E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e kishim parashikuar në laborator, çngjaste nëse prishej Diga e Fierzës

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Shumë pranë Kodrave të Liqenit ekziston ende laboratori i ish-Qendrës së Kërkimeve Hidraulike, por tashmë vetëm si karabina, pasi funksioni i tij ka pushuar. Rëra që na mbush këmbët brenda sallës së madhe dikur ka qenë reliev i veprave industriale që eksperimentonin specialistët tanë. Këtu janë ende modelet në miniaturë të shkarkuesve dhe të hidrocentraleve. Vetë Fierza është ende aty, me shtratin e kuotuar, portat, tunelet, rezervuarin. Se ]farë ndodhte në këtë ambient, na tregon ish-drejtori i qendrës, inxhinieri hidro-teknik Sulejman Xhelepi.

“Qendra e Kërkimeve Hidraulike ku unë kam punuar, bëri një model hidraulik të madh të të gjithë kaskadës së Drinit me të tri hidrocentralet. Qeveria atëherë kërkonte të dinte, se nëse prishet njëra nga digat, çfarë ndodh. Kjo ishte një detyrë. Problemi ishte, nëse duhet të bëhen shkarkime apo jo. Konkluzioni qe se duhet të bëhen shkarkime, sepse nivelet do të rriten, do të kapërderdhen mbi digë, diga do të prishet. Në Qendrën Hidraulike ne improvizuam në miniaturë prishjen e digës së Fierzës. Ky ishte një model gati dy hektarësh, një model i madh, që të kishim një shkallë sigurie dhe vërtetësie më të lartë. U bë ai model i kaskadës dhe u prish diga e Firezës në mënyrë të menjëhershme, që do të ishte rasti më i keq i mundshëm. E gjithë ajo valë, ai volum uji, doli në shtrat në anën e poshtme, mori me vete digën e Komanit dhe të Vaut të Dejës dhe me shifra, niveli i ujit në Shkodër mbi sipërfaqen e tokës arrinte katër metra.
Ndërsa në Lezhë, në model ndodhi (modeli është mjaft i besueshëm sepse ne masin treguesit e modelit dhe i kthejmë në treguesit në natyrë), që kur u hapën portat, rrezja e përmbytjes ishte kolosale. Niveli i ujit në Shkodër do të ishte 4 metra, ndërsa tamam tek ura e Lezhës ku është pjesa e ngushtuar, do të arrinte 8 metra mbi sipërfaqen e tokës. E gjithë kjo sasi uji mbushi në model Shkodrën dhe Lezhën, u përhap në fusha dhe erdhi deri në Tiranë. Prandaj, hapja e portave do të ishte domosdoshmëri. Disa zëra që dëgjuam në fillim, se portat nuk duhen hapur, nuk kanë pasur parasysh se mos-hapja e tyre sillte një fatkeqësi më të rëndë,- thotë prof. Xhelepi.- Uji që vjen nga hapja e portave, bën këtë që po bën tani dhe midis të këqijave duhej zgjedhur më e vogla. Këto probleme që po shohim, janë trajtuar më parë prej nesh.
Vërtet është krijuar sot Qendra e Institutit të Ujit, Enrgjisë dhe Mjedisit pranë Rektoratit, por nuk është më efikasiteti i atij instituti që ka qenë. Duke parë shqetësimin e përmbytjeve, Qendra e Kërkimeve Hidraulike të Akademisë së Shkencave krijoi një grup që do të bënte studimin e përmbytjeve dhe eliminimin. Studimi që u referua në Akademinë e Shkencave me pjesëmarrjen e shumë specialistëve nga fusha e bujqësisë, energjitikës, përmirësimeve ujore, u referua edhe në Qarkun e Lezhës. Ishte një studim shumë i mirë, por u la pas dore. Në rrethin e Lezhës kalon Drini i Lezhës, është një kanal i ujërave të larta që mbron fushën e Zadrimës, ku derdhen gati 20 përrenj, njëri prej të cilëve i kalon ujërat në zonën e poshtme fushore të qytetit. I gjithë ky kompleks u studiua në mënyrë të imët dhe për mbrojtjen e tokave bujqësore që janë përmbytur sot. U pranua kriteri që të ketë përmbytje një herë në 50 vjet me 2% siguri. Për qytetin e Lezhës u pranua siguria një herë në 100 vjet. Kur themi një herë në 100 vjet, në Shqipëri nuk e bëjmë dot këtë analizë, sepse nuk kemi të dhënat para 100 vjetëve. Por, kur bën këtë llogaritje, nëse e kë bërë studimin para 50 vjetëve, duhet të marrësh në konsideratë edhe të dhënat hidrologjike të reja. “Pra, është pasuruar monitorimi i hidrologjisë dhe duhen patur në konsideratë matjet e vjetra dhe të reja. Ne kemi gati 20 vjet, që nuk monitorojmë fare prurjet e lumenjve”, thotë ish-drejtori i Qendrës Hidraulike.- Një Institut Hidro-Meteorologjik që është katandisur në dy vetë, nuk ka njerëz që të matin në lumë. Kjo punë duhet të bëhej në mënyrë sistematike të përvitshme, madje të kapeshin edhe prurjet stinore. Tani të kthehemi tek studimi i prurjeve në Lezhë. U bë studimi, u miratua në Akademinë e Shkencave dhe nuk gjeti zbatim. U bë vetëm një hap nga Ministria e Bujqësisë, në zgjerimin e shtratit të Drinit të Lezhës, por me një prurje me siguri 10%, që do të thotë se përmbytja vjen një herë në 10 vjet, siç shihet më shkallë të lartë pasigurie. Nuk u bë ajo që thamë ne, të paktën një herë në 50 vjet. Ne luftuam si institucion që të rritet shkalla e sigurisë, por Ministria e Bujqësisë kaq e pranoi. Studimi qëndron, por duhet bërë një projekt-ide e zgjeruar. Kjo është një mbrojtje kaq e vogël, nuk e di pse u bë kështu.
Ky grup bëri tentativë për të studiuar tërësinë ujore. Tërësia ujore e Shkodrës përfshin Drinin e Lezhës, Bunën dhe Liqenin e Shkodrës. Është një tërësi ujore tepër komplekse, tepër e vështirë dhe u bënë tentativat bashkë me Malin e Zi që të bëjmë një studim të përbashkët, se kanë edhe ata interesa. Kam qenë në këtë grup që bëri disa takime, bashkë me Pandi Stratobërdën, bashkë edhe prof, Farudinin. Kishte shumë dashamirësi nga ty dyja palët dhe pika e parë ishte eliminimi i përmbytjeve, pikërisht këto përmbytje që ndodhën tani. U mirastua programi, u firmos nga të dy kryetarët e të dyja Akademive. Por kjo punë mbeti me kaq. Nuk vazhdoi. Po të ishte çuar në vend ky studim, do të ishin caktuar edhe masat që duheshin për të shmangur situatën. Buna përshembull, është një lumë i gjatë 42 km, lumë fushor me shpejtësi lëvizjeje shumë të vogël, por që para se të ndërtohej kaskada, është mbushur prurje të ngurta, që i sillte Drini. Tani që është kaskada, i presin digat lëndët e ngurta. Por diga e ka humbur aftësinë transportuese, nuk transporton më sasira të mëdha uji, shumë-shumë, ajo deri në 1200 metra kub në sek. Transporton dhe duke e humbur këtë aftësi, i derdh ujërat e saj anash në Obot, Dajç, Daragjat etj. Ne në studimin tonë kërkonim së pari eliminimin e përmbytjeve dhe së dyti, lumin Buna ta bënim një lumë të lundrueshëm, siç ka qenë 500 vjet më parë, duke bërë thellimin e shtratit dhe kombinimin me argjinatura. Kjo ka dobi edhe nga ana turistike. Këtë gjë ka bërë Mali i Zi, i cili të ardhurat kryesore i ka nga turizmi. Në studimin që do bënim ne, ata kërkonin që niveli i ujit të mos kalonte mbi 6.5 metra në Liqenin e Shkodrës. Sepse ata nuk donin përmbytje.

