Nxehet gara për kualifikim

Gara për kualifikim në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve sa vjen e nxehet para xhiros së katërt në Grupet E,F,G e H. Pa dyshim, përballja kryesore do të zhvillohet në stadiumin Stamford Bridge të Londrës, ku Chelsea do ta kërkojë hakmarrjen ndaj Shakhtar Donetskut, pas humbjes në Ukrainë dy javë më parë.
Kampioni aktual i Evropës duhet të fitojë gjithsesi, nëse dëshiron të kualifikohet në të tetën e finales. Në të kundërtën, një barazim ose humbje eventuale do t’ia zbehte gjasat ekipit anglez. Chelsea e kërkon fitoren e 100-të në Ligën e Kampionëve, kurse skuadra ukrainase do ta kërkojë të 50-ën në këtë nivel.
Në duelin tjetër të Grupit E, Juventusit i duhet fitorja më shumë se kurrë në duel me Nordsjaellandin, e para këtë edicion, për të shpresuar ende në kualifikim të mëtutjeshëm. ‘Zonja e Vjetër’ ka barazuar në tri duelet e para këtë edicion, prandaj fitorja ndaj ekipit norvegjez do ta motivonte shumë para sfidës vendimtare ndaj Chelseat.
Në Grupin G, Barcelona, edhe pse ka shumë mungesa, në rast se fiton ndaj Celticut, do të kualifikohej automatikisht në fazën tjetër. Ndërkohë, Benfica nëse e mposht Spartak Moskën, do ta fuste veten në garë për kualifikim.
Njëjtë si për katalunasit, e njëjta gjë vlen edhe për Manchester Unitedin. ‘Djajtë e Kuq’, në rast se fitojnë ndaj Bragas, do ta prisnin biletën për të tetën e finales. Kurse, Cluji në rast të fitores ndaj ekipit të pafuqishëm këtë edicion – Galatasaray, do ta bënte një hap gjigant drejt kualifikimit historik.
Grupi F është më i paqarti. Aty e kërkojnë kualifikimin tri ekipe me pikë të njëjta, Bayern Munichu, Valencia dhe BATE Borisovi. Bavarezët presin fitore në duel me Lillen për të mbetur në garë për kualifikim, ndërkaq ndeshje interesante do të jetë ajo në mes të Valencias dhe BATE-s.
Spanjollët e befasuan ekipin bjellorus në udhëtim, ndërsa do të tentojnë të njëjtën gjë ta bëjnë edhe në stadiumin Mestalla. Sido që të përfundojnë këto ndeshje, ekipet e kualifikuara nga ky grup nuk pritet të dihen deri në xhiron e fundit.
Liga e Kampionëve:
E mërkurë
Grupi E
Chelsea – Shakhtar 20:45
Juventus – Nordsjaelland 20:45
Grupi F
Bayern Munich – Lille 20:45
Valencia – BATE Borisov 20:45
Grupi G
Benfica – Spartak Moscow 20:45
Celtic – Barcelona 20:45
Grupi H
Braga – Manchester United 20:45
CFR Cluj – Galatasaray 20:45