E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama ka frikë dhe tmerr nga mëkatet e tij

22-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha prezanton në Vorë kandidatin për kryetar bashkie, Fiqiri Ismaili

Në vijim të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, kryeministri Berisha u ndal dje pasdite në bashkinë e Vorës, ku shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar të kësaj bashkie, Fiqiri Ismaili. Kreu i qeverisë Berisha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që banorët e kësaj bashkie i kanë dhënë Partisë Demokratike në vite, si dhe vlerësoi kandidaturën e zotit Fiqiri Ismaili si një nga menaxherët më të zotë në vend. Kryeministri vlerësoi, gjithashtu, ndihmën që kjo bashki u jep njerëzve në nevojë, krahas ndihmës që jep për ta qeveria. Berisha shprehu angazhimin e tij se do të mbështesë e do të financoje çdo projekt për asfaltimin anekënd të çdo rruge e rrugice të bashkisë së Vorës, për ujë 24 orë, për shkollat më të mira për fëmijët e kësaj bashkie, për kopshtet më të mira, për punësimin dhe investimet në këtë bashki. “Jam këtu për të paraqitur me krenari të veçantë para jush zotin Fiqiri Ismaili për të ri-kandiduar për kryetar të bashkisë së Vorës, një nga qeveritarët vendorë më të talentuar, më të aftë, më të zotë të Shqipërisë. Ai ka dëshmuar këto vite se është një menaxher i shkëlqyer, një qytetar shembullor, qytetari i parë me zemër të dhimbsur, me zemër në dorë ndaj çdo halli e çdo derti të këtij qyteti. Në ditët më të vështira të kësaj vështira të kësaj bashkie zoti Ismaili u dëshmua një burrë vigan, një njeri me integritet, dha një kontribut historik për kapërcimin e pasojave dramatike të ngjarjes së Gërdecit”- tha kryeministri Berisha. Në vazhdim, kreu i qeverisë theksoi se, “sot ne jemi një vend krejt tjerët, Vora është një qytet krejt tjetër”. “Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, mblidhemi si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Europën, mblidhemi si një vend me një ekonomi entuziaste e që kryeson rritjen ekonomike të Europës në kohën e kulmit të krizës financiare, mblidhemi pasi kemi dyfishuar e mbi dyfishuar rrogën mesatare në Shqipëri, mblidhemi pasi kemi mbi dyfishuar ndihmën ekonomike për qytetarët tanë”. “Katër vitet që shkuan ne si qeveri kemi investuar në bashkinë tuaj 50 herë më shumë se sa qeveria socialiste në tetë vite. Ne kemi investuar 20 milionë euro, kundrejt 400 mijë euro që investoi Partia Socialiste gjatë në tetë viteve të saj në pushtet. Por unë qëndroj sot këtu para jush për t’ju dhënë fjalën e nderit se do të mbështes e do të financoj çdo projekt që ju dhe kryetari juaj i bashkisë, Fiqiri Ismaili, do të bëni për asfaltimin anekënd të çdo rruge e rrugice të kësaj bashkie, për ujë 24 orë të kësaj bashkie, për shkollat më të mira për fëmijët e kësaj bashkie, për kopshtet më të mira, për punësimin dhe investimet në këtë bashki”- tha kryeministri Berisha.
“Vora, hyrja moderne e Tiranës”, është dhe do të jetë motoja jonë. Do të investojmë për Pallatin e Kulturës, për sportin, për çdo fushë tjetër në këtë qytet”- vuri ne dukje kryeministri Berisha. Ai tha se, “kjo është alternativa jonë, alternativa me të cilën ne duam të ndryshojmë çdo ditë jetën tonë, alternativa me të cilën ne vendosim në epiqendër mundin tuaj, djersën tuaj, hallet tuaja, dertet tuaja, vizionin tuaj, përkushtimin tuaj. Me këtë alternativë ne do të ndërtojmë Vorën e zhvilluar, Tiranën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Krahas kësaj alternative është dhe alternativa tjetër, alternativa e rrugës së vetme apo alternativa “Fajin e ka Saliu”. “Me alternativën e tij “Fajin e ka Saliu” shoku Edi Rama veçse dëshmon se ka tmerr nga mëkatet e tij. Unë dua t’i deklaroj këtij zotërie apo shoku se nuk kam ndërmend që në këtë fushatë të merrem qoftë edhe 3 sekonda me mëkatet e tij, por vetëm me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, interesat e tyre, vizionin e tyre. Sepse për mua ju jeni të parë, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, qyteti juaj është i pari, Vora është e para, Tirana është e para, Shqipëria është e para", theksoi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›