Trafikoi të fejuarën, ekstradohet
TIRANE- Një person, i cili është dënuar se shfrytëzoi si prostitutë në Greqi e Itali vajzën të cilës i kishte premtuar martesë, u ekstradua dje nga Italia për të vuajtur në Shqipëri dënimin. Ai është dënuar me 12 vitesh burg, masë e cila është caktuar në mungesë nga Gjykata e Kavajës, në vitin 2004. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, u ekstradua dje nga Roma, 35-vjeçari Agim Memolla nga Rrogozhina, i shpallur në kërkim me akuzën e "shfrytëzim prostitucioni". Sipas vendimit të gjykatës, Memolla ka shfrytëzuar si prostitutë, duke filluar nga viti 1999 deri në vitin 2003, të fejuarën e tij, me iniciale B.M., duke e detyruar me anë të presionit psikologjik që të vepronte ashtu siç kërkonte ai. Fillimisht vajza është shfrytëzuar për prostitucion në disa qytete të ndryshme të Greqisë e më pas në Itali. Sipas policisë, ekstradimi i Agim Memollës erdhi pas kryerjes së dënimit në Itali, pasi ishte arrestuar për tjetër akuzë në Milano. Më pas Gjykata e Apelit të Milanos ka vendosur pranimin e kërkesës për ekstradim më 19 tetor 2007. Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, Memolla mbërriti dje në Rinas, i shoqëruar nga oficerët e Interpolit.