E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klitschko dueli i 22-te per titull

Kampioni i botës në peshat e rënda, Wladimir Klitschko po përgatitet për ndeshjen e tij të 22-të për titull në fundjavë kundër polakut Mariusz Wach. Ukrainasi ia ka dedikuar këtë duel ish-trajnerit të tij, Manny Steward.
Njeriu që ka stërvitur Klitschkon gjatë nëntë viteve të fundit, u nda nga jeta më 24 tetor në Detroit në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga tumori.
“Në këtë sfidë nuk do ta kem përkrah Emanuelin. Megjithatë, ai do të jetë aty me mua kur të zbres në ring dhe të mbroj të gjithë këta tituj, të cilët i kemi fituar së bashku”, tha ai.
Në duelin e së shtunës në Hamburg, 36-vjeçari Klitschko do të mbrojë titujt botërorë në versionet IBF, WBO dhe WBA.
“Nuk do ta harroj kurrë atë që kam mësuar nga Manny gjatë këtyre nëntë vjetëve. E di se çfarë duhet të bëj kur të hipi në ring dhe gjithçka do ta bëj për të, shtoi Klitschko.
Gjatë konferencës tradicionale përpara sfidës, për herë të parë në karrierë, Wladimir Klitschko është detyruar ta shohë nga poshtë një kundërshtar. Në fakt, boksieri 32-vjeçar nga Polonia, Wach është 2 metra e 8 centimetra i gjatë.
Sfidanti vjen edhe me një ecuri të jashtëzakonshme ku në 27 ndeshje nuk ka pësuar humbje, ndërsa ka fituar 15 herë me “knock-out”.
Ndërkohë, me 50 “knock-out”-e në 58 duele të fituara nga 61 profesioniste në total, kjo do të jetë hera e tretë që Wladimir Klitschko do ti mbrojë njëkohësisht të tre titujt botëror, prej korrikut 2011.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›