E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria ime dhe liria jote

Eno Bozdo

Ndoshta argumenti më i shtjelluar në dy shekujt e fundit të civilizimit tonë është ai mbi konceptin e lirisë. Në kohërat që jetojmë çështjet e lirisë individuale kundrejt lirisë së sistemit, lirisë së sistemit kundrejt të drejtës/lirisë kolektive dhe lirisë kundrejt shanseve të individit janë veçanërisht të debatuara dhe të lidhura ngushtësisht me konceptin e njeriut modern dhe raportet e tij me shoqërinë. Civilizimi perëndimor me rrënjët e tij të thella në civilizim judeo-greko-romak, çështjen e lirisë së individit kundrejt lirisë që sistemi shoqëror ofron e ka pasur në qendër të debatit dhe polemikës historike dhe filozofike, por edhe në qendër të përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë e më të qëndrueshme, me mekanizma që ofrojnë bashkëjetesën dhe garantojnë lirinë e individit brenda këtij sistemi. Në këta dy shekuj të fundit, shqiptarët kanë zgjedhur të jenë pjesë e civilizimit perëndimor në mënyrë të natyrshme. Jo të pakta janë momentet historike kur shqiptarët dhe Shqipëria ka qenë në udhëkryq. Nuk është koincidencë fakti që shqiptarët (sepse Shqipëria ende nuk ekzistonte), me një prirje thuajse genetike, zgjodhën vlerat universale të lirisë, të lirisë së individit dhe sistemin që e ofronte këtë. Ngjarjet e fundit në Tiranë dhe Shqipëri e drejtojnë natyrshëm debatin për lirinë e individit dhe lirinë që sistemi ofron për bashkësinë e individëve. Në këtë kontekst, raporti midis lirisë sime si individ, dhe lirisë së individëve të tjerë është thelbësor. Edhe më thelbësor është sistemi, i cili në të njëjtën kohë duhet të garantojë lirinë time, por edhe atë të tjetrit, si dhe të vendosë raporte të drejta (morale, jo thjesht konstitucionale) midis shumicës dhe pakicës, që në rastin tonë përkthehet si raport midis maxhorancës dhe minorancës apo më shkoqur, Qeverisë dhe opozitës.
Shprehja “liria ime mbaron atje ku fillon e jotja” është ndoshta e konsumuar, por nuk më vjen ndër mend ndonjë shprehje më e gjetur për të ilustruar situatën paradoksale që jemi të shtrënguar të përjetojmë, që kur opozita ka zgjedhur të kontestojë me çdo mjet dhe me çdo mënyrë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009. Opozita ka zgjedhur në mënyrë të vullnetshme, të qartë dhe pa asnjë ekuivok të çojë në ngërç jetën politike të vendit, të pengojë funksionimin dite-pas-dite të institucioneve të tij, të bllokojë madje edhe trafikun, në Tiranë, në Jug e në Veri të vendit, duke dhënë kështu e para sinjalin sfidues të kufirit të lirisë që sistemi ynë (demokratik) ofron. Opozita ka zgjedhur ta sfidoje sistemin, jo vetëm atë kushtetues, por mbi të gjitha sistemin moral, raportin e drejtë e të ndershëm midis lirisë që asaj i garantohet dhe lirisë që maxhoranca dhe komuniteti qytetar gëzojnë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi edhe kryetar i opozitës shqiptare, po e godet prej kohësh sistemin, duke tejkaluar dukshëm të drejtën e tij. Ajo çfarë e bën alarmante këtë tejkalim është fakti që si në rastin personal të z. Rama, ashtu edhe në rastin e deputetëve grevistë opozitare, e drejta nuk është tejkaluar thjesht nga ana morale, por edhe nga ana konstitucionale.
