Prokuroria e Tiranës, largohet Xholi, komandohet Malaj
Javën e kaluar, kryeprokurori Genti Xholi, i kishte kërkuar Ina Ramës largimin nga detyra dhe emërimin e tij si Prokuror në Apel
Presidenti dekretoi edhe emërimin e Besnik Canit në krye të Prokurorisë së Fierit, pas largimit në Durrës të paraardhësit Binaj
TIRANË- Largohet nga drejtimi i Prokurorisë së Tiranës, prokurori Gent Xholi, në vend të tij komandohet deri në dekretimin e prokurorit të ri, shefi i prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërsa në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në internet, jepej njoftimi i dekretimit të djeshëm të prokurorit Xholi në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet. Gjithashtu, po dje, Presidenti Topi miratoi propozimin e kryeprokurores Ina Rama duke transferuar nga prokuroria e kryeqytetit në krye të prokurorisë së Fierit prokurorin Besnik Cani.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se të hënën në mesditë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka propozuar Presidentit Topi, emërimin e Gent Xholit si prokuror në Apelin e Tiranës, si dhe transferimin e Besnik Canit nga Prokuroria e kryeqytet në krye të institucionit të akuzës në Fier.
Këto propozime të kryeprokurores Rama, Presidenti Topi i dekretoi në një dekret të vetëm, duke emëruar Xholin në prokurorinë e Apelit dhe Canin në prokurorinë e Fierit.
Menjëherë pas dekretit të djeshëm, kryeprokurorja Rama firmosi urdhrin për komandimin e prokurorit Sokol Malaj në krye të institucionit të akuzës në kryeqytet.
Prej më shumë se dy vitesh, Malaj drejtonte institucionin e akuzës në qytetin bregdetar të Vlorës, duke hetuar dhe gjykuar shumë dosje, ndër ato edhe të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, i cili u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas Apeli e deklaroi të pafajshëm. Pritet që institucionin e akuzës në kryeqytet ta drejtojë prokurori Malaj, deri në emërimin e drejtuesit të ri të këtij institucioni.
Ndërkohë, javë më parë Prokuroria e Përgjithshme kishte hapur një vend vakant në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ku kandiduan katër prokurorë, mes tyre edhe drejtuesi i Prokurorisë së kryeqytetit, i cili 30 muaj pas drejtimit të këtij institucioni, kërkoi të largohet me dëshirën e tij. Nga votimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë, prokurori që mori më shumë vota ishte shefi i akuzës në kryeqytet, Xholi.
Pas votimit, emri i tij iu propozua të premten e kaluar kryeprokurores Rama për emërim në Prokurorinë e Apelit. Ky propozim u miratua nga kryeprokurorja dhe dje Presidenti Topi e dekretoi atë si prokuror në Apel.
Ndërkohë, po të njëjtën rrugë procedurale ka ndjekur edhe transferimi i prokurorit Besnik Cani në prokurorinë e Fierit, ku është emëruar nga kryeprokurorja Rama shef i këtij institucioni. Prokurori Cani prej vitesh punonte si prokuror i njësisë së përbashkët hetimore të Task-Forcës në kryeqytet, ku më pas u komandua si drejtues i Prokurorisë së Fierit pas emërimit të prokurorit Altin Bino në krye të akuzës në Durrës.
Më pas, prokurori Cani kandidoi bashkë me tre prokurorë të tjerë për vendin vakant në këtë prokurori, ku me shumicë votash anëtarët e Këshillit e votuan prokurorin Cani për në krye të akuzës në Fier. Ky propozim u miratua edhe nga kryeprokurorja e cila kishte dërguar emrin e Canit për transferim në zyrën e Presidentit Topi, i cili mesditën e djeshme dekretoi edhe transferimin e tij nga prokuroria e Tiranës në atë të Fierit.