E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet të shihet edhe gjendja e hidrocentraleve të vegjël

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Veprat hidro-teknike i kanë rezistuar kohës, por por janë gjithë kohën të ekspozuara në natyrë, në kontakt me ujin dhe konsumohen. Ato e kanë nevojë riparimimin dhe mirëmbajtjen në të gjitha drejtimet, qoftë në argjinaturat, qoftë nga gërryerjet e lumenjve, nga pritat e ndryshme. Koha nxjerr edhe nevojën për përmirësime në rritjen e sigurisë. Inxhinieri hidro-teknik, dr. Dhimitër Vogli tregon se veprat në dobi të bujqësisë, si sistemi ujitës, hidrovoret argjinaturat, etj, janë vërtet vepra të llogaritura mirë për kohën kur janë ngritur, por ama, siguria e tyre duhet verifikuar kohë pas kohe. Gjatë këtyre viteve kjo nuk është bërë dhe situatat e papëlqyeshme, edhe pse nuk janë shfaqur mund të shfaqen. Deri tani, moti nuk i ka vënë në provë të vështirë dhe prej tyre nuk ka pasur përmbytje. Por ashtu sikurse gjendja e hidrocentraleve të mëdha me vlera energjitike, edhe hidrocentralet e vegjël duhet ti nënshtrohen verifikimit të gjendjes së tyre.

-Sot ka zëra se bonifikimi i zhduku apo zvogëloi Shqipërisë zona të tëra ekologjike me vlerë për faunën e tyre. Në fakt, besoni ende se veprat e bonifikimit kanë qenë të nevojshme dhe pse?
Po, kanë qenë të nevojshme, sepse praktikisht, ne si vend kemi në Ultësirën bregdetare 280 mijë hektarë tokë bujqësore. Praktikisht, fushë kemi vetëm 10% të territorit. Përpara se të bëheshin bonifikimet, kjo hapësirë ka qenë kryesisht lagunë, kënetë dhe në rastin e prurjeve, kur binin shira të mëdha, ndodhte që të gjitha zonat bregdetare viheshin në ujë dhe bashkohej uji i Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës. Nuk dallohej më se ku niste e ku mbaronte një rrjedhje e një tjetër.

-Ku ishte e keqja e kësaj pune?
E keqja ishte se e gjithë kjo zonë ishte e tëra jashtë shfrytëzimit, nuk mund të përdorej për tokë bujqësore. Këto zona nuk kishin ndonjë vlerë tjetër veç rritjes së bretkocave. Ne, tërë tokën bujqësore që kemi, e kemi të fituar me vepra bonifikimi. Myzeqeja është nën nivelin e detit në pjesën më të madhe dhe me anë të hidrovorëve u pengua përmbytja e saj. Ne kemi ndërtuar hidrovorët, rrjetin kullues dhe argjinaturat në të gjithë lumenjtë kryesorë, në Vjosë, në Seman, Mat, Shkumbin. Të gjitha janë bërë me llogari që të mbajnë një prurje të caktuar.

-Kur është bërë për herë të fundit bonifikimi i tokave dhe a shtrohet sot nevoja për të bërë sërish bonifikime, pra, a kemi rikthim të kënetave dhe moçaleve?
Bonifikimet e fundit, dora e fundit janë bërë në fund të viteve 80 dhe fillimi i viteve 90. Por ndërkohë, këto janë bërë dora-dorës, që nga viti 46 në vitet 70, në vitet 80, në 85-n deri afër viteve 90. Pas 90s është bërë hidrovori i Shëngjinit, ku pati një problem me hidrovorin e vjetër. Sot ky hidrovor funksionon me kapacitet të plotë.

-Veprat e bonifikimit a i kanë rezistuar kohës?
Këto i kanë rezistuar kohës, por janë gjithë kohën të ekspozuara në natyrë, në kontakt me ujin dhe konsumohen e kanë nevojë për riparime e mirëmbajtje, në të gjitha drejtimet, qoftë në argjinaturat, qoftë nga gërryerjet e lumenjve, nga pritat e ndryshme. Ndërkohë, koha nxjerr edhe nevojën për përmirësime në rritjen e sigurisë së këtyre veprave të artit (kështu quhen).

-Sa është shkalla e sigurisë së këtyre veprave?
Ne e kemi me përqindje sigurie që varet sipas klasit. Përshembull, 2%.

-2% siguri duket më shumë si pasiguri sesa si siguri!
Ky 2% nënkupton përsëritje një në 50 vjet të shirave të jashtëzakonshme me rrezik përmbytjesh.
Kjo, kjo është siguria e shirave që përsëriten një herë në 50 , port ë kontrolluara edhe me shirat që bien një herë në 100 vjet .

-Por sa është siguria për ti shpëtuar përmbytjes në rast shirash shumë të mëdha?
Kjo është përqindja e sigurisë, apo probabiliteti, pra siguria për shirat dhe mundësia e përmbytjes një herë në 50 apo 100 vjet. Pra, një herë në 50 vjet mund të ndodhë që të kemi probleme me përmbytjet. Mund të prishet argjinatura, mund të kalojë uji mbi argjinaturë. Ky është ai 2%-shi i sigurisë që ju thashë. Është pak i ndërlikuar për tu kuptuar dhe na ka ndodhur që edhe specialistë të ngatërrohen në këtë punë.

-Ndërkohë nga veprat e bonifikimit a kemi patur përmbytje?
Në veprat e bonifikimit nuk kemi patur përmbyje nga ujërat e jashtme. Përshembull, Maliqi ka probleme, por nuk ka patur përmbytje.

-Qyteti i Beratit ka pasur vite më pare raste përmbytjesh. Cili ka qenë problemi?
Problemi mund të ketë qenë shtrati i lumit i mbushur me aluvione dhe dilte uji. Por nuk di me çfarë sigurie janë argjinaturat. Pra, aktualisht, Shqipëria nuk është e kërcënuar nga veprat e bonifikimit. Edhe pse veprat e bonifikimit kanë problemet e tyre dhe edhe tek ato duhet parë gjendja e argjinaturave.

-Kur ka qenë viti i fundit që ka pasur reshje të jashtëzakonshme, pra, që të dihet se kur plotësohen 50 vjetët dhe se ka ardhur radha prapë?
Përsëritja një herë në 50 vjet e shirave të mëdha, nuk do të thotë se do të ndodhin patjetër një herë në 50 vjet. Mund të ndodhin edhe një herë në 100 vjet, edhe dy herë në 50 vjet, pra ky është një probabilitet, pasi natyra nuk mund të parashikohet në shifra absolute. Por ne veprën e sigurojmë duke patur parasysh edhe këto prurje të rralla. Rreshjet më të mëdha në vendin tonë të cilat janë vrojtuar me saktësi janë ato të viteve 62-63 të cilat vlerësohen me 2% siguri përsëritjeje një herë në 50 vjet. Ato kanë qenë rreshjet më të mëdha në të gjithë territorin e vendit, ndërsa ka pasur edhe raste rreshjesh akoma më të mëdha, por që kanë qenë lokale.
Intervistoi Denisa KONA

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›