Penalltitë më dramatike

Nuk ndodh shpesh që një ndeshje me karakter eliminimi në Ligën e Kampionëve, përveç finales, të përcaktohet me penallti. Por, i tillë ishte fati i Real Madridit dhe Bayern Munichut të mërkurën.
Secili nga këto dy superfuqi të futbollit evropian fituan ndeshjet e tyre përkatëse në shtëpi me rezultat identik 2-1 dhe u desh të ekzekutojnë penalltitë për të siguruar kualifikimin në finalen e sivjetme të Ligës së Kampionëve.
Dramë e përtej drame, pas së cilës triumfit iu gëzua Bayerni. Goal.com ka bërë një përmbledhje të pesë ndeshjeve më dramatike në Ligën e Kampionëve, ku fituesi u përcaktua pas penalltive.
Bayern Munich-Valencia 5:4 (1:1)
Finalja e Ligës së Kampionëve 2001
Gjermanët rrallëherë dështojnë sa u përket penalltive dhe kështu ndodhi edhe në finalen e vitit 2001 në San Siro. Pas rezultatit 1:1, u nevojitën penalltitë për të përcaktuar fituesin e trofeut. Bayern fitoi 5-4 pas shënimeve nga Salihamidzic, Zickler, Effenberg, Lizarazu dhe Linke.
Juventus-Milan 2:3 (0:0)
Finalja e Ligës së Kampionëve 2003
Finalja e parë e Ligës së Kampionëve mes skuadrave italiane u mbyll 0-0, pas 120 minutash lojë në Old Trafford. Penalltitë u dominuan nga portierët Dida dhe Gianluigi Buffon, të cilët i pritën të gjitha goditjet e pasuksesshme. Por, te Juventus gabuan David Trezeguet, Marcelo Zalayeta dhe Paolo Montero, kurse Andriy Shevchenko realizoi penalltinë vendimtare, që i dërgoi Rossonerët në kulmin e futbollit kontinental.
Milan-Liverpool 2:3 (3:3)
Finalja e Ligës së Kampionëve 2005
Dy vite më vonë pas triumfit ndaj Juventusit, fati i njëjtë nuk i buzëqeshi Milanit. Rossonerët ishin në avantazh 3-0 pas 45 minutave lojë kundër Liverpoolit, por anglezët u rikthyen duke barazuar në 3-3. Në vazhdime nuk pati gola të tjerë, andaj fituesi u desh të përcaktohej pas penalltive. Nga pesë goditjet e Milanit shënuan vetëm Tomasson dhe Kaka, kurse te Liverpooli të saktë ishin Hamman, Cisse dhe Smicer. Liverpool festoi titullin.
Man Utd-Chelsea 6:5 (1:1)
Finalja e Ligës së Kampionëve 2008
Pesë vite pas finales italiane, ishte radha e asaj angleze. Dhe sërish fituesi u desh të përcaktohej nga lotaria e njëmbëdhjetëmetërshave, pasi Manchester United dhe Chelsea u ndanë në barazim 1-1 pas lojës shtesë në Moskë. Carlos Tevez, Michael Carrick, Owen Hargreaves, Nani, Anderson dhe Ryan Giggs realizuan për Unitedin, kurse gaboi Cristiano Ronaldo. Për Chelsean shënuan Michael Ballack, Juliano Belleti, Frank Lampard, Ashley Cole dhe Salomon Kalou. Fillimisht John Terry humbi penalltinë e cila do ta shpallte Chelsean kampion, kurse pas tij Nicolas Anelka me dështimin e tij ia dhuroi suksesin Unitedit.
Real Madrid-Bayern Munich 1:3 (3:3)
Gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve 2012
Jo për herë të parë zemrat spanjolle në Ligën e Kampionëve u thyen pas penalltive nga një skuadër gjermane. Kësaj radhe nuk bëhej fjalë për një finale, por ndeshje e cila siguronte kalimin në të. Bayern fitoi duelin e parë në Allianz Arena me rezultat 2-1, kurse me rezultat identik, por në favor të Realit, përfundoi ndeshja e kthimit në Santiago Bernabeu. Loja shtesë nuk solli ndryshim në rezultat, andaj vendosën penalltitë. Nga katër goditjet e Realit shënoi vetëm Xabi Alonso, kurse gabuan Cristiano Ronaldo, Leite Kaka dhe Sergio Ramos. Te Bayerni shënuan David Alaba, Mario Gomez dhe Bastian Schweinsteiger duke siguruar kualifikimin në finale, ku do të ndeshen me Chelsean.