Nuk ndryshojne prurjet ne Fierze
Temperaturat e ulëta që vijojnë prej ditësh kryesisht në zonën veriore të vendit kanë bërë që të ulen prurjet në liqenin e Fierzës. Edhe ditën e shtunë prurjet në këtë liqen kanë qenë të njëjta me një ditë më parë. Aktualisht sipas KESH niveli i ujit në basenin më të madh ujor energjitik është në 257 metra dhe prurjet mesatare arrijnë në 40 metër kub ujë në sekond. Ky nivel prurjesh ka vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe. Sot të dhënat tregojnë se importi i energjisë vijon të jetë i lartë, ndërkohë që rezervat hidrike janë pakësuar ndjeshëm. Gjithsesi KESH dhe CEZ gjatë gjithë këtyre ditëve kanë arritur të importojnë 12 milionë kilovat energji në ditë për të plotësuar nevojat e konsumatorëve, ndërsa prodhimi vendas arrin në 14 milionë klë energji në ditë. Sipas KESH sasia e prurjeve me 40 metër kub në sekond konsiderohen shumë të ulëta në krahasim me prurjet e stinës në të cilën ndodhemi. Kjo sasi është nën mesataren shumëvjecare të regjistruar më parë në vendin tonë. Pavarësisht kushteve të vështira si pasojë e motit të ftohtë KESH ka deklaruar se ka plotësuar dhe do të plotësojë në vijmësi të gjithë kërkesën e nevojshme që i nevojitet CEZ-it në mënyrë që konsumatori të furnizohet 24 orë me energji elektrike.