Numërime pa fund
Rinumërimi i fletëve të votimit të përzgjedhura rastësisht në disa zona zgjedhore ka filluar, megjithatë zgjedhësit, vëzhguesit dhe kandidatët e kanë humbur tashmë kontrollin mbi procesin e komplikuar. Aktivitet tregtar në zonën e vjetër të qytetit Herat. Banorët e qytetit në kufi me Iranin kanë para dhe tregtarët bëjnë xhiro. Por, politika u intereson njerëzve edhe këtu. Një pronar dyqani thotë: "Për ne nuk ka rëndësi kush bëhet President. Por ne duam që numërimi të mbarojë sa më shpejt, me qëllim që rezultati të dalë dhe ne të mund të vazhdojmë me të ardhmen e jetës sonë".
Kjo mund të kërkojë akoma kohë. Rezultati paraprak ka nxjerrë Presidentin Hamid Karsai si fitues me thuajse 55 për qind, por për shkak të akuzave për mashtrim, kryesisht kundër mbajtësit të postit, komisioni zgjedhor vendosi në fillim të kësaj jave rinumërimin e fletëve të votimit të përzgjedhura rastësisht në zona zgjedhore të veçanta dhe procesi ka filluar. Gazetari Nazir Raha e shikon këtë proces i qetë: "E rëndësishme ishte që u bë e mundur të zhvillohen zgjedhje. Që do të kishte mashtrime, duhet të ishte marrë parasysh". Qytetarët afganë presin që numërimi të mbarojë sa më shpejt.
Në kryeqytetin Kabul do të rinumërohen thuajse 360 kuti votimi të përzgjedhura rastësisht. Ky numër përbën 10 për qind të kutive të votimit nga zona elektorale, në të cilat dyshohet të ketë pasur parregullsi. Jandad Spinghar nga organizata e vëzhguesve afganë të zgjedhjeve “Fefa” e kritikon procesin e rinumërimit:
"Ata (vëzhguesit e zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e kandidatëve) i kanë kërkuar disa herë komisionit të ankesave për sqarime të metodave të numërimit. Si do të merren fletët e përzgjedhura rastësisht nga kutitë e votimit, si do të sillen kutitë e votimit nga provincat për në Kabul, në bazë të cilave rregullave do të bëhet rinumërimi?"
Pyetje, të cilat janë vënë në pah vetëm pjesërisht dhe në një kohë të shkurtër. Rinumërimi i fletëve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme është vonuar edhe si rezultat i konflikteve të brendshme midis komisionit zgjedhor dhe atij ankimor si edhe OKB-së.
Për ecurinë e procesit dhe nëse ai është mbyllur tashmë nuk mund të mësohen akoma hollësi. Nëse rezultati i këtij rinumërimi do të jetë njëkohësisht edhe rezultati përfundimtar zyrtar i këtyre zgjedhjeve presidenciale, nuk është akoma e njohur, megjithëse duket si pak e mundshme.
Edhe një herë Jandad Spinghar i organizatës së vëzhguesve të zgjedhjeve “Fefa”: "Në qoftë se rinumërimi ecën keq, në qoftë se ai nuk është transparent, në qoftë se rezultati i rinumërimit për zgjedhësit dhe kandidatët nuk është i pranueshëm, atëherë legjitimiteti i Presidentit të ardhshëm dhe i qeverisë së ardhshme janë tepër të dyshimta".
Asnjë nuk beson më se rinumërimi do të çojë në përsëritje të zgjedhjeve.
Shkurt, përpara fillimit të rinumërimit, komisioni zgjedhor njoftoi se numri i votave të pavlefshme do të shpërndahet me përqindje tek të gjithë kandidatët. Pjesa e votave të vlefshme për secilin kandidat mbetet atëherë e njëjtë. Për afganët është e qartë tashmë prej kohësh se këto zgjedhje presidenciale do të vendosen politikisht. Ky burrë në pjesën e vjetër të qytetit Herat thotë: "Ne kemi votuar të gjithë, por si përfundim rezultati do të negociohet nga politikanët. Dhe kështu të gjitha shenjat janë për Karsain, që ai të vazhdojë detyrën".