Përcaktohen çmimet referuese për vjeljen e taksës së pasurisë
Zbardhen çmimet fiskale të shitjes, mbi të cilat do të referohet pagimi i 10 për qind të taksës për shitjen e apartamenteve, dyqaneve apo trojeve
Nga dita e sotme, të gjithë qytetarët të cilët kalojnë të drejtën e pronësisë mbi apartamentet apo dyqanet dhe tokën, do të paguajnë 10 për qind të fitimeve kapitale, mbi çmime referuese të përcaktuara nga financat. Gazeta “Korrieri” zbardh udhëzimin me çmimet referuese që do të përdoren nga hipotekat për pagimin e taksës së pasurisë, tashmë të firmosura nga ministrisë i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Pra e thënë ndryshe, tatimi mbi të ardhurat do të paguhet në masën 10 për qind për diferencën nëpërmjet vlerës së blerjes së kësaj pasurie dhe asaj të shitjes. Kjo shumë do të paguhet para regjistrimit të pasurisë në hipoteka nga personi që e shet atë. Për efekt të llogaritjes së taksës së pasurisë, nga hipotekat do të përdoren çmimet referuese ose e thënë ndryshe, kostoja fiskale për metër katror. Kostot minimale janë të përcaktuara për metër katror dhe të ndara sipas qyteteve, duke iu referuar çmimeve aktuale të tregut. Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton në mënyrë të qartë koston fiskale të pasurive të patundshme duke filluar që nga viti 2003 deri në vitin 2008. Udhëzimi do të gjejë zbatim edhe në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi, ku si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e përcaktuara në tabelat e udhëzimit. Gjithashtu, për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes. Për sa i përket shitjes së truallit, si çmime referuese për pagimin e taksës së pasurisë do të përdoret çmimi i përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Gjithashtu, në udhëzim përcaktohet se, në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njollë” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë dy elemente. Fillimisht do të jetë vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe të truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në udhëzim. Rastet kur përjashtohet pagimi nga kontrata e parablerjesPor në udhëzimin e Ministrisë së Financave përcaktohet mjaft qartë që taksa e pronësisë nuk paguhet mbi këto çmime referuese në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast, tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Po ashtu, për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri në datën 31 dhjetor 1995, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, si dhe ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992. “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM nr. 815, datë 9.12.1996. Kurse për qytetet që nuk përmenden në udhëzim, për efekt llogaritjeje do të merret në konsideratë kostoja mesatare e qytetit në distancën më të afërt. Kurse për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996 deri në 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme, e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në VKM e viteve përkatëse. Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja minimale fiskale e përcaktuar në marrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 29.03.2006, “Për miratimin e kostos minimale fiskale në ndërtim dhe për mënyrën e përcaktimit të çmimit të shitjes së banesave”, të cilat janë pasqyruar në udhëzim. Ja kur do të paguhet taksa Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë hipotekave. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera, që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse. Mosrespektimi i çmimeve në kontratat e noterizuara të shitjeve të pasurisë së paluajtshme konsiderohen kundravajtje administrative për zyrat e noterisë dhe penalizohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Shembull Një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit A një apartament me vlerën 5.000.000 lekë. Ky individ e shet këtë apartament pas disa vitesh tek një individ tjetër B, për 6.000.000 lekë. Individi A do të tatohet me 10 për qind të diferencës midis vlerës së shitjes 6.000.000 lekë dhe vlerës së blerjes 5.000.000 lekë. Pra, 10 për qind X (6.000.000-5.000.000) = 100.000 lekë, do të jetë tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë, i cili paguhet nga individi A. Çmimet e dyqaneve dyfish më të lartaPor përveç apartamenteve dhe tokës, në pagimin e taksës së pasurisë përfshihen edhe dyqanet, garazhet dhe ambientet për zyra. Kështu, udhëzimi i financave përcakton se çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është dy herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas zonave. Kurse çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi zyrash është i njëjtë me çmimin e sipërfaqeve të apartamenteve. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave. Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, çmimi për m2 është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës. Për ndërtimet në komunat e tjera të Tiranës, çmimi minimal llogaritet 36,600 lekëm2.