E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions kater ekipe prane kualifikimit

Barcelona, Manchester United, Porto dhe surpriza e këtij edicioni, Malaga kanë shansin që duke fituar në sfidat respektive të jenë katër skuadrat e para që do të sigurojnë një biletë për në turin pasardhës të Champions League.

Të katërta këto skuadra i kanë fituar tre ndeshjet e zhvilluara deri më tani në fazën e grupeve dhe nëse regjistrojnë edhe fitoret e katërta, ato do të kualifikoheshin për në turin e 1/8-ave dy ndeshje përpara fundit të fazës së grupeve.

Nëse marrin pikët e plota, edhe Schalke, Borussia Dortmund dhe Shakhtar Donetsk mund të bëjnë hapa të rëndësishëm përpara drejt kalimit në turin tjetër. Ndërkohë, Chelsea, kampione e Europës në fuqi, Manchester City skuadra e milionave dhe kampionët e Italisë, Juventusi, e shohin veten në pozita aspak komode.

Pas fitoreve me Olympiakos-in dhe Arsenalin dhe barazimit me Montpellier, tashmë Schalke do të luajë sërish me skuadrën e Arsen Ëenger, rivalët direkt të grupit B. Me një fitore gjermanët do të ngjiteshin në kuotën e 10 pikëve, duke hipotekuar kualifikimin, ndërsa do të bënin që “topçinjtë”  të rrezikonin seriozisht.

Nga katër skuadrat që mund të sigurojnë kualifikimin, dy prej tyre luajnë në mbrëmjen e sotme. Gjithçka duket më e lehtë për Porton në Grupin A, që sot luan në fushën e Dynamo Kyiv, ndërsa Malaga që kryeson Grupin C ndodhet përballë testit të vështirë në fushën e Milanit.

Barcelona në Grupin G dhe Manchester United në Grupin H do të luajnë të mërkurën në transfertat kundër Celtic dhe Bragas. Fitoret do të mbyllnin çdo diskutim, por edhe barazimet jashtë fushe do ti shërbenin katalanëve dhe “Djajve të Kuq”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›