.

-Por, duhet të krijohen situata të tilla emergjente, që të ndërgjegjësohemi për rëndësinë që kanë specialistët
Konstatimi juaj është me vend. Tani janë mobilizuar grupe specialistësh në këtë situatë të vështirë, ata e thonë fjalën e tyre, por tani nuk mund të japësh zgjidhje të mira në minutë. E keqja është se ne nuk kemi institucione siç kemi pasur dikur. Përshembull, lidhur me problemin e përmbytjeve apo të përmirësimeve ujore, kemi patur një Institut që nuk ekziston më. Ose kemi pasur Institut të hidrocentraleve që nuk e kemi më. Tani punojnë vetëm privatët, por nuk mund të kenë organizimin e institucionit.

-Sa ndihet pesha e këtyre studiove private të projektimit në mungesë të instituteve?
Pothuasje nuk ndihet mirë, sepse që të trajtosh një problem teknik dhe shkencor, duhet ta trajtosh në fillim si koncept në formën më të përgjithshme, të bësh një studim fisibiliteti, jo vetëm lokal për të përcaktuar detyrat më themelore. Ky studim tregon se çfarë është e mundur të bëhet. Sepse edhe një investitor, qoftë vendali, qoftë i huaj, nuk vjen nëse nuk e bind me një studim fillestar fizibiliteti. Si të bëhet ky studim në nivel kombëtar, atëherë mund të kalohet në fazën e projekt-ideve apo projekteve të zbatimit. Dhe më mirë sesa një institucion shtetëror, këtë punë nuk e bën dot një njësi private. Privati, pasi të ketë marrë studimin e fizibilitetit mund të bëjë projektin e zbatimit, pasi studimi ka dhënë një zgjidhje teknike të përafruar dhe të bashkëngjitur me kostot.

-Banorët e zonave të përmbytura, pjesën më të madhe të shqetësimit e kanë për ekonominë e dëmtuar të tyre, kryesisht për dëmet në të mbjella e të tjera materiale. Po në rreshje të zakonshme, funksionon sistemi kullues i tokave?
E gjithë puna është që kur bëhet projekti i kullimit të një toke bujqësore, merren parasysh edhe rreshjet me përqindje sigurie të ndryshme, që mund të pranosh., Përshembull, që një tokë përmbytet një herë në 10 apo 50 vjet. Pra, sistemet kulluese bashkë me hidrovoret që e çojnë ujin në det, projektohen duke patur parasysh edhe këto raste të veçanta me koeficient sigurie. Natyrisht, ana ekonomike të kushtëzon që kanalet të mos i bësh më të mëdha sesa shihen nevojat. Por ka kritere se sa sasira rreshjesh përballojnë ato dhe një herë në sa vjet do të ndeshemi me përmbytje

-Hapja e portave, e ka lehtësuar apo rënduar situatën?
Një vepër hidroteknike siç janë tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, kanë ato që quhen pajisje të shkarkimit. Ato nuk janë projektuar kot, por për një qëllim. Sepse në prurje maksimale, ato duhet të shkarkojnë ndryshe do të shpërthenin. Uji do të kapërderdhej mbi digë dhe kjo do të ishte katastrofë. Dhe nuk do të ishte katastrofë lokale, por katastrofë kombëtare.

Ky lajm është publikuar: 11/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›