Nxehtë në Kaçanik
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së njëzetegjashtë të Superligës së Kosovës do të zhvillohet të shtunën në Kaçanik, ku Lepenci – i cili po bën luftë të madhe për mbijetesë – do ta sfidojë njërin prej pretendentëve kryesorë për titull, Prishtinën.
Madje, stadiumi kaçanikas me gjasë do të jetë i vogël për t’i zënë të gjithë tifozët vendas ‘Fikshat’, të cilët thuajse që një javë janë përgatitur për ta përkrahur maksimalisht Lepencin në këtë përballje. Kjo ka bërë që ekipi kuq e zi ta kërkojë fitoren në këtë duel, pavarësisht faktit se përballë do ta ketë njërën prej skuadrave më të forta në vend.
“Do të jetë një sfidë shumë e vështirë. Por, ky fakt na ka motivuar shumë që t’i kërkojmë tri pikë të plota, të cilat na nevojiten shumë. Pra, neve nuk na interesojnë ndryshimet në shtabin teknik të Prishtinës dhe aspiratat e saj, të cilat janë reale, sepse Prishtina e meriton të luftojë për titull, por ne duam fitore siç duan të gjithë qytetarët e Kaçanikut, të cilët jetojnë për Lepencin”, ka deklaruar për Express trajneri i Lepencit, Muharrem Sahiti, skuadra e të cilit aktualisht gjendet në vendin e tetë të tabelës me 28 pikë.
Në anën tjetër, prishtinasit në këtë duel do të debutojnë me trajnerin e ri të tyre, Jusuf Tortoshi. Ky i fundit dëshiron që aventurën e re me ekipin bardh e kaltër ta nisë me fitore dhe ta ruajë hapin në luftë për titullin e kampionit.
“Për ne çdo lojë është shumë e rëndësishme. E tillë do të jetë edhe kjo ndaj Lepencit, që njihet për traditë e për mirëpritje. Jemi të përgatitur. Atmosfera në kampin tonë është shumë e mirë. Ne do të luftojmë për tri pikë, por në fund të fundit le të fitojë më i miri”, tha Tortoshi, skuadra e të cilit aktualisht gjendet në vendin e dytë me 46 pikë, një më pak sesa lideri Vëllaznimi, i cili të shtunën do të luajë si mysafir i skuadrës së fundit në tabelë, KEK-ut.
Superliga – Xhiroja e 26-të
E shtunë
Lepenci – Prishtina 13:45
KEK-u – Vëllaznimi 15:00
E diel
Hysi – Drenica 13:15
Besa – Drita 15:00
Gjilani – Trepça ’89 15:00
Trepça – Liria 15:00