Nxënësi plagoset në oborrin e shkollës nga 2 shokët e klasës
TIRANE - Gjatë kohës kur në shkollën "Vasil Shanto" dhe "Kongresi i Manastirit", përfaqësues nga policia dhe Drejtoria Arsimore sensibilizonin nxënësit për lëndët narkotike, në një tjetër shkollë 9-vjeçare në Tiranë një nxënës mbeti i plagosur pas një sherri fizik. Ngjarja ndodhi dje në oborrin e shkollës "1 Qershori", pas një konflikti mes tre nxënësve të klasës së nëntë, që e kishin mosmarrëveshjen gjatë orës së mësimit. Kanë pritur vetëm sa të binte zilja për përfundimin e mësimit dhe sapo kanë dalë në oborr dy nga nxënësit janë "hakmarrë" ndaj 14-vjeçarit që i fyente gjatë mësimit. Pasi e kanë rrahur, njëri prej adoleshentëve ka kapur një gozhdë që ka gjetur në tokë dhe ka goditur në bark shokun e klasës. Roja i shkollës ka lajmëruar menjëherë policinë, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke shoqëruar dy adoleshentët, të cilët më pas për shkak të moshës së mitur u lanë sërish të lirë. Ndërsa 14-vjeçari i plagosur u transportua në spital dhe pas ndihmës mjekësore u largua për në shtëpi, pasi plaga nuk ishte serioze. Burime nga policia thanë se asnjëri prej nxënësve nuk ka pasur armë të ftohta apo objekte të tjera të jashtëligjshme me vete, ndërsa plagosja është kryer me një objekt të gjetur në tokë, në këtë rast me një gozhdë. Duke u nisur nga seancat e seminareve sensibilizues për lëndët narkotike që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve nëpër shkollat 9-vjeçare të Tiranës, pritet që të ketë edhe seminare sensibilizues për të shmangur incidente të tilla si ai që ndodhi dje në shkollën "1 Qershori". Lidhur me projektin sensibilizues që u zhvillua dje në dy shkolla dhe do të vijojë gjatë javës, policia njoftoi se këto programe pritet që t'u vinë në ndihmë nxënësve, për t'u informuar që në moshë të vogël për rreziqet që sjell përdorimi i substancave narkotike. Ky program është hartuar në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Nevv Jersey-it, Programit ICITAP, Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë. Temat e përfshira në këtë program kanë të bëjnë me luftën kundër duhanit, alkoolit, marijuanës, etj., program i cili do të zhvillohet me klasat e pesta dhe të gjashta të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit. Pritet që vitin e ardhshëm ky projekt të përfshihet në programin mësimor, si një lëndë e veçantë.