E Diel, 1 Nëntor 2026

“Harrojnë” gripin e derrit, poliklinikat nuk marrin më mostra



Prej tri javëve poliklinikat e Tiranës nuk dërgojnë më asnjë mostër për analizimin e gripit të derrave në Institutin e Shëndetit Publik. Në buletinin epidemiologjik të botuar nga ISHP-ja thuhet se vigjilenca ndaj këtij gripi është ulur jashtëzakonisht. Sipas të njëjtit raport edhe në rrethet e tjera numri i marrjes së mostrave ka rënë ndjeshëm pavarësisht se numri i infeksioneve respiratore është i konsiderueshëm.

Mangësitë

Specialistët e ISHP-së shprehen të shqetësuar për rënien e vigjilencës ndaj gripit të derrit, ndonëse ka një numër të lartë të infeksioneve respiratore në grupmoshën pediatrike, megjithëse vënë re një numër të vogël mostrash të marra. “Në moshat pediatrike vihet re një fluks i lartë i infeksioneve respiratore sidomos në repartin e urgjencës në QSUT, por për fat të keq numër i mostrave vazhdon të jetë mjaft i ulët gjë e cila nuk na lejon të pasqyrojmë situatën aktuale në moshat pediatrike për AH1N1”, - shprehen ata.

ISHP thekson se ka mangësi edhe në mënyrën e raportimit të mostrave, ku në 70% të skedave të plotësuara nuk shënohen shenjat klinike apo sindromat e përcaktuara, gjë e cila lë për të dëshiruar cilësinë e skedës, ul cilësinë e raportimit dhe lë për të dëshiruar për gjykimin e gjendjes në të cilën ndodhemi.

“Poliklinikat, sidomos ato të kryeqytetit, si dhe rrethet gjatë tre javëve të fundit kanë ulur jashtëzakonisht vigjilencën dhe nuk dërgojnë apo raportojnë më mostra respiratore”, - thuhet në raport.

Laboratori

Aktualisht në Laboratorin e Virologjisë në ISHP ka filluar analizimi i mostrave në vend me metodën RT-PCR në një laborator të adaptuar për këtë qëllim pranë ISHP-së, megjithatë laboratori pranë Institutit Kantakuzino në Rumani nëpërmjet në specialisti të aprovuar nga OBSH po shërben për të kontrolluar cilësinë pranë laboratorit tonë të adaptuar. Ndërkohë, në këtë laborator kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat 24-72 orë dhe më pas deri në një javë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Vetëm 20% e mostrave janë të moshës pediatrike.

Më tej, dhënat tregojnë se deri tani nuk ka akoma shpërthim të infeksioneve respiratore apo sëmundje të ngjashme me gripin. Numri i mostrave të analizuara deri tani si të dyshuar me virusin e gripit të derrit është 857 nga ku 34 raste të konfirmuara në qytetin e Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, Beratit, Sarandës dhe Devollit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›