E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet lufta e padhunshme

Presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, aktivistja për paqe nga po i njëjti vend, Leymah Gbowee, dhe kolegia e saj jemenase, Twakkul Karman, u shpallën të premten fituese të Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2011. Sipas Komitetit, këto tri gra luftuan në vazhdimësi me mjete të padhunshme për arritjen e paqes në vendet ky veprojnë.

Komiteti Norvegjez për Nobel nderoi të premten tri gra “për luftën e tyre jo të dhunshme për sigurinë dhe për të drejtat e gruas që të marrë pjesë aktivisht në aktivitetin e ndërtimit të paqes”.

"Ne s’mund të arrijmë një demokraci e as një paqe të qëndrueshme në botë përderisa femrat të mos kenë mundësi të njëjta sikurse meshkujt, për të ndikuar në zhvillime në të gjitha nivelet e shoqërisë”, theksoi Komiteti gjatë arsyetimit të vendimit.

Karman, ndërkohë, është një nënë 32-vjeçare e tre fëmijëve, e cila drejton grupin për të drejtat e njeriut “Women Journalists Without Chains” (Gratë Gazetare pa Pranga). Ajo ishte figurë udhëheqëse gjatë organizimit të protestave kundër presidentit jemenas, Ali Abdullah Saleh, të cilat shpërthyen gjatë muajit janar, si pjesë e revoltave kundër pushteteve autoritare që shkundën botën arabe.

"Jam shumë e lumtur për këtë çmim”, i tha Karman agjencisë AP. “Çmimin ia dedikoj të rinjve revolucionarë në Jemen dhe popullit të Jemenit”.

Duke cituar fjalët e Karman, Komiteti duket se po nderonte efektet e Pranverës Arabe, e cila i sfidoi pushtetet totalitare në rajon. Megjithëse vetë citimi i Pranverës Arabe do të mund ishte paksa problematik për Komitetin, meqenëse kryengritjet ishin ato që rrëzuan regjimet në Tunizi, Egjipt dhe Libi – edhe pse Libia rrëshqiti në luftë qytetare që u pasua me intervenimin e NATO’s atje. Egjipti dhe Tunizia ndërkaq ende janë të përfshira nga trazirat. Paralelisht, rrymat e vijës së ashpër ende janë në pushtet në Jemen e Siri, përderisa Arabia Saudite ndihmoi në shuarjen e protestave në Bahrejn, duke krijuar kështu një perspektivë të paqartë të lëvizjes së arabëve protestues.

Kryesuesi i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Thorbjoern Jagland, nënvizoi se puna e Karman filloi para shfaqjes së kryengritjeve arabe.

"Shumë vite para fillimit të revolucioneve ajo u ngrit kundër njërit prej regjimeve më autoritare dhe më autokratike në botë”, iu tha gazetarëve.

Johnson Sirleaf (72) është një ekonomiste e Harvardit, e cila në vitin 2005 u zgjodh si presidentja e parë e një shteti afrikan.

Liberia asokohe ishte e shkatërruar nga luftërat civile, që zgjatën deri në vitin 2003, dhe me ndihmën e paqeruajtësve të OKB’së, ky vend ende po lufton për të mirëmbajtur paqen e brishtë. Kur mori përsipër udhëheqjen e zyrës presidenciale, Sirleaf u pa si një reformatore dhe si një person që synon arritjen e paqes. Ajo këtë muaj u rikandidua për këtë post, ndërkohë që oponentët e saj në garën për president e akuzojnë atë se po përdorë fondet qeveritare për fushatë. Ekipi i saj i mohon këto akuza.

Komiteti nënvizoi përpjekjet e Johnson Sirleaf për sigurimin e paqes në shtetin e saj, por edhe për promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social dhe për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Gbowee, e cila organizoi grupin e grave të kureshtare dhe myslimane për të kundërshtuar udhëheqësit e luftërave në Liberi, u nderua për faktin se arriti të mobilizojë gratë “përgjatë të gjitha vijave ndarëse në baza etnike dhe fetare, për të përfunduar luftën e gjatë në Liberi, dhe për të siguruar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje”.

Ndërkaq për punën e saj për inkurajimin e grave të Liderisë, Gbowee në vitin 2009 fitoi Çmimin ‘Profile in Courage’, të themeluar për nder të librit të shkruar nga ish-presidenti John F. Kenndy, i cili për këtë libër fitoi Çmimin e Pulizerit, në vitin 1957.

Jemeni është një shoqëri skajshmërisht konservatore, por paraqitja e Pranverës Arabe në atë vend luajti një rol tejet me rëndësi për përfshirjen masive të grave në protesta.

Karman është banore e qytetit Taiz, në jug të Jemenit, që konsiderohet si vatër e rezistencës kundër presidentit Saleh. Edhe pse gazetare me profesion, ajo është edhe anëtare e partisë islamike Islah. Babai i saj ishte ministër i dikurshëm i Drejtësisë i presidentit Saleh. Ajo ishte arrestuar për shkurtazi në muajin janar, për shkak se iu kishte prirë protestave kundër Saleh’ut, por ishte liruar pasi që protestuesit kishin bërë presion te autoritete për lirimin e saj. Gjatë një marshi protestues në Sanaa, në muajin shkurt, ajo i tha agjencisë AP: "Ne do të mbrojmë dinjitetin e popullit dhe të drejtat e tij, duke e rrëzuar regjimin”.

Time Magazine

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›