Nuk përmend datën për vizat, e as përgjimet

E patën quajtur 2012-in si vit të liberalizimit të vizave. Mirëpo, këto fjalë të Qeverisë së Kosovës nuk i dolën.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, në përmbyllje të këtij viti nuk pati guxim të përsërisë premtimin e vitit të kaluar sa i përket qarkullimit të lirë të shqiptarëve në Evropë.
“Nuk do të flasë më data, se kur do të realizohet liberalizmi i vizave. Mund të them që po punojmë për përmbushjen e kritereve. Në fakt kjo është çështje shumë e ndjeshme dhe emocionale për qytetarët e Kosovës”, tha ministrja Çitaku.
Mospërmbushjen e zotimit të kabinetit qeveritar, pjesë e të cilit është, ajo e arsyetoi me punën që është në materializmin e perspektives evropiane.
Krejt punën që ka bërë kjo ministri, Çitaku e kishte përmbledhur në katër faqe të cilën ia prezantoi gazetarëve.
Sipas saj, janë bërë hapa konkret për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e Sundim të Ligjit. Ajo përmendi edhe anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe reformat në administratën qendrore. “Por administrata mbetet sfidë edhe më tej për ne”.
Çitaku nuk deshi të flas për njërën nga ngjarjet më të mëdha të vitit që i kishte ndodhur asaj. Ajo tha se për telefonatat e përgjuara që dolën në opinion kishte folur më herët. /Indeksonline/