Detaj
Aty ku modelet i linin vendin njëri-tjetrit
Jemi tek ish-qendra e Kërkimeve Hidraulike, që varej nga Akademia e Shkencave, sot Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, i varur nga Universiteti Politeknik. Në fakt, Departametni i Ekonomisë Ujore, me reformën e bërë Arsim dhe Shkencë, ka dy institucine të ish-Akademisë: Qendrën e Kërkimeve Hidraulike dhe Institutin Hidro-Meteorogjik, por me personel tepër të kufizuar, Edhe kushtet për eksperimentime sidomos me model fizik, nuk janë më, sepse sheshi i hapur është zënë me ndërtime, ndërsa sheshi i brendshëm i sallës është pa aktivitet. Për çfarë shërbente kjo sallë? Ish-drejtori Xhelepi thotë se kjo sallë shërbente për ndërtimin e modeleve fizike, modeleve me shkallë të zvogëluar, ku janë studiuar hidrocentralet e Fierzës dhe të Komanit, plus që janë ndërtuar edhe për veprat hidroteknike të Bujqësisë. Në këtë sallë janë kryer një sërë modelimesh, ku janë bërë të gjitha studimet e digave të shkarkuesve të godinës së centralit, të anës së poshtme. Të gjitha janë bërë këtu dhe parametrat e fituar nga këto studime kanë shërbyer për projektimin e hidrocentraleve të Fierzës dhe të Komanit, në mënyrë që këto vepra madhore të kishin siguri në treguesit e vet. “Dhe është fakt, që këto vepra po rezistojnë fort nga pikëpamja e sigurisë së tyre.”

Modele fizike të realizuara në laboratorin e Qendrës së Kërkimeve Hidraulike

1
Korita
Kjo është korita për të studiuar valëzimin e detit, kur valët godasin në një objekt. Në këtë koritë, nëpërmjet pajisjes krijohen valë me lartësi të ndryshme, mbi bazën e të cilave, merren masa efikase me saktësi të lartë, për mbrojtjen e vijës bregdetare. Në Shqipëri dihet që deti na ka marrë pjesë toke dhe për këtë pjesë që na e merr, duhet të gjejmë zgjidhje. Pikërisht kjo studiohet në koritën e valëve. Kjo koritë nuk po funksionon që para reformës, që nga viti 2000 e ndoshta më parë.

2
Shkarkuesi i Panahorit
Ky model ka pasur qëllim të përcaktojë aftësitë e shkarkuesit për prurje maksimale

3
Fierza
Këtu shiheshin të gjitha rezultatet që do të ndodhnin në çdo situatë në realitet. Këtu, para se të ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës, ka qenë modeli i Portit të Vlorës. Pra, modelet i linin vendin njëri-tjetrit, Dhe të gjitha modelet janë të bëra me përpikmëri, me kuota të sakta të relievit edhe me materiale origjinale. Bile, edhe zhavori i natyrës, kthehej në një model të zvogëluar, sipas modelit të objektit.

Ky lajm është publikuar: 11/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›