E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, tre peshkatarë rrezikojnë mbytjen

STUHIA NË DET/ Dy vëllezër nga fshati Rrjoll kanë rrezikuar të mbyteshin me varkën e tyre të peshkimit


Policia njoftoi se varka e një peshkatari u mbyt, ndërkohë që ai përfundoi në spitalin rajonal të Durrësit


Gjatë ditës së hënë policia ka bërë të ditur se tre peshkatarë të zonës së Shkodrës dhe Spillesë kanë rrezikuar që të mbyten për shkak të dallgëve të shumta, si pasojë e motit të keq. Njoftimi i policisë kufitare të Durrësit ka bërë që të ndërhyhet në kohë, ndërkohë që njëri prej tyre ka përfunduar në spitalin e Durrësit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Velipoja


Një varkë me dy peshkatarë të zonës së Shkodrës ka rënë pre e erës së fortë, ndërsa peshkonin në grykëderdhjen e lumit Buna.


Teksa janë rrëmbyer nga dallgët e mëdha ata kanë njoftuar policinë. Mësohet se ndihma është kërkuar tek shërbimet e Policisë kufitare të Durrësit, e cila është njoftuar se varka e peshkimit në të cilën ndodheshin vëllezërit Zhuri, nga fshati Rrjoll, ishte në rrezik mbytjeje. Njoftimi është dhënë rreth orës 08:00 të mëngjesit, ndërkohë që një motoskaf i policisë është nisur drejt vendit ku njoftohej se ishin në rrezik vëllezërit 19 dhe 21-vjeçar.


Fillimisht mësohet se motoskafi ka dalë në lundrim por si pasojë e motit të keq ka tentuar të kthehet. Më pas, rreth orës 09:00 janë lidhur sërish me të rrezikuarit, teksa kanë mësuar se varka ishte tërhequr drejt portit të Shëngjinit. Operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar rreth orës 09:50, pas pothuajse dy orësh nga marrja e njoftimit.


Spille


Rreth së njëjtës orë kur janë nxjerrë dy vëllezërit, thuajse në të njëjtën gjendje të pashpresë është gjendur edhe një tjetër peshkatar, porse këtë radhë ngjarja është zhvendosur në grykëderdhjen e lumit Shkumbin. Burimet policore theksojnë se rreth orës 09:30 është lajmëruar Stacioni i Policisë Kufitare Spille për rrezikun e mbytjes në det të shtetasit H. Hoti.


Mësohet se ky person kishte në përdorim një varkë peshkimi me motor 25 HP 024 D të licencuar dhe se ndodhej në zonën e Qerretit në Kavajë. Sipas policisë, Hoti kishte dalë në det rreth orës 06:00 të mëngjesit për të mbledhur rrjetat e peshkimit. Por një përkeqësim i motit, si dhe një defekt në motor ka bërë që ai të kërkojë ndihmën e policisë, pasi nuk ka mundur të dalë në breg.


Efektivat e Policisë Kufitare te Stacionit të Policisë Kufitare Spille së bashku edhe me një tjetër peshkatar të zonës arritën të nxjerrin në breg shtetasin H.Hoti, varka e të cilit u mbyt. Policia thekson se "me të dalë në breg këtij shtetasi iu dha ndihma e parë në spitalin rajonal të Durrësit ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›