Nuk pranon vendimin e dhënë, fyen dhe godet gjyqtaren

Fatmir Ibro, 44 vjeç, ka goditur para godinës së Gjykatës së Elbasanit gjyqtaren që dha vendimin për një konflikt familjar
ELBASAN - Një gjyqtare është goditur nga një shtetas ditën e djeshme, ndërkohë që në pranga ka përfunduar shtetasi Fatmir Ibro, 44 vjeç. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur para Gjykatës së Elbasanit kur një shtetas i është afruar gjyqtares I. Maliqi duke e fyer dhe goditur.
E gjendur në këtë situate, gjyqtarja civile i është drejtuar policisë nëpërmjet një denoncimi. Kështu vetëm dje, rreth orës 17:00 është bërë ndalimi i shtetasit Fatmir Ibro, 44 vjeç, me banim në lagjen "5 Maj" të qytetit të Elbasanit. Mësohet se urdhri i ndalimit për të ka ardhur nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Elbasan.
Sipas policisë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Ibro ka kundërshtuar dhe goditur gjyqtaren Maliqi, si dhe e ka fyer atë për shkak të detyrës. Për këtë çështje ka nisur procedimi penal për veprat "kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit", "fyerja e gjyqtarit".
Burime nga gjykata e Elbasanit bëjnë të ditur se konflikti me gjyqtaren ka ardhur për shkak të detyrës. Gjyqtarja që merret kryesisht me çështje civile dhe sidomos më shumë divorce, mësohet se ka pasur një rast konflikti familjar që përfshinte shtetasin Ibro. Ky i fundit, vëlla i një avokati, nuk e ka pritur mirë vendimin e gjykatës për çështjen e tij dhe ka gjetur momentin kur Maliqi ka qenë duke dalë për ta fyer e goditur.
Ngjarja vjen jo shumë larg analizës kur Gjykata e Elbasanit kërkoi më shumë siguri për ambientet e saj dhe për gjyqtarët. Reagimi i dhunshëm i 44-vjeçarit do t'i kushtojë një dënim nën akuzat e ngritura nga prokuroria.
Por qytetari e ka akuzuar gjyqtaren se ka favorizuar njërën palë duke penalizuar tjetrën. Por mospranimi i vendimeve është i zakonshëm sidomos në rastet e divorcit apo konflikteve në familje që janë edhe çështjet më të mprehta dhe më të nxehta që regjistrohen çdo ditë në gjykatën e Elbasanit.