Kryetari i Bashkisë ka filluar punimet ne sheshin qendror të Tiranës në mungesë të plotë të respektimit të ligjit, pasi plani i tij rregullator nuk ka marrë sipas ligjit miratimin në KRRTRSH. Kryetari i Bashkisë gjithashtu ka tejkaluar të drejtën morale në këtë rast, duke mos u konsultuar me qytetarët e Tiranës dhe duke lënë jashtë procesit palët e interesuara.
Opozita shqiptare ka tejkaluar të drejtën e saj ligjore, duke shkelur dukshëm ligjin, sepse është ngujuar në qendër të Tiranës duke bllokuar trafikun dhe vështirësuar kështu dukshëm jetën normale të tiranasve. Opozita transporton çdo ditë protestues nga qytete të ndryshme, të cilët me të zbarkuar në Tiranë bllokojnë për llogari të tyre rrugët që të nxjerrin në bulevardin qendror, duke shkaktuar pa asnjë shkak radhë të gjatë makinash, frustrim dhe tendosje nervash.
Opozita ka zgjedhur (në mënyre indirekte) të dëmtojë imazhin e vendit, duke i shtuar një pikëpyetje të madhe procesit të liberalizimit të vizave, si dhe atij të marrjes së statusit të vendit kandidat. Perceptimi i lartë i riskut politik do të sjellë në mënyrë të pashmangshme rritjen e çmimit të Eurobondit, duke rezultuar kështu në pagesa më të larta, që duhet të dalin nga arka e shtetit në formën e shërbimit të borxhit. çka në fund të ditës përkthehet në para, të cilat në vend që të shkonin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, shkojnë për të balancuar riskun e lartë të perceptuar politik.
Përballë opozitës qëndron në këtë rast qytetari. Përballë këtyre veprimeve qëndrojmë ne, qytetarët e Tiranës që mund të kemi opinione të ndryshme mbi maxhorancën dhe opozitën, por nuk i kemi borxh kërkujt cënimin e lirisë tonë, të së drejtës për të jetuar normalisht dhe qetësisht.
Përballë opozitës qëndron bashkësia e shqiptarëve, me të drejtën e tyre të pamohueshme (madje të vonuar) të lëvizjes së lirë, me të drejtën për të përfituar maksimumin nga liberalizimi i vizave, apo nga procesi i integrimit evropian. Bashkësia e shqiptarëve, demokratë e socialistë përfshirë, kanë të drejtë të aspirojnë rritje të të ardhurave të tyre financiare dhe të gëzojnë lirinë që këto të ardhura ofrojnë.
Sot, përballë opozitës nuk qëndron me maxhoranca! Përballë z. Rama sot nuk qëndron z. Berisha. Kush përpiqet ta trajtojë këtë çështje si konflikt midis dy individëve, apo si konflikt politik midis maxhorancës dhe opozitës, gabohet në princip. Përballë z. Rama qëndron sot individi dhe bashkësia e shqiptarëve, të cilët po privohen në lirinë e tyre, në të drejtën e tyre për të qenë pjesë e qytetarisë evropiane, në të drejtën e tyre për të mos jetuar mes tensionit politik fals dhe paradoksal, në të drejtën e tyre për të gëzuar lirisht qytetin, Tiranën, sepse z. Rama ka zgjedhur të tejkalojë lirinë e tij.
Ky është problemi themelor në këtë çështje: unë, ne, të gjithë ata që jetojnë në Tirane e në Shqipëri, po shohim nga dita në ditë se si liria jonë cënohet, se si në mënyrë abuzuese dhe spekulative cënohet e drejta jonë për të qenë qytetarë të lirë të një vendi të lirë, sesi në mënyrë ironike kërkohet liria e votës, ndërsa u hiqet liria komunitetit qytetar.
Ky është modeli paradoksal (dhe i dëmshëm) që z. Rama dhe opozita e tij ofrojnë sot. Ai ka tejkaluar dukshëm të drejtën e tij, e në këtë rast, e drejta tashmë është e imja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›