E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e policit, dyshohet nga kushtet ekonomike

Elton Dashi, 33 vjeç, u vetëvra dy ditë më parë në shtëpinë e tij në kryeqytet me armën e shërbimit


TIRANË- Pas vetëvrasjes së policit të burgjeve, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet paraprake dyshohet se motivi i vetëvrasjes së 33- vjeçarit Elton Dashi të ketë qenë gjendja jo e mirë ekonomike.


Pasi kanë marrë në pyetje të afërmit e viktimës dhe kolegë të tij të punës, hetuesit e policisë dyshojnë se vetëvrasjen e ka kryer në kushtet e rënda të depresionit, nisur nga gjendja jo e mirë ekonomike në të cilën jetonte.


Kjo është pista ku janë përqendruar hetimet e policisë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe të rrethanave të vetëvrasjes së punonjësit të policisë së burgjeve, Elton Dashi.


Për vetëvrasjen e policit të Burgut të Grave (Burgu 325), Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sqaroi se Elton Dashi natën e ngjarjes ishte planifikuar të shërbente në turnin e tretë si përgjegjës i shërbimit të rrethimit të jashtëm të burgut.


Sipas Drejtorisë së Burgjeve, 33- vjeçari Dashi ka qenë një shembull i mirë për stafin e Burgut 325 dhe gjatë gjithë kohës që ka punuar në këtë burg nuk ka marrë asnjë masë disiplinore.


Gjate gjithë kohës që ka punuar në Burgun e Grave që ndodhte në lagjen "Ali Demi", nuk ka marrë asnjë masë disiplinore dhe është vlerësuar pozitivisht në mënyrë të vazhdueshme.


Elton Dashi është emëruar si punonjës polici i rolit bazë në Burgun 325 në Tiranë, në maj të vitit 2007 me gradën Agjent. Më pas ai ka marrë edhe gradën inspektor, duke shërbyer si kontrollor, punonjës i grupit të sigurisë dhe përgjegjës i shërbimit të rrethimit të jashtëm të burgut.


Ndërkohë edhe në lagjen ku banonte, njihej si person i qetë që nuk kishte shfaqur probleme në familje. Polici i Burgut 325, Elton Dashi u vetëvra me armën e punës, në shtëpinë e tij që ndodhet në rrugën "Besim Zyma". Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 21.30. Ai ishte i pa martuar dhe jetonte me familjen e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›