Shkelin protokollin e shtetit

Përderisa kryeparlamentari Jakup Krasniqi, gjendet për vizitë zyrtare që disa ditë në Egjipt, dy zyrtarët e tjerë, Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë udhëtuar për në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Në bazë të Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, neni 19 Rregulla, pika 4 thuhet “Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Egjipt, i cili do të kthehet në Kosovë më 22 shtator. Kjo është konfirmuar për Kosovapress edhe nga kabineti i kryeparlamentarit Krasniqi.
Ndërkohë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, me bashkëshortin e saj Astrit Kuçi dhe disa këshilltarë, kanë udhëtuar për në Nju Jork.
Po ashtu edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, sot me disa këshilltarë dhe disa ministra, të cilët po ashtu kanë marrë me vete disa nga këshilltarët e tyre, kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marr pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kjo konfirmohet për Kosovapress edhe nga drejtori i Zyrës për Informim, Arianit Bytyqi.
“Po e di që kryeministri sot është nisur për në Nju Jork. Për më shumë folni me ata të protokollit”, ka theksuar Bytyqi.
Kjo nuk është hera e parë që është shkelur ligji themelor, që përcakton detyrat dhe vizitat e udhëheqësve të vendit. Por kush do ta udhëheq Republikën e Kosovës deri më 22 shtator, kur pritet kthehet në Kosovë kryeparlamentari Krasniqi? /Kosovapress/