E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mashtrohen viktimat nga pinjojtë nostalgjikë të xhelatëve

22-04-2011 / Nga Luan Myftiu

“Në urrejtje nuk ka as drejtësí, as virtyt” - Dostojevski

Kushdó që përjetoi dhunën e diktaturës, ndihet krenar për qëndresën stoike të bashkëvuajtësve. Nuk mund të ketë të persekutuar të ndershëm, që t’u bjerë boríve të xhelatëve, duke fajësuar viktimat për gjëmat e kasapëve të diktaturës. Më parë se jetën, komunizmi u lakmoi kundërshtarëve dinjitetin. Tërë kohën diktatura kultivoi përçarjen me urrejtjen e paarsyeshme. Dhe këtë e çmoi si forcë lëvizëse të shoqërísë. Nuk mund të mbijetonte utopia çnjerëzore pa ndihmën e dajakut. Prandaj, sa herë nuk shfaqeshin armiq, diktatura menjëherë i krijonte ata. Niçe thotë: “Ai që jeton me anë të luftës ndaj një armiku, ka interes të ketë gjithnjë armiq në jetë”. Harmonitë njerëzore gjithmonë kanë qenë të dënuara nga sistemet e padrejta. Kurse xhelatët e kanë nevojë jetike akuzën ndaj viktimave. Ata mëkojnë edhe bijtë e tyre me të tilla ndjenja. Ndoshta dhe demokracínë e urrejnë pse bëhet avokate e “skllevërve” të tyre. Prandaj nuk gjendet për këto viktima një fjalë ngushëlluese në fjalimet e pinjojve të Bllokut. Asgjë përdëllyese për flijimin e tyre prej dhunës. U ngec në fyt nostalgjikëve emri i një ish-të përndjekuri, që ka shkruar një artikull në media. Prandaj nuk e lexojnë atë, edhe kur ndodhet në faqet e para të shtypit. Prandaj nuk komentohet një libër i krijuar prej tyre. Ndoshta prandaj asnjë autori të dalë nga ferri komunist, nuk i kërkohet të shpjegojë motivet e frymëzimit për një krijim të tij letrar. Kurse të gjithë pronarët e ligjshëm shihen prej tyre si ca “gogolë”, që u kërcënojnë hajdutërínë. Prandaj edhe heronjtë antikomunistë trajtohen prej tyre si të denjë vetëm për t’u mëshiruar. Dhe nuk thuhet një fjalë e mirë për tolerancën e tyre fisnike. Nuk dëgjohet një mirënjohje për qëndresën e tyre mbinjerëzore. Nuk shqiptohet një lavdërim për shpirtin e tyre paqësor. Nuk “dhurohet” një përdëllim për durimin e tyre gati apostolik. A ka dëgjuar kush ndonjë prononcim nga neobllokmenët për të drejtën e krenimit të këtyre viktimave, që vunë në themel të demokracísë edhe jetën e tyre? E kundërta! Është zgjedhur harresa si mënyra më banale e përçmimit ndaj fisnikërísë së atyre, që u vetëflijuan për idealet humanitare. Hajdutët e lirisë u shndërruan edhe në grabitës të aspiratës së këtyre “skllevërve”, që flijuan gjithçka për një demokrací të vërtetë. Forca e pinjojve të diktaturës qëndron te paturpësía e tyre flagrante se Historía filloka gjoja nga dita, që këta hipokritë ndërruan emrin e “kuçedrës”, ku militonin.  Dhe sot tentojnë të çlirohen nga pesha e mëkateve, duke bërë fajtore viktimat. Kurse madhështinë e shpirtit human të martirëve e çmojnë vetëm si meritë të xhelatëve, që mundën të shuanin me tortura edhe instinktin natyral të përbuzjes më njerëzore ndaj xhelatëve. (!) Ndërkohë përgjithësojnë “rrëzimin” e çdo mjerani, që nuk mundi të ruante dinjitetin nën ato tortura çnjerëzore të Sigurimit famëkeq të shtetit. Dhe e “justifikojnë” qëndrimin e tyre përbuzës me, gjoja, frikën se mos u shkaktojnë viktimave “persekutim pozitiv”, duke i lavdëruar më tepër sesa duhet (!) O ironi! Kjo bëhet, kur nuk thonë për ta një fjalë të mirë! Djalli do ta kishte vështirë të shpikte një mënyrë më të përkryer për të vazhduar përbuzjen, diferencimin dhe urrejtjen e paarsyeshme ndaj këtyre njerëzve, që meritojnë të vihen në piedestalin e mirënjohjes kombëtare. Po përse, vallë, gjithë kjo urrejtje e pamotivuar? Përse gjithë ky persekutim pa fund ndaj atyre, që u sakrifikuan për këto ditë, që po gëzojnë sot edhe autorët e krimeve mizore të diktaturës? Gjithë ata, që duhej të përuleshin të parët para madhështisë morale të këtyre fisnikëve të cilët, edhe pse të vrarë e të sharë pa të drejtë, nuk kanë kryer një gjest të vetëm hakmarrjeje?! Mos, vallë, pinjojtë e diktaturës i poshtëron bukuria shpirtërore e  këtyre apostujve të lirisë? Apo xhelatët, duke u ndier të poshtëruar që ia shitën shpirtin djallit, “ngushëllohen” duke ulur vlerat e viktimave? Mos vallë figura e pastër e këtyre “skllevërve” krenarë i akuzon, duke trokitur me alarm në pjesën e pakalbur krejt të vetëdijes së tyre të sakatuar? Apo e drejta e këtyre martirëve ngërdheshet me krekosjen banale të këtyre milionerëve hajdutë, që po kërkojnë sot edhe pushtet të pamerituar?...    
Por tallja më shpotitëse e pinjojve të diktaturës merr trajta groteske, kur këta guxojnë t’i trajtojnë viktimat si militantë të kauzës së tyre, të sajuar me shpifje. Sepse jo më kot e nisën me mashtrimin “përtej së majtës e së djathtës!”, që të përfshinin në “uraganimin” e tyre të stisur edhe çikërrimat e pakënaqësíve të ithtarëve të demokracisë. Pastaj vazhduan me strategjínë e krijimit të armikut imagjinar, i cili qenkësh i vetmi shkaktar i gjithë mjerimeve njerëzore (!) Dhe ngritën flamurin “revolucionar” të “Rrugës së vetme!” për të përfshirë në vallen e gënjeshtrës edhe ata, të cilëve u del gjumi nga tmerri, kur kujtojnë nëpërkëmbjen prej etërve mizorë të pinjojve të diktaturës. Dhe me kokëfortësínë e ambicies për pushtet të pamerituar këta dështakë shpresojnë që dhe ish-të përndjekurit të shkojnë prapa qerres së tyre të prishur. Dhe ky është një tjetër lloj poshtërími, që pinjojtë e diktaturës tentojnë t’u bëjnë viktimave. Se, t’u kërkojnë votën atyre që kanë internuar, burgosur, vrarë e poshtëruar pa faj, është një tjetër pushkatim moral, që u duhet mëkatarëve për të rikrijuar atë kapital të ndyrë moral, prapa të cilit tentojnë të fshehin gjëmat e tyre të djeshme. Po kjo nuk është veçse një ëndërr me sy hapur e atyre, që u ka ardhur koha të largohet nga skena politike. Martirët do të mbeten të denjë për mirënjohje! Ata kurrë nuk e shesin idealin antikomunist, duke u joshur nga gënjeshtrat e vrasësve të tyre të djeshëm. Kurrë nuk mund të mashtrohen viktimat nga “patetizmi” i pinjojve të papenduar të diktaturës. Po le t’i mbyllim këto rreshta me klithmën përdëllenjëse të Çehovit: “Pashë vuajtjen dhe u bëra njerí!”. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›