Pep: Lamtumirë Barcelonë!

Pep Guardiola
Zyrtarizimi/ Largohet Guardiola. Tito Vilanova, trajneri i ri i katalanasve.
“Jam i lodhur e dua të pushoj. Nuk motivohem më”
“Pep Guardiola nuk do të jetë trajneri i Barcelonës prej sezonit të ardhshëm”. Lajmi që të gjithë prisnin është zyrtarizuar në orën 13:38 të ditës së premte, në zemër të “Kamp Nou”-t.
Jepet nga presidenti Sandro Rosell, i ulur në qendër, teksa në të djathtë të tij ka Guardiolën të emocionuar. Dhe kur i japin fjalën këtij të fundit, i cili e shndërroi klubin në një perandori, bie heshtja: “Nuk është një situatë e thjeshtë për mua. Do të përpiqem të shpjegoj se si ndihem. Kam qenë fillimisht lojtar dhe më pas trajner i kësaj skuadre. Kjo ka qenë gjithnjë shtëpia ime. Katër vjet janë një përjetësi në një skuadër kaq të madhe sa Barcelona. Më vjen keq që pasiguria ime për të ardhmen ka shkaktuar ndonjë problem. Por unë ia kisha komunikuar klubit largimin që në muajin tetor. Shkaqet? Jam i lodhur dhe ka ardhur momenti të largohem”, shtoi tekniku 41-vjeçar me emocione që ndoshta nuk i ka përjetuar në 4 vitet e tij teksa festonte 13 trofetë e ngritur. Nuk flet dot gjatë. E ka shumë të vështirë me Pujolin, Pikenë, Ksavin, Iniestëm, Fabregasin, Valdesin, Buksetsin, Pedron, por pa Mesin, në sallën e konferencave për shtyp në “Kamp Nou”, të flasë më shumë. Këtyre lojtarëve ndien se u detyrohet një falënderim të madh. Ai më mirë se kushdo tjetër e di se sa me fat ka qenë të drejtojë ndoshta një nga brezat më të artë që “La Masia” ka nxjerrë në historinë e saj. “Nuk mund të mos shpreh mirënjohjen e të gjithë lojtarëve që kam stërvitur. Jam i kënaqur për rezultatet e arritura. Ashtu siç thuhet shpesh, futbollistët janë zemra e një skuadre dhe unë kam qenë i privilegjuar që i kam stërvitur”, ka pohuar Guardiola. Sakaq, nga një djalë katalanas te një tjetër. Nga Pep Guardiola tek i besuari i tij, Tito Vilanova. Nuk është as Bielsa, as Valverde dhe as Blank apo Vilas Boas. “Për Guardiolën do të ndiejmë mirënjohje të përjetshme. Do të kërkojmë që ta menaxhojmë sa më mirë trashëgiminë që po lë trajneri dhe prandaj prej sezonit të ardhshëm, trajner i Barcelonës do të jetë zëvendësi i Pepit, Tito Vilanova”, tha presidenti Rosell. “Barcelona është një realitet i bukur, por kompleks. Duhet ta njohësh nga brenda. Për këtë arsye zgjodhëm Titon”. Ka qenë Guardiola ai që ka ngulmuar për emrin e mikut dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë: “Po të kisha dyshime në aftësitë e Titos, do t’ua kisha komunikuar ato drejtuesve. Por jam i sigurt se është marrë vendimi i duhur. E admiroj mikun tim për atë që më ka dhënë gjithë këto vite. Lojtarët e njohin dhe nuk do të revolucionarizohet gjithçka është krijuar deri më tani. Ai mund t’u japë lojtarëve gjithçka unë nuk isha në gjendje ta bëja”, ndërhyri Guardiola. Vilanova e ka pranuar me kënaqësi një tjetër betejë në jetën e tij pas fitores me tumorin në gjëndrat e pështymës në nëntor.
Deklaratat pas zyrtarizmit të largimit të teknikut
Futbollistët njëzëri: Faleminderit Pep!
Të gjithë lojtarët e Barcelonës i janë shprehur mirënjohës Pep Guardiolës për punën që ka bërë me skuadrën dhe që e ka drejtuar atë te fitoret gjatë këtyre katër viteve. Të gjithë kanë bërë mesazhe në rrjete sociale.
Pujol – “Faleminderit shumë për gjithçka Pep. Na ke treguar rrugën e sukseseve… Një përqafim i fortë”.
Pike – “Faleminderit Pep. Katër vite të mbushura me fitore, harmoni dhe, mbi të gjitha, leksioni mbi futbollin”.
Alkantara – “Arrita majën e futbollit dhe asnjëherë nuk e kisha menduar se do t’ia dilja mbanë. Do të jem përjetësisht mirënjohës. Faleminderit”.
Fabregas – “Kam kaluar vetëm një vit dhe më duket sikur kam shumë të tillë që punoj me Guardiolën dhe Barcelonën. Jam i lumtur që pata shansin të jem pjesë e një ekipi ku drejtoi idhulli im si futbollist, ashtu edhe si trajner. Dua të përgëzoj gjithashtu Vilanovën, të cilin e njoh që kur kam qenë fëmijë. Klubi i dha një shans dhe jam i bindur që ai do e tregojë që është trajner i madh”.
Iniesta – “Sot trajneri na komunikoi vendimin që ka marrë mbi të ardhmen. Dua të falënderoj për të gjitha emocionet që na ka dhuruar skuadra e drejtuar prej tij”.
Dani Alvesh – “Ditë e trishtueshme, pasi Pep na komunikoi që do të largohet. Na ka trajtuar si fëmijët e tij dhe na ka ndryshuar jetën jo vetëm në aspektin futbollistik. Jemi krenarë që e kemi pasur si trajner dhe e falënderojmë me zemër”.
Leo Mesi: “Nuk shkova në konferencë, s’mundesha”
Lionel Mesi ka justifikuar mospraninë e tij në konferencën për shtyp, ku Pep Guardiola zyrtarizoi largimin e tij nga Barcelona. Ylli argjentinas ka thënë se ishte shumë emocionuese dhe nuk mund ta përballonte një gjë e tillë. “Ishte një vendim dhe një deklaratë që na ka prekur të gjithëve, sidomos ne lojtarëve. E kisha të pamundur që të isha në konferencën për shtyp për shkak të emocioneve. Nuk doja që të shikonin trishtimin në sytë e mi, ashtu siç ndodhi me Pujolin, Pikenë, Ksavin, Iniestëm, Fabregasin, Valdesin, Buksetsin dhe Pedron. Kemi përjetuar momente të paharrueshme me Guardiolën dhe ai ka qenë, pa diskutim, çelësi i fitoreve tona. I jemi borxhlinj për atë që na ka dhënë”, u shpreh Mesi.