E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim nënës, braktisi foshnjën

Ndaj Marjeta Hoxhës, 39 vjeçe, për të cilën mendohet se deklaroi një emër të rremë, nisi një procedim penal

DURRËS - Shkoi në maternitetin e Durrësit, dha një emër të rremë, lindi foshnjën dhe më pas e braktisi pa lënë asnjë shenjë, bile asnjë emër. Kjo është historia e radhës e një nëne 39-vjeçare, që u regjistrua në kartelën e maternitetit me emrin Marjeta Hoxha, e cila pak pas lindjes la në “rrugë të madhe” vogëlushen e sapolindur. Sipas burimeve të maternitetit të qytetit bregdetar, shtatzëna që dha identitetin si Marjeta Hoxha, 39 vjeçe, lindi mëngjesin e tri ditëve më parë, por të nesërmen u largua fshehtas. Ngjarja u bë e ditur nga personeli mjekësor i maternitetit, të cilët bënë edhe kallëzimin penal ndaj gruas në fjalë. Burimet policore të Durrësit njoftuan se ndaj të ashtuquajturës Marjeta Hoxha nisi ndjekja penale për braktisjen e fëmijës. Tashmë, uniformave blu iu duhet fillimisht të gjejnë identitetin e vërtetë të gruas që braktisi të porsalindurën, ndërsa më pas të hetojnë edhe ngjarjen më të fundit.   NgjarjaSipas burimeve nga materniteti i Durrësit dhe policisë lokale, mësohet se 39-vjeçarja u paraqit në spitalin obstetrik-gjinekologjik pa pasur probleme apo komplikacione që lidhen me gjendjen e saj para lindjes. Ajo u regjistrua në kartelë me emrin që deklaroi, pra Marjeta Hoxha, ndërsa solli në jetë vajzën e saj mëngjesin e së nesërmes, pikërisht më 25 shkurt, rreth orës 5.00. Mjeku që asistoi në lindjen natyrale ishte gjinekologu Tahir Shazivari. Foshnja gëzon shëndet të plotë, ndërsa pak pas lindjes peshonte vetëm 2.8 kg. Sipas procedurave që ndiqen në raste të tilla, personeli i maternitetit, kryesisht infermieret, u kujdesën për beben, duke e dërguar atë në dhomën ku ndodhen inkubatorët, ndërsa nëna u dërgua menjëherë pas lindjes në reanimacion. Në fakt, pas disa orësh, më saktë mëngjesin e ditës së martë, më 26 shkurt, Marjeta Hoxha u largua fshehtas nga materniteti, vetëm 24 orë pas lindjes. Stafi i maternitetit kreu kontrolle për të gjetur nënën, por shumë shpejt u kuptua se ajo ia kishte mbathur, duke braktisur beben e saj. Raste të tilla nuk janë të panjohura në maternitetin e Durrësit, madje para dy vitesh dy fëmijë qëndruan deri tre muaj pas lindjes në ambientet e spitalit, për shkak të braktisjes nga nënat e tyre. Rasti më i fundit pati të njëjtën natyrë si ato të mëparshmet, pasi ashtu si në të kaluarën, nëna braktisëse nuk ka bërë të ditur asgjë rreth qëllimit të saj. Mësohet se tashmë foshnja do të mbahet për pak kohë në maternitet, ndërsa pas disa ditësh do të fillojnë procedurat e dërgimit të saj në shtëpinë e foshnjës.  A.K   E bren vetmia, vetëvaret 58-vjeçarjaKORÇË - Arriti në 6 numri i personave të vetëflijuar në Korçë gjatë muajit të fundit. Ngjarja e radhës u regjistrua dje në fshatin Vloçisht të Korçës, rreth 15 kilometra larg këtij qyteti, ku nëna e dy fëmijëve emigrantë u vetëvar me litar në kuzhinën e shtëpisë së saj. Sipas policisë, 58-vjeçarja Selime Çallëku, që ndërmori hapin tragjik rreth orës 5.00 të mëngjesit të djeshëm, u zbulua nga bashkëshorti i saj disa orë pasi kishte ndërruar jetë. Gruaja zgjodhi kuzhinën si vendin më të përshtatshëm për të vdekur, ndërkohë që asnjë element nuk hedh dritë mbi këtë akt. Kjo, sepse viktima nuk la asnjë shënim ku të justifikohej vetëvrasja. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë vendore, mësohet se 58-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve të rritur, jetonte me bashkëshortin e saj, Xhaferr Çallëkun, ndërsa të dy fëmijët jetonin në Itali si emigrantë. Nga hetimet e policisë, por edhe nga dëshmitë e të afërmve të viktimës, mendohet që shkak i vetëvarjes së gruas 58-vjeçare të jetë një depresion i momentit. Gjithçka mbetet për t’u zbardhur nga hetimet e policisë së Korçës, e cila mori në pyetje disa prej të afërmve të saj pas ngjarjes. Sipas tyre, çifti Çallëku ka qenë bashkë me fëmijët e tyre, djalin dhe vajzën në Itali, për më shumë se një vit, për t’u kthyer më pas në fshatin e tyre. Duket se kthimi nuk solli atmosferën e duhur, pasi gruaja nuk e përballoi dot vetminë. Kjo e fundit në fakt, dyshohet të jetë shkaku i vendimit fatal. I. Vreto  Vetëhelmohet 50-vjeçariELBASAN - Vetëhelmohet me fotoksinë një 50-vjeçar me banim në Elbasan. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së martës, teksa Feta Hyseni, 50 vjeç, kapërceu nga goja helmin vdekjeprurës, ndaj përfundoi në gjendje të rëndë për jetën në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Pasi mori ndihmën e parë në këtë spital, ai u transportua drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, pasi i nevojitej mjekim më i specializuar. Një grup hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e vetëhelmimit të 50-vjeçarit. Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, mendohet se ai ka përdorur fotoksinë në kushte të rënda depresive. Ende mbeten enigmë rrethanat e këtij vetëhelmimi. M.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›