E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Po keqpërdorin buxhetin e shtetit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me udhëtimin e delegacionit të Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se udhëtimi i një numri kaq të madh të zyrtarëve të lartë të shtetit dëshmon edhe një herë se politika e jashtme e Kosovës është plotësisht e çakorduar dhe humb çdo relevancë të takimeve.

Udhëtimi i dhjetëra zyrtarëve për në SHBA, sipas LDK-së, është i pa nevojshëm për shkak se në takimet që organizohen gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, delegacionet që marrin pjesë në takime nuk mund ta kalojnë numrin katër apo pesë persona.

“Udhëtimi i një numri kaq të madh të zyrtarëve të lartë të shtetit dëshmon edhe një herë se politika e jashtme e Kosovës është plotësisht e çakorduar dhe humb çdo relevancë të takimeve”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

Sipas saj, publikut i mbetet të shohë se cili zyrtar po premton më shumë njohje dhe cili po e demanton tjetrin më shpejtë se ajo njohje ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.

“LDK është plotësisht e vetëdijshme se spektaklet e tilla të udhëtimeve vijnë si pasojë e dështimit në sjelljen e njohjeve të reja të Kosovës, premtime këto të dhëna disa herë nga ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për lobim. Për më shumë, Qeveria dhe Presidentja po e humbin momentumin e rëndësishëm pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur për të sjell njohje të reja. Kanë kaluar gati dy javë nga kjo ngjarje dhe e tëra që Ministri i Jashtëm ka bërë ka qenë vazhdimi i prononcimeve rreth njohjes se këtij apo atij shteti duke mos respektuar diskrecionin diplomatik”, thuhet në komunikatë.

Shpenzimet enorme të krijuara nga biletat e transportit, meditjet, akomodimi, drekat dhe darkat, sipas LDK-së, do t’i kushtojnë minimum 200 mijë euro buxhetit të Kosovës për një javë udhëtim, edhe pse pritet që shumica e delegacionit do të vazhdojë qëndrimin edhe më gjatